29 Mars 2024

Kosova zotohet të implementojë reforma në shëndetësi, ekonomi dhe shoqëri

Prishtinë, 20 maj - Programi i Reformave Ekonomike (PRE) 2020-2022 u diskutua nga përfaqësuesit e Shteteve Anëtare të BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe nga përfaqësuesit e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në takimin e tyre vjetor të dialogut për politika ekonomike që u mbajt të marten në Bruksel.

Pika kryesore e takimit ishte diskutimi i sfidave të jashtëzakonshme në aspektin e shëndetit publik, aspektin ekonomik dhe atë shoqëror në Ballkanin Perëndimor, Turqi dhe në Shtetet Anëtare të BE-së, që lindën me shpërthimin e pandemisë së Covid-19.

Palët ranë dakord që dialogu i këtij viti për politikat ekonomike të përqendrohet në masat që ofrojnë përgjigje të menjëhershme të politikës fiskale, ekonomike dhe shoqërore për të zbutur ndikimin e pandemisë, si dhe për kalimin në masa më strukturore për të nxitur rimëkëmbjen afatmesme.

Sa i përket situatës ekonomike të Kosovës në vitin 2019, rritja ekonomike mbeti relativisht e fuqishme gjatë vitit 2019, e udhëhequr nga konsumi dhe investimet private. Në të njëjtën kohë, sfidë mbeten pengesat kryesore strukturore ndaj rritjes dhe konkurrencës.

Takimi i këtij viti shqyrtoi Programin e Reformave Ekonomike të Kosovës, duke u përqendruar në reformat strukturore efektive dhe të koordinuara mirë që do të kontribuojnë në zbutjen e ndikimit të pandemisë dhe në përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike pas krizës.

Në veçanti për sfidat e paraqitura nga Covid-19, Kosova do të duhej të forcojë sektorin e shëndetit publik, të ruajë punësimin dhe të përmirësojë mbrojtjen sociale, të begatojë mjedisin afarist dhe të ofrojë mbështetje për sektorin privat.

Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, nënvizoi se duke marrë pjesë në projektin e PRE-së, Kosova dhe Ballkani Perëndimor pasqyrojnë procesin e Semestrit Evropian.

“Implementimi i masave të reformës të përshkruara në PRE-në e këtij viti do të përqendrohet dhe do të kontribuojë në kapacitetin e Kosovës për të menaxhuar dhe zbutur ndikimin e paparë në aspektin e shëndetit publik, aspektin shoqëror dhe ekonomik të krijuar gjatë krizës së pandemisë së Covid-19."

"Në solidaritet të fortë, BE-ja i ka dhënë Kosovës mbështetje mjekësore për të luftuar krizën e pandemisë, dhe mbështetje financiare për të adresuar ndikimin shoqëror-ekonomik. Implementimi i reformave strukturore jo vetëm që do ta afrojë Kosovën edhe më pranë BE-së, por më e rëndësishmja është se ato do të sjellin përfitime të prekshme për cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës”.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, dhe Koordinator i Programit të Reformës Ekonomike, Besnik Bislimi, përshëndeti aprovimin e Konkluzioneve të Përbashkëta për Dialogun Ekonomik dhe Financiar dhe tha se Qeveria e Kosovës miratoi paketën fiskale emergjente, e cila mbështet komunitetin e biznesit, punonjësit dhe përfituesit e ndihmës sociale.

"Orientimi i politikave pasqyron nevojën për të trajtuar masa të rëndësishme në kornizën makro-financiare, sektorin financiar dhe reformat strukturore, siç është ai i bërë përmes paketës fiskale që rezulton në 14.223 punëtorë të regjistruar në sektorin formal."

"Prandaj, përpjekjet e Qeverisë për paketën e rimëkëmbjes ekonomike do të përfshijnë mbështetje për sektorin privat dhe punonjësit e prekur nga kriza, dhe reformat strukturore në sektorë të veçantë për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë së përgjithshme. Qeveria është mirënjohëse për përkrahjen e dhënë nga partnerë të ndryshëm të zhvillimit, përfshirë BE-në për mbështetjen financiare dhe dialogun e politikave", ka theksuar Bislimi.

