20 Prill 2024

Liberalizimi i vizave do t’i ndihmojë integrimit në tregjet ndërkombëtare

Prishtinë, 2 gusht - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Odën Ekonomike të Kosovës.

Kreu i shtetit ka bashkëbiseduar me kryetarin e ri të OEK-ut, Berat Rukiqin, si dhe një grup të afaristëve vendorë, të cilët i ka cilësuar si njerëz të suksesit dhe të punës, që kanë hapur shumë vende të reja të punës dhe që po e rrisin mirëqenien sociale të qytetarëve tanë.

“Gjithmonë ka qenë në përkushtimet e mia, që të ruhet fokusi te kultivimi i partneritetit në mes të institucioneve të Kosovës dhe biznesit kosovar, si kusht i domosdoshëm për sukses të shtetit tonë, për krijimin e kushteve më të mira, më adekuate, më atraktive, për biznes, por edhe për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Shteti ynë ka një stabilitet të institucioneve, një stabilitet të qëndrueshëm, sipas presidentit Thaçi, si dhe ka legjislacion shumë bashkëkohorë që nuk e kanë vendet e tjera të rajonit.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se është një proces që i takon çdo qytetari dhe çdo kategorie të shoqërisë.

“Më herët është nënshkruar një marrëveshje në mes Odës Ekonomike të Republikës së Kosovës dhe Serbisë mbi mundësinë e bashkëpunimit. Do të jetë me rëndësi, që në rast eventual të arritjes së marrëveshjes historike në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë për paqe, normalizim, pajtim, që nënkupton edhe njohje reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësim të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai.

I pari i vendit ka thënë se është e rëndësishme të krijohet një klimë e re për shtetin tonë, që të dërgohet mesazh i qartë se Kosova është vend evropian, që ka rrugëtim të sigurt për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe që nënkupton edhe njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian.

“Kosova të jetë pjesë e tregut evropian, e konkurrencës evropiane, e në veçanti tash kur pritet në muajt e ardhshëm të përmbyllet edhe procesi i liberalizimit të vizave”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se presidenti Thaçi edhe në kapacitetet e tjera institucionale dhe politike ka treguar kujdes të veçantë për bizneset dhe për punën e Odës Ekonomike të Kosovës, prandaj, sipas tij, ky është vetëm një vazhdim i një komunikimi që ka ekzistuar vazhdimisht.

“Një komunikim, i cili tash në kapacitetin tjetër, ku roli i presidentit  në kuptim të zhvillimit ekonomik është më i kufizuar, sigurisht se është një garancë e funksionimit të institucioneve dhe si garancë e funksionimit të institucioneve, normalisht e ka rëndësinë e vet për shkak se një funksionim i mirëfilltë i institucioneve, një funksionim demokratik i institucioneve, është parakusht edhe për zhvillimin ekonomik”, ka thënë Rukiqi.

Ai ka theksuar se liberalizimi i vizave do t’i ndihmojë jashtëzakonisht shumë integrimit të ekonomisë tonë në tregjet ndërkombëtare, sidomos në relacion me vendet e Bashkimit Evropian.

Presidenti Thaçi në fund ka thënë se shteti ynë do të jetë shtet i mundësive dhe do të punohet edhe më tepër për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)