19 Prill 2024

Kriza ekonomike globale me përmasa që nuk janë parë në dekada

Washington, 17 prill - Të gjitha shenjat tregojnë për një krizë ekonomike globale me përmasa që nuk janë parë në dekada për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se ekonomia globale do të tkurret me 3 përqind në vitin 2020, një ngadalësim 30 herë më i keq se ai që përjetoi bota në vitin 2009, kur kriza globale financiare bëri që rritja të tkurret me 0,1 përqind.

Parashikimi i ri ndryshon thellë nga parashikimet e FMN-së vetëm tre muaj më parë, kur organizata parashikoi një rritje ekonomike globale prej 3.3 përqind. Ajo vjen gjithashtu pasi Shtetet e Bashkuara po bëjnë një përpjekje modeste për të mbështetur ekonomitë e vendeve të tjera me kontribut të shtuar në organizatat ndërkombëtare financiare, siç janë FMN dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Duke njoftuar një rishikim të perspektivës ekonomike botërore të agjencisë së saj, ekonomistja e lartë e FMN-së Gita Gopinath tha se kriza e tanishme do të jetë "recesioni më i thellë që nga Depresioni i Madh" i viteve 1930.

Implikimet për vendet që zakonisht mbështeten tek ndihma e huaj janë veçanërisht të rënda, tha FMN.

"Ekonomitë me rritje të shpejtë po përballen me stuhinë perfekte," tha fondi në raportin e tij Stabiliteti Financiar Global.

Edhe pse ekonomitë e tyre janë të gjymtuara nga mbyllja globale, vendet e tregëtisë në zhvillim kanë parë ndërsa investitorët globale kanë zhvendosur shuma të pashembullta të parave larg tyre në përpjekje për të gjetur një vend të sigurtë.

Si rezultat, vendet që tashmë po përpiqen të shlyejnë borxhin do të përballen me mospërmbushje të mundshme të pagesave nëse huadhënësit ndërkombëtarë nuk ndërmarrin hapa për të ristrukturuar kreditë e tyre.

Gopinath tha se një përgjigje masive, e koordinuar globale do të jetë e nevojshme për të ndihmuar ekonominë botërore të rimëkëmbet.

Si pjesë e përgjigjes së tij, Kongresi amerikan kohët e fundit autorizoi qindra miliona dollarë ndihma të huaja të drejtpërdrejta shtesë për vendet që luftojnë për të përballuar sëmundjen, dhe ka dhënë disa miliardë dollarë për institucionet ndërkombëtare të zhvillimit ekonomik.

Por ekspertët thonë se pas vitesh të investimeve të pakta në masat e sigurisë të shëndetit global, angazhimi aktual i SH.B.A.-së nuk është më shumë se një "pagesë e vogël" në përpjekjet që do të nevojiten për të adresuar krizën aktuale dhe për të zbutur efektet e pandemive të ardhshme .

"Ky është një fillim, por ne do të kemi nevojë për një udhëheqje të vërtetë të rëndësishme politike" nga Shtetet e Bashkuara, thotë Erin Collinson, drejtore e politikës për Qendrën e Zhvillimit Global. "Unë sigurisht shpresoj të shoh një përpjekje më të madhe në frontin ndërkombëtar nga Sh.B.A duke ecur përpara," shtoi ajo.

InterAction, një aleancë e organizatave joqeveritare globale, bëri një deklaratë kur u miratua legjislacioni masiv për stimulimin ekonomik duke kërkuar që SH.B.A. të marrë drejtimin në një përgjigje globale.

"Udhëheqja amerikane ka dëshmuar shumë herë thelbësore gjatë gjithë historisë moderne, dhe udhëheqja amerikane është e nevojshme tani për të luftuar këtë pandemi", tha InterAction.

