19 Qershor 2019

Lansohet Shoqata e Inovacionit Financiar të Kosovës

Prishtinë, 23 maj - Anëtarët e Shoqatës së Inovacionit Financiar të Kosovës kanë nënshkruar Standardin e Praktikave të Mira duke siguruar masa shtesë për mbrojtjen e konsumatorëve.

Standardi i Praktikave të Mira do të publikohet në faqen zyrtare të anëtarëve të Shoqatës ashtu që çdo përfitues i shërbimeve financiare të ketë mundësi të verifikojë nëse institucioni financiar përkatës i përshtatet praktikave të mira dhe të përgjegjshme të përcaktuara si në Standard. 

Përveç kësaj, është krijuar edhe marka e konformitetit "Kreditor i përgjegjshëm". Kjo do të lejojë identifikimin e institucioneve financiare që janë bashkuar me Shoqatën dhe janë të angazhuar të punojnë në përputhje me parimet e përcaktuara nga Standardi i Praktikës së Mirë.

"Kreditë nga institucionet financiare jo-bankare si shumë produkte të tjera financiare të nxitura nga teknologjia janë të reja për konsumatorët. Meqë vetë industria është në fazën e saj fillestare të zhvillimit, është thelbësore që të bien dakord menjëherë për zbatimin e praktikave të mira e të përgjegjshme të biznesit që do të bënte që të dyja funksionet: të mbrojnë konsumatorin dhe të lejojnë industrinë të zhvillohet. Për më tepër, një tjetër detyrë thelbësore e Shoqatës do të jetë të fillojë punën me ligjvënësin dhe autoritetet mbikëqyrëse në hartimin e një strategjie afat-mesme të zhvillimit të industrisë", theksoi Kreu i Shoqatës së Inovacionit Financiar, Venhar Hana.

Standardi i praktikës së mirë synon të sigurojë një nivel më të lartë mbrojtjeje dhe rregulla të qarta të bashkëpunimit me klientët që kanë marrë një hua apo një shërbim tjetër financiar ose këtë planifikojnë ta bëjnë ndonjëri prej anëtarëve të Shoqatës.

Standardi merre me pyetje të tilla si vlerësimi i aftësisë paguese të klientit, praktika etike të marketingut, procedura e shpejtë dhe e përshtatshme e shqyrtimit të ankesave dhe pagesa e detyrimit. Për të siguruar zbatimin e normave të përcaktuara në Standard, anëtarët e Shoqatës do të ofrojnë trajnime specifike për stafin e tyre.

Drejtuesi i Shoqatës z. Venhar Hana inkurajon kredidhënësit jo-bankarë dhe institucionet tjera financiare jo-bankare që të bashkohen me Shoqatën për të punuar së bashku për një zhvillim të balancuar të industrisë: “Ne e konsiderojmë Shoqatën si një iniciativë vetë-rregullative për zhvillim të qëndrueshëm, implementimin e inovacioneve dhe gjithashtu një nxitje për përmirësimin e transparencës së përgjithshme të industrisë, jo vetëm për IFJB-të, por për të gjithë industrinë financiare duke përfshirë sektorin bankar në Kosovë”.

Misioni i Shoqatës është të promovojë praktika të besueshme, të përgjegjshme sociale dhe të qëndrueshme të huadhënies të cilat vlerësohen pozitivisht nga konsumatorët dhe autoritetet mbikëqyrëse. Në të njëjtën kohë, Shoqata do të punojë për të promovuar mundësitë e ofruara nga zgjidhjet e teknologjisë financiare jo-bankare që përfitojnë individët dhe shoqëria në tërësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 qershor 2019

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala do të merr vendim për angazhimin edhe të katër ekspertëve për nevoja të komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 9:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovës, Per Strand Sjaastad. (Zyra e kryetarit Haziri, ora 10:00)

