08 Gusht 2022

Mbrojtja e parasë publike, parim kyç që duhet të udhëhiqen të gjitha politikat publike

Prevallë, 25 qershor - Mbrojtja e parasë publike është parim kyç me të cilin duhet të udhëhiqen të gjitha politikat publike, e kjo arrihet vetëm nëpërmjet menaxhimit të mirëfilltë të financave publike, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në sesionin e dytë të takimit me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, ku u diskutua për zhvillimin ekonomik dhe investimet.

Kryeministri Kurti theksoi se si Qeveri e Republikës, që nga fillimi i mandatit, kemi punuar në ndërtimin e mekanizmave që ndikojnë në avansimin e sistemit të buxhetimit e shpenzimit, e deri tek vendosja e kontrolleve të brendshme për të siguruar mirëmenaxhim e llogaridhënie.

“Në këtë drejtim, kemi punuar në koncept-dokumentin për menaxhimin e financave publike, që shënon hapin e parë në drejtim të avansimit të legjislacionit i cili ndërlidhet me forcimin e sistemit aktual të financave publike dhe adresimin e mangësive në arkitekturën aktuale administrative”, tha ai.

Duke folur për angazhimin e Qeverisë për mbështetjen e nivelit komunal me qëllim të rritjes se mirëqenies së qytetarëve, kryeministri tha se si rezultat i rritjes rekord të të hyrave buxhetore, Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 është miratuar nga Komisioni i Granteve me një rritje prej 32 për qind.

“Pra, kemi rreth 255.2 milionë euro më shumë buxhet të ndarë nga niveli qendror për nivelin komunal. E në këtë Komision miratuam edhe politika të reja si angazhimi i 59 konsulentëve të karrierës në shkollat e mesme të ulëta, rritjen e numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në 500, shtimin e 30 profesionistëve të TI-së, rritjen e numrit të personelit shëndetësor në shëndetësinë primare prej 299 profesionistëve, dhe mundësimin e realizimit të vizitave për gra shtatzëna e fëmijë dhe persona në kujdesin paliativ”, tha kryeministri Kurti.

Ai rikujtoi nënshkrimin me shumë komuna të nismës Karta për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme, përmes së cilës synohet përmirësimi i performancës ekonomike, nxitja e inovacioneve për të krijuar sektorë të rinj të biznesit, për t’i bërë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor, si dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës sonë e të brezave që do të vijnë pas nesh.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, foli për ridizajnimin e kornizës  ligjore për financat publike që ka për qëllim që të sigurohet menaxhim më i mirë dhe më i përgjegjshëm i parasë publike.

Po ashtu, kemi në plan që në nivel kombëtar të trajtojmë çështjet problematike, siç janë ato për furnizimin me ujin e pijes, ambientin, por edhe edukimin e hershëm të fëmijëve.

Kryetarët dhe nënkryetarët e komunave gjatë diskutimit folën për problemet në komunat e tyre dhe nevojën për bashkërendim më të intensifikuar me ministritë e linjës.

Si probleme kryesore që kërkojnë zgjidhje me prioritet për të rritur investimet brenda vendit dhe ato të huaja, ata theksuan përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes dhe për ujitje të tokave bujqësore, nevojën për trajtimin e ujërave të zeza dhe të përpunimit të mbeturinave, mungesën e inspektorëve komunalë e të tjera.

Kryeministri Kurti u kërkoi udhëheqësve komunalë që të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin dhe të bashkërendohen më shumë me mërgimtarët nga komunat e tyre për rritjen e investimeve në vendlindje.

Takimi punues me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës është organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi. Në sesionin e parë të takimit u diskutua për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, me theks te zbatimi i të drejtave të komuniteteve pakicë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2022

 - Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë mban konferencën e Akademikëve të Diasporës. (Parku Shkencor Inovativ i UBT-së në Lipjan, ora 9:00)

- Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë mban konferencë për media. (Pallati i Drejtësisë, objekti A, ora 11:30)

- Grupi Parlmentar i Lëvizjes Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Holli i Kuvendit. ora 14:00)

- Fondacioni Lumbardhi hap ekspozitën " Çka nëse historia do të na përkiste neve?" të kuruar nga Kumjana Novakova. (Shtëpia e Shani Efendiut në Prizren, ora 20:00)

- Dokufest dhe Lumbardhi organizojnë koncertin e Hercules & Love Affair. (Kino Bahçe!, ora 20:00)