19 Prill 2024

Kosova sot ka nevojë për mbështetje ekonomik

Prishtinë, 15 qershor - Në  takimin e përbashkët që kanë pasur sot në Prishtinë  grupet e miqësisë ndërmjet Francës dhe Kosovës, të krijuar në parlamentet e dy vendeve mike, anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Sabri Hamiti, i cili është edhe kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Francë, e ka falënderuar shtetin dhe popullin e Francës për gjithë ndihmën dhënë popullit të Kosovës gjatë dy dhjetëvjetëshave të fundit.

Ai ka falënderuar sidomos Asamblenë Nacionale të Francë për mbështetjen e Kuvendit të Kosovës dhe për krijimin e Grupit të Miqësisë me Kosovën. Ai është shprehur i bindur se Franca mund ta ndihmojë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe të njohjes së vendit tonë, sidomos të ndikojë tek Spanja dhe Rumania që ta bëjnë këtë.

Duke vlerësuar prerë se Kosova është vend me civilizim euro-perëndimor dhe me synime të qarta demokratike, Hamiti ka vlerësuar se Kosova sot ka nevojë edhe për mbështetje ekonomike, si dhe për mbështetje politike, sidomos për sa i përket anëtarësimit, qoftë edhe si vëzhgues, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kryesuesi i Grupit parlamentar të miqësisë Francë – Kosovë, Christian Menard, është shprehur i impresionuar me të arriturat e Kosovës, duke pohuar qartë se shteti francez është i përkushtuar ta mbështesë Kosovën në shumë plane. Ai me këtë rast ka përkujtuar qëndrimin e shprehur qartë të Presidentit, të Kryeministrit dhe të Ministrit të Jashtëm francez se Franca është kundër çfarëdo bisedimi për statusin e Kosovës apo për ndarjen e saj.

Ai është shprehur se Serbia, nëse synon integrimin evropian, doemos duhet të bashkëpunojë dhe ta njohë shtetin e Kosovës. Menard ka parë shumë mundësi bashkëpunimi me Kosovën , si në lëmin e bujqësisë, të komunikacionit ajror, të arkeologjisë etj., e sidomos të këmbimeve të ekspertëve e të studentëve, duke shfaqur interes për mësimin