26 Shtator 2018

Miratohet propozimi për rritje të ndihmës sociale për 20%

Prishtinë, 12 janar - Pagesa mujore për familjet në skemën e ndihmave sociale do të rritet për 20% dhe një propozim-vendim i tillë është paraqitur sot nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në mbledhjen e qeverisë, ku dhe ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bazë të fushëveprimit dhe mandatit të saj, përveç kategorive tjera sociale ka për qëllim dhe objektivë mbështetjen e familjeve të varfra, përmes ofrimit të pagesës së Asistencës Sociale, për familjet që i plotësojnë kriteret sipas Ligjit Nr. 04/L-096 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë”, tha ministri Reçica.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare mbi varfërinë dhe papunësinë, familjet në Skemën e Ndihmës Sociale vazhdojnë të janë shtresa më e varfër dhe më e goditur në aspektin ekonomik dhe social.

Ministri Reçica tha se përkundër lëvizjes së çmimeve të disa artikujve në kuadër të shportës së ushqimit, shuma e ndihmës sociale nuk ka pasur ngritje që nga viti 2015 dhe nuk është harmonizuar me indeksin e çmimeve. Andaj duke u bazuar në hulumtime dhe analiza të  lëvizjes së çmimeve dhe harmonizimit me çmimet e shportës së ushqimit, është propozuar rritja për 20% e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar.

Ndihma e asistencës Sociale bazohet varësisht sa anëtarë ka një familje si psh. 1 anëtarë me 40 pikë x 1.50 euro, që bie se do të përfitoj 60 euro dhe maksimum familja 15 anëtarëshe me 120 pikë x 1,50 euro do të përftojë 180 euro në muaj. Kjo rritje do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2018.


Kalendari

Ngjarjet e datës 26 shtator 2018  - Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë do ta bëjë hapjen e projektit të arsimit me titull 'Përkrahja e përafrimit përmes arsimit për demokraci dhe të mësuarit të gjuhëve'. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:30)

- Mbahet aktiviteti i pranim-dorëzimit të donacionit të KFOR-it gjerman dhënë  FSK-së në vlerë prej 329.281.78 euro ku perfshihen 44 automjete dhe pajisje të tjera. (Kazerma 'Adem Jashari' në Prishtinë, ora 9:30)

-  IFC si anëtare e Grupit të Bankës Botërore dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizojn ceremoninë e nënshkrimit të Memorandum Mirëkuptimit. (Zyrat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Komuna e Prishtinës mban mbledhjen e katërt te Këshillit Komunal për Siguri në Bashkesi. (Ndërtesa e vjetër të Komunës, salla nr. 37, ora 10:00)

- Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë prezanton projektin "Partneritetet e Bashkimit Evropian, Inovacionit dhe Mediave për aksion, bashkëpunim dhe transformim në Ballkanin Perëndimor".  (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Oda e Afarizmit të Kosovës organizon takimin e përbashkët me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës. (Salla e konferencave Orion përballë Kino ABC, ora 10:00)

- Në kuadër të aktiviteteve të Javës Evropiane Sportive, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së aktiviteteve të organizuara nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës. (Palestra “1 Tetori’’ Prishtinë, ora 10:30)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë 'Monitorimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim: Sa po e përmbush detyrën e saj në sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë?'. (Hoteli Sirius, ora 10:30)

- Hapet Panairi Rajonal të quajtur “Panairi i Gjilanit 2018”, me pjesëmarrjen e rreth 120 kompanive të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe ​Turqisë. (Sheshi i qytetit të Gjilanit, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conoll nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit. (Ndërtesën e Qeverisë, Ish-Rilindja, kati i 9-të, ora 11:00)

- Let's Do It Kosova organizon aksionin për të pastruar sërish te stadiumi "Fadil Vokrri".  (Zona tek stadiumi 'Fadil Vokrri', ora 11:00)

-  Drejtuesit e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës do të mbajmë një konferencë të jashtëzakonshme për media. (Para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa në të cilën do të behët shqyrtimi i Propozimit të Komisionit për Përzgjedhje te anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Kryetari i Kuvendit te Kosovës do të vizitoj kompanine NewCo ferronikeli në Drenas. (Fabrika e Feronikellit në Drenas, ora 13:00)

- Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Dukagjin mban protestë. (Pallati i Drejtësisë, ora 13:00)

- Grupi EUNIC në Prishtinë, i cili bashkon përfaqësitë diplomatike dhe qendrat kulturore të Austrisë, Gjermanisë, Francës, Hungarisë, Italisë dhe Luksemburgut, shënon Ditën Evropiane të Gjuhëve. (Qendra Informative dhe Kulturore të BE-së, ora 16:00)

- Shfaqet premiera e koreodramës “KUMT”, të autorit, Gjergj Prevazi. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 20:00)