09 Shkurt 2023

Kryeministri Kurti prezantoi buxhetin e vitit 2023 para qytetarëve të Prishtinës

Prishtinë, 24 nëntor - Buxheti për vitin 2023, ishte tema e takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me qytetarët e Komunës së Prishtinës.

Së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kryeministri Kurti prezantoi para qytetarëve disa nga projektet dhe nismat për vitin e ardhshëm, që kanë për qëllim rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin.

Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm është më i larti në historinë e Republikës sonë, dhe do të jetë në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Buxheti që i dedikohet qeverisjes lokale dhe komunave planifikohet të rritet për rreth 100 milionë €, nga 560 që ishte në vitin 2022 në 660 milionë € për vitin 2023. Për Komunën e Prishtinës, buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 109 milionë €.

Kryeministri veçoi disa nga projektet më me interes për qytetarët e kësaj komune që parashihen me buxhetin për vitin e ardhshëm në arsim, shëndetësi, siguri, kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore.

Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 ka filluar nga dita e martë, në Komunën e Prizrenit, duke vazhduar dje në Mitrovicë, e do të prezantohet edhe në komuna të tjera, ku qytetarët do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë me Kryeministrin dhe ministrat, dhe të japin mendimet e tyre lidhur me buxhetin e vitit 2023.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)