21 Shtator 2019

Kuvendi voton sot Projektligjin për marrëveshjen financiare për IPA

Prishtinë, 22 gusht - Para se deputetët e Kuvendit te Republikës së Kosovës të vendosin për shpërndarjen e Kuvendit, pritet ta votojnë Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kostoja totale e vlerësuar e programit IPA 2018 është 94,796,800 euro. Kontributi i BE-së është 90,500,000 euro ndërsa institucionet e Kosovës do të sigurojnë bashkëfinancim prej 4,926,800 euro.

Marrëveshja ka paraparë financimin e reformave në avancimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, mjedisit, energjisë, arsimit, dhe punësimit.

Në fushën e demokracisë dhe qeverisjes së mirë do të financohet bursa “Skema e Profesionistëve të Rinj” apo Young Cell Scheme (YCS). Më anë të bursës, të rinjtë e Kosovës do të kanë mundësi të vijojnë studimet MASTER në universitetet Evropiane.

Po ashtu, do të financohet mbështetja për ngritje të kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës, si dhe do të sigurohet pagesa për pjesëmarrjen e Kosovës në katër (4) Programet e BE-së.

Në fushën e sundimit të ligjit do të mbështet përafrimi i kornizës ligjore dhe institucionale me standarde të BE-së, si dhe fuqizimi i pavarësisë, profesionalizmit, llogaridhënies dhe efiçiences së sistemit të drejtësisë.

 Po ashtu, do të përkrahet lufta kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Në fushën e të drejtave themelore, do të përkrahet fuqizimi ekonomik i komuniteteve minoritare në Kosovë.

Në fushën e mjedisit dhe energjisë do të ofrohen 40 milion për adresimin e ndotjes së ajrit duke zëvendësuar elementet mjedisore të Kosovës B të cilat do të sigurojnë zvogëlimin e emetimeve të pluhurit dhe NOx-it.

Po ashtu, 4.9 milion Euro do të ofrohen për deponinë sanitare në Pejë, si dhe zhvillimin e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbeturinave në gjithë Kosovën.

Në fushën e arsimit, 13 milion Euro do të ofrohen për përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë, me theks në avancimin e qasjes së grupeve të cenueshme në sistemin arsimor, përmirësimin e rangimit të Kosovës në PISA, si dhe ndërlidhjen e sistemit arsimor me tregun e punës.

Në fushën e punësimit, 3 milion Euro do të ofrohen për financimin e ngritjes së konkurrueshmerisë së Kosovës dhe mbështetjen e NVM-ve.

Me 3.7 milion Euro do të financohet dizajni i Sallës së Koncerteve, do përmirësohet qasja e personave me aftësi të kufizuara në institucionet publike, si dhe do të avancohet komunikimi i asistencës së BE-së në Kosovë.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 shtator 2019 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti merr pjesë në manifestimin tradicional Kulturor e Shkencor "Ditet e Dom Mikelit", Stubëll të Epërme të Vitisë. (Subëll e Epërme, ora 9:00)

- Fillon Dita e Pastrimit të Botës në Kosovë ku do të marrin pjesë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Forca e Sigurisë së Kosovës, Kompania “Pastrimi”, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, figura të rëndësishme diplomatike, studentë e vullnetarë të shumtë. (Stadiumi “Fadil Vokrri”’ në Prishtinë, ora 10:00)

- Me rastin e përvjetorit të Ahmet Krasniqit, kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani bën homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi. (Velani, ora 10:00)

- Vazhdon kampionati ekipor në pingpong. (Shkolla Tefik Qanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti: “Krimet e Rënda në Kosovë, ligji VS praktika: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve në rastet e trajtuara në Departamentet e Krimeve të Rënda të Gjykatave Themelore në Republikën e Kosovës, analizë e veçantë e trajtimit të rasteve të veprave penale të terrorizmit”. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë" organizon aksion pastrimi përreth liqenit “Batllava” në Orllan. (Orllan, ora 11:00)

- Aksionet e pastrimit mbahet në komunën e Podujevës. (Podujevë, ora 11:00)

- Mbahet një aksion me moton “Dita e pastrimit të Botës 2019” në Mitrovicë. (Para objektit të komunës së Mitrovicës, ora 11:00)

- OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë" organizon aksion pastrimi përreth liqenit “Batllava” në Orllan. (Orllan, ora 11:15)

- Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani shpalosë programin e LDK-së për zhvillimin ekonomik, në Konventën për zhvillim dhe punësim. (Hotel Emerald, ora 12:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti zhvillon një vizitë në Gjilan. (Gjilan, ora 12:00)

- Aksionet e pastrimit mbahet në Komunën e Prizrenit. (Prizren, ora 14:00)

- Promovohet libri monografik “Nexhmije Pagarusha” i cili është një rrëfim origjinal dhe personal i një udhëtimi të mrekullueshëm nëpër jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme, bilbilit të këngës shqipe në Kosovë, znj. Nexhmije Pagarusha. (Hotel Swiss Diamond, ora 19:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim në Petrovë të Shtimës. (Fshati Petrovë, ora 19:00)

 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim në Hajvali të Prishtinës. (Restaurant "Ora", Hajvali, ora 21:00)