Programi i Reformave Ekonomike është dialog lidhur me qeverisjen ekonomike midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. PRE ka për qëllim ta përgatisë rajonin për pjesëmarrje në të ardhmen në sistemin e koordinimit të politikave ekonomike të BE-së, që njihet si Semestri Evropian.

Këtë vit, u dakorduan gjashtë masa specifike të reformës për realizim me shënjestrim:

Krijimi i hapësirës fiskale dhe ndërmarrja e masave me shënjestrim të mirë për të adresuar pasojat shoqërore-ekonomike të krizës, duke përfshirë frenimin e shpenzimeve për pagat publike dhe pensionet e veteranëve të luftës përmes progresit në procesin e riklasifikimit të përfituesve. Përforcimi i qëndrueshmërinë afatmesme të financave publike, përmirësimi i arkëtimit të të hyrave tatimore duke zvogëluar informalitetin.

Mbështetja e rimëkëmbjes ekonomike, përmirësimi i ekzekutimit të shpenzimeve kapitale duke forcuar kapacitetet institucionale në nivelet e qeverisjes qendrore dhe lokale për planifikimin shumëvjeçar të investimeve dhe menaxhimin e projekteve të investimeve. Përmirësimi i mbikëqyrjes dhe llogaridhënies financiare të ndërmarrjeve publike. Përgatitja e dokumentit të opsioneve për themelimin e një organi të pavarur për mbikëqyrjen fiskale, për konsultime të mëtutjeshme me palët e interesuara, përfshirë BE-në.

Monitorimi nga afër i sfidave të stabilitetit financiar si rezultat i pandemisë së Covid-19 dhe ndërmarrja e veprimeve të duhura sipas nevojës, ndërsa zhvillohet një kornizë më e integruar për matjen e borxhit në nivel të ekonomive familjare. Ndërmarrja e analizës së thelluar të kërkesave për personel dhe për kompetenca në fushat kryesore të politikave të bankës qendrore, veçanërisht në stabilitetin financiar. Vazhdimi me anketën e pritjeve të inflacionit dhe publikimi i serisë kohore pasi të bëhen të disponueshme më shumë pika të të dhënave.

Me qëllim zbutjen e pasojave ekonomike të pandemisë së Covid-19 dhe stimulimin e rimëkëmbjes ekonomike, themelimi i një mekanizmi efektiv dhe transparent për të mbështetur sektorin privat dhe punonjësit e prekur nga kriza, në veçanti ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme si dhe të vetëpunësuarit.

Zgjeroni i mbulimit me mbrojtje sociale dhe ofrimi i stimujve për bizneset dhe punonjësit në sektorin e ekonomisë informale për t’u regjistruar dhe për të lehtësuar transferimin e tyre në ekonominë formale. Për të siguruar rimëkëmbje të shpejtë, implementimi i mëtejmë i masave përkatëse për mjedisin afarist, në veçanti thjeshtimi, bashkimi dhe shfuqizimi i licencave dhe lejeve. 

Forcimi i sektorit shëndetësor në mënyrë që të ofrojë shërbime të kujdesit primar që janë adekuate dhe të arritshme për të gjithë qytetarët. Në planin afatshkurtër, sigurimi i rritjes së mbulimit me përfitime të papunësisë dhe përfitime sociale të bazuara në nevoja për grupet më të prekura nga kriza e Covid-19.

Në planin afatmesëm, rishikimi i skemave të asistencës sociale, në veçanti pensionet e bazuara në kategori, për të siguruar që ato kanë në shënjestër grupet që kanë më shumë nevojë dhe që përqendrohen në uljen e varfërisë.

Me qëllim minimizimin e ndikimit të Covid-19, marrja e masave për ruajtjen e punësimit, duke përfshirë skemat e punës afatshkurtër dhe lartësimin e kapaciteteve të Agjencisë së Punësimit për të siguruar ofrim të shtuar të masave aktive të tregut të punës. Me qëllim të rritjes së integrimit të të rinjve në tregun e punës, kryerja e studimit të fizibilitetit për një skemë të Garancisë për të Rinjtë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)