19 Prill 2024

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit të prodhojë rezultate

Prishtinë, 6 janar - Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Republikën e Kosovës ka ardhur në një pikë kritike. Në situatën në të cilën jemi nuk ka hapësirë edhe për korrupsionin e krimin e organizuar krahas retorikës për sundim të ligjit.

Duke qenë në këtë situatë, qytetarët e Republikës së Kosovës janë shikues të veprimeve që po e rrënojnë vlerat demokratike të shoqërisë sonë dhe të ardhmen evropiane të vendit.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv në Lëvizjen FOL tha se organet e rendit vendëse e ndërkombëtare duhet t`i japin fund praktikës së reagimit retorik ndaj veprimeve kriminale e korrupsionit.

Sipas tij, lufta kundër krimit dhe korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, por edhe detyrim i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX-it.

“Përderisa gjatë vitit 2010 ka pasur progres në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ky progres ka qenë i kufizuar, minimal dhe në asnjë mënyrë në përputhje me atë që vendi ka nevojë të shoh në këtë aspekt. Emërimi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, nxirrja e ligjit për Gjykatat pastaj krijimin i Task Forcës Antik-korrupsion, ne i vlerësojmë si lajmet e mira të vitit 2010. Mirëpo, përderisa në aspektin institucional është bërë diçka, raporti i progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian ka konstatuar përsëri se vendi ka probleme serioze me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Ilazi.

Sipas tij, sistemi gjyqësor në Kosovë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe si pjesë kryesore në kuadër të sundimit të ligjit, gjendja e gjyqësorit është treguesi më i mirë i progresit të EULEX-it në kuadër të komponentës së sundimit të ligjit. “Përderisa pjesa më e madhe e stafit të Misionit EULEX është koncentruar në sektorin e Policisë, këta të fundit deklarojnë se nuk kanë policë për veriun e Kosovës e, në anën tjetër, vlerësimi për Policinë e Kosovës është shumë i lartë nga vetë EULEX-i! Prandaj, kërkojmë nga ky mision që të përqendrohet në sektorin e drejtësisë më shumë”, tha ai.

Ndërkaq Armend Mazreku, analist i politikave në Lëvizjen FOL tha se në disa raste EULEX-i, në vend që t’i arrestojë, burgosë dhe dënojë personat e përfshirë në aktivitete kriminele dhe të korrupsionit, ky mision është treguar i “mëshirshëm” në lirimin e tyre, me arsyetimin “mungesë provash”. Në këto raste, sipas Mazrekut, gjyqtarët kosovarë dhe ata të EULEX-it do të mund t’i dënonin këto grupe së paku për ndërtime ilegale ose armë-mbajtje pa-leje.

“Kërkojmë nga EULEX-i që ta arsyetojë prezencën e vetë në Kosovë, duke luftuar kështu korrupsionin dhe aktivitetet kriminale. Mandati i tij nuk është vetëm t’i këshillojë dhe mbikëqyrë institucionet kosovare,  sepse ky mision ka edhe mandat ekzekutiv në veçanti për lëndët që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nëse EULEX-i vazhdon me praktikën e deritashme, ku lufta kundër krimit dhe korrupsionit është vetëm në nivel fjalësh atëherë ky mision është i pakuptimtë”, tha ai.

Mazreku tha se me këtë rast, dëshirojmë të shprehim edhe brengën tonë në lidhje me mos-nënshkrimin e vendimit për shkarkimin e ish-Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës nga ana e Ushtruesit në Detyrë të Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Edhe pse rekomandimi për shkarkimin e tij ishte miratuar nga ana e Bordit të BQK-së dhe aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, u.d. Krasniqi ende nuk e ka nënshkruar shkarkimin e tij. Ne kërkojmë fuqishëm nga ana e Presidentit në detyrë që sa më parë ta nënshkruajë shkarkimin e ish-Guvernatorit, i cili është mbajtur i arrestuar dhe më pas është liruar nën dyshimin se është përfshirë në afera korruptive”.deklaroj ai.

Sipas tij, Lëvizja FOL ka vlerësuar pozitivisht krijimin e Task Forcës Anti-korrupsion dhe besojmë se tani është koha që ky organ që, së bashku me Prokurorinë Speciale të Kosovës, të bëjnë një bilanc të punës së tyre gjatë vitit 2010.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)