18 Prill 2024

Kryesia përkrah ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik

Prishtinë, 19 shkurt - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme bashkë me shefat e grupeve parlamentare, drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka vendosur që seanca plenare e Kuvendit të mbahet më 25 shkurt, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë mbështetje mociont të deputetit Riza Smaka për amendamentimin e Ligjit për Prokurimin Publik, por jo edhe mocionit tjetër të tij për amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke vlerësuar se propozimi për ndryshimin Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, është kompetencë e kryetarit të Kosovës, pas konsultimeve të tij me partitë politike.

Pas pikës së zakonshme të seancave të rregullta, pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projekt- kodin e drejtësisë për të mitur, kurse për herë të dytë do të shqyrtojnë: Projektligjin për organizmat e modifikuar gjenetikisht, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pyjet e Kosovës, Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, si dhe Projektligjin për financimin e programeve të veçanta të banimit.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Propozimprogrami i punës së Kuvendit për vitin 2010, Propozimplani i veprimit i Kuvendit për integrimet evropiane për vitin 2010, si dhe Propozimvendimi i Qeverisë së Kosovës për lejimin e pagesës për furnizim me vaksina.

Çështja e debatit lidhur me zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe për praninë e strukturave të pushtetit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovë, kërkesë kjo e Grupit Parlamentar të LDD-së, ka mbetur që, përfundimisht, të shqyrtohet edhe ditën e hënë dhe të martë të javës së ardhshme, para se çështja të radhitet për një seancë të veçantë të Kuvendit të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit janë shqyrtuar edhe një varg mocionesh, rekomandimesh dhe kërkesash, si: të Qeverisë, të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve të veçantë.

Pasi e ka shqyrtuar Propozimvendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur të Autoritetit Rregullativ për Hekurudhat, Kryesia ia ka bartur atë Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telkomunikacion, që ta shqyrtojë çështjen dhe për Kryesinë e Kuvendit të përgatisë raportin me rekomandime. Është shqyrtuar, ndërkaq, edhe propozimi tjetër i Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave.

Kryesia ka shqyrtuar edhe Rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media për formimin e Komisionit Ad-Hoc, për emërimin e dy anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media, si dhe kërkesën e Komisionit të Pavarur për Media për emërimin e një anëtari (të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës) në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)