- Për nder të Ditës së Çlirimit të Istogut mbahet turnir në ping-pong për nxënës të shkollave. (Saradran, ora 10:00)

- Zyra e BE-së në Kosovë në partneritet me Ambasadën e Suedisë është duke organizuar një ngjarje për nisjen e projektit "Fuqizimi i Sistemit Statistikor në Kosovë 2019-2020". (Agjencia e Statistikave e Kosovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Mitrovicës. (Salla e Mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Mbahet seanca plenare e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së gjashtë të rregullt. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor hap zyrtarisht fazën e shqyrtimit publik për hartën zonale. (Ish objektin “Rilindja”, kati përdhese, Amfiteatri i madh, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovës, Per Strand Sjaastad në mënyrë simbolike bëjnë zbulimin e pllakës së emërtimit të rrugës, te parku i qytetit. (Parku i qytetit në Gjilan, ora 10:30)

- Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës organizon ceremoninë solemne të inaugurimit të Nënstacionit 110/10(20)kV Ilirida - Mitrovica 2, e cila do të mbahet në prani të personaliteteve të shumta si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. (Objekti i ri në Mitrovicë, ora 11:00)

- Ministri Kujtim Gashi, do të bëjë përurimin e Stadiumit të Komunës së Kamenicës dhe do të nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi për sport dhe rini. (Kamenicë, ora 11:00)

- Komuna e Vitisë dhe Fshati Sllatin e Epërme organizojnë promovimin e librit 'Sllatina e Epërme e Anamoravës - Monografi' e autorëve Fahrush Rexhepi dhe Jusuf Osmani. (Shtëpia e Kulturës në Viti, ora 11:00)

- Zyra e BE-së në Kosovë do të lansojë Fushatën e Administratës së BE-së për Siguri dhe Shëndet në Vend të Punës "Vendet të shëndetshme të punës - Menaxhimi i substancave të rrezikshme 2019”. (Shtëpia e Evropës, ora 11:00)

- Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Gjilanit, Sami Spahiu mban konferencë për media për 5 mujorin e punës dhe planifikimin për tre-mujorin e ardhshëm. (Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, ora 11:00)

- Me rastin e 8 vjetorit të vdekjes, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, bëjnë homazhe te varri i nënkryetares së LDK-së, veprimtares së dalluar të çështjes kombëtare, Nekibe Kelmendi. (Varri i Nekibe Kelmendit, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në përurimin e trafostacionit të ri, në lagjen Fidanishte të Mitrovicës, investim i KOSTT dhe BERZH. (Lagjja Fidanishte, Mitrovicë afër Universitetit Publik “Isa Boletini”, ora 11:30)

- Përfaqësuesit e Brigadës së zjarrfikësve të Saône et Loire, në Francë, bëjnë dorëzimin zyrtar të një automjeti kundër zjarrit dhe 300 veshmbathjeve për zjarrfikësit e Rahovecit. (Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në Hajvali, ora 12:00)

- Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal diskuton lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave, barriera jo tarifore për importin e veturave të reja që kanë origjinën nga BE, e ftuar Ambasadorja e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 15:30)

- Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, zyra e UN Women në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës organizojnë në shfaqjen e dokumentarit "Prokurorët", pasuar nga një diskutim me regjisoren e dokumentarit dhe njehkohësisht fituesen e çmimit Emmy, znj. Leslie Thomas. (Kino Armata, ora 17:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kino Armatën për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës organizon Javën e Filmit me shfaqjen e filmave "Gardhi" nga Lendita Zeqiri dhe "me dasht‘ me dasht‘ me dasht‘" nga Ilir Hasanaj. (Kino Armata, ora 20:00)

- Mbahet koncerti Recital për flaut- Erëmira Çitaku dhe harpë - Çağatay Akyol, të udhëhequr nga Dafina Zeqiri-Nushi në bashkëpunim me Festivalin “Tingujt e Flautit”. (Bibloteka Kombëtare e Kosovës, ora 20:30)