Vala e Parë

Shuma e ndihmës së alokuar nga qeveria amerikane kanë ardhur në dy valë. Në mes të marsit, ligjvënësit miratuan legjislacionin e tyre të parë duke iu përgjigjur shpërthimit të COVID-19, një paketë prej 8.3 miliardë dollarësh që përfshinte një alokim prej 985 milion dollarësh për USAID-in. Financimi kishte për qëllim të mbështeste përpjekjet globale të USAID-it për Shëndetin dhe Ndërhyrjet Ndërkombëtare për ndihmë nga katastrofat, me 250 milion dollarë të caktuar posaçërisht për fondin e tij të ndihmës ekonomike.

USAID, i cili mbikëqyr programet e shumta të ndihmës së huaj amerikane në të gjithë botën, kishte zyra në më shumë se 100 vende në fund të vitit fiskal 2019. Marrësit më të mëdhenj të ndihmës së huaj amerikane janë, sipas rradhës, Iraku, Afganistani, Izraeli, Egjipti dhe Jordania. Por dhjetëra dhe madje qindra miliona dollarë ndahen për vendet në të gjithë globin çdo vit, nga Kina në Amerikën Qendrore.

Vala e dytë e financimit të ndihmës së huaj erdhi përmes Aktit për Ndihmën ndaj Koronavirusit dhe Sigurisë Ekonomike (CARES Act), një ndihmë shumë më e madhe që cakton 2.2 trilion dollarë për të luftuar sëmundjen. Shumica e këtij fondi u drejtua në përpjekjet e ndihmës në vend.

Sidoqoftë, Akti CARES përmban një shtesë prej 703 milion dollarësh ndihma të drejtpërdrejta të huaja, e përbërë nga 350 milion dollarë për programin e Departamentit të Shtetit për Migracionin dhe Ndihmën e Refugjatëve, 259 milion dollarë për fondin e USAID-it për Ndihmën e Fatkeqësisë, dhe 95 milion dollarë shtesë për shpenzimet operative të agjencisë.

Përveç ndihmës së drejtpërdrejtë për vendet e tjera, legjislacioni siguron 88 milion dollarë fonde shtesë për Korpusin e Paqës dhe udhëzob Departamentin e Thesarit të rrisë investimet amerikane në një numër organizatash ndërqeveritare.

Ligji parashikon më shumë se 3 miliard dollarë fonde shtesë për Shoqatën Ndërkombëtare të Zhvillimit të Bankës Botërore, si dhe fonde për Korporatën Ndërkombëtare të Financave të Bankës Botërore. Një shtesë prej 7,3 miliardë dollarësh jepet për të rritur kapitalin e Bankës Afrikane të Zhvillimit.

Banka Botërore ka punuar për vite me radhë me vendet në zhvillim në mbarë botën për të modernizuar ekonomitë e tyre dhe për të përmbushur qëllime specifike zhvillimi, përfshirë zhdukjen e urisë dhe sëmundjeve, arsimin universal, të drejtat e grave dhe më shumë. Grupi i Bankës Botërore siguron fonde në formën e huave dhe granteve, si dhe shërbime këshillimore, që veprojnë në dhjetëra vende në disa prej rajoneve më të sfiduara ekonomikisht të globit, përfshirë Afrikën nën-Sahariane dhe Azinë Juglindore.

Akti CARES udhëzon gjithashtu Departamentin e Thesarit të rrisë angazhimin ndaj FMN-së me 28.2 miliardë dollarë. Sidoqoftë, kjo shumë është shumë larg nga ato që qeveritë e tjera thonë se FMN-ja ka nevojë për t'ju përgjigjur krizës.

Me 189 vendet e saj anëtare, FMN është krijuar për të nxitur bashkëpunimin ekonomik përtej kufijve dhe për të ofruar ndihma ekonomike dhe shërbime këshilluese për vendet që kanë probleme ekonomike.

Këtë javë, agjensia njoftoi një program urgjent për lehtësimin e borxhit për vendet që kanë nevojë për ndihmë ekonomike për të adresuar pandeminë COVID-19. Midis 25 vendeve që morën ndihmë ishin kombe të mëdha afrikane, përfshi Republikën Demokratike të Kongos, Madagaskarin dhe Mozambikun, dhe shumë vende të tjera, si Nepali, Jemeni dhe Taxhikistani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)