29 Mars 2024

Miratohet vendimi për hartimin e Programit për Reforma Ekonomike

Prishtinë, 12 qershor - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës është miratuar Projektligji për Kompetencat e zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, përmes të cilit përcaktohen kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë atëherë kur procedurat e detajuara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës nuk janë të mjaftueshme si dhe është miratuar edhe Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështjet në Lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, qëllimi i të cilit është përcaktimi i juridiksionit, kompetencave, organizimi dhe funksionimi, rregullat për funksionimin e saj si dhe emërimin e gjyqtarëve në këtë gjykatë.

Një lajm tejet i rëndësishëm për Komunën e Prizrenit që i hap rrugë zhvillimit të planit urbanistik është edhe miratimi i kërkesës së kësaj Komune për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të ish Sekretariatit Federativ për Mbrojtje Popullore, me qëllim të realizimit të Planit Rregullues Urban për shpalljen e Zonës së Veçantë Industri të Lehtë “Parku i Biznesit”, Zona Kadastrale Lubizhdë. Krijimi i kësaj zone industriale ka për qëllim ofrimin e saj në shfrytëzim për investitorët vendor dhe të jashtëm, e cila do të ndikojë në zhvillimin ekonomik lokal në Komunën e Prizrenit.

Po ashtu, është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për hartimin e Programit për Reforma Ekonomike 2019-2021. Qeveria e Kosovës përgatitë Programin për Reforma Ekonomike 2019-2021, si pjesë e dialogut ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës në kuadër të qeverisjes ekonomike. Ky program mbulon periudhën afatmesme tri vjeçare 2019-2021 dhe bazohet në kornizën makro-fiskale, prioritetet e reformave strukturore dhe masat përkatëse që janë pjesë e Programit të Qeverisë 2017-2021 dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021.

Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës, është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë, i cili ka për qëllim mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Planin Vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2019, përmes të cilit synohet realizimi i objektivave nga Programi i Statistikave Zyrtare, bazuar në resurset njerëzore dhe financiare në dispozicion si dhe krijimi i një sistemi të qëndrueshëm statistikor, në rritjen dhe përmirësimin e kualitetit të statistikave zyrtare, në përputhje me metodologjinë ndërkombëtare (Eurostat), duke ofruar statistika cilësore, relevante, të besueshme, në kohë dhe të sakta, që i përmbushin nevojat e të gjithë shfrytëzuesve vendorë  dhe ndërkombëtarë.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 20 mijë euro, për ekspeditën e Flutura - Uta Ibrahimi, në Himalaje, për periudhën 14 Gusht-15 Tetor 2018, e cila përfaqëson Kosovën.

Projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar, i cili përcakton rregullat për sinjalizimin, procedurën e sinjalizimit, të drejtat e sinjalizuesve dhe detyrimet e institucioneve publike dhe subjekteve private në lidhje me sinjalizimin.

Me propozimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, u miratua edhe vendimi për të kërkuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencionit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ për Projektin CETEP.

Po sot, aprovimin e kabinetit qeveritar e ka marrë propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2018 të Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr. 02/59 të datës 17 nëntor 2015, ndërkaq u shfuqizua vendimi i Qeverisë nr. 01/27 i datës 1 shkurt 2018 për pezullimin e vendimit të Qeverisë nr. 04/20 të datës 20 dhjetor 2017.

Kabineti qeveritar, po sot ka shqyrtuar dhe miratuar Udhëzimet e politikave nga Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kosovar për Raporti Financiar, për një periudhë tri vjeçare.

Vendimi Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Rrugës Rajonale R 129 Kërpimeh-Mitrovicë, Zona Kadastrale Revuq dhe Pakashticë e Poshtme, Komuna Podujevë, si dhe vendimi Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga Ndërtimi i Rrugës Nacionale N9 Prishtinë-Pejë, Segmenti Balincë-Pejë, Zona Kadastrale Balincë, Komuna Malishevë, kanë marrë aprovimin e kabinetit qeveritar.

Poashtu, në mbledhjen e sotme Qeveria është informuar për Raportin mbi zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së gjatë tre mujorit të parë 2018.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, z. Fitim Krasniqi.

Në përfundim të mbledhjes së sotme të Qeverisë, Kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi nga ministri i Financave, Bedri Hamza, sqarim lidhur me Ligjin për TVSH-në veçanërisht për librin. Ministri Hamza lidhur me këtë tha se Ligji për TVSH-në është në procedurë dhe pritet që gjatë këtij muaji të procedohet në Qeveri dhe pastaj të procedohet në Kuvend, përmes të cilit adresohet edhe çështja e TVSH-së për librin dhe lirimin e tij nga kjo taksë.

Në fund të takimit Kryeministri Haradinaj kërkoi nga të gjithë ministrat të përgatisin raporte të detajuara për punët në dikasteret përkatëse dhe gjatë muajit korrik t’i dorëzohen Kuvendit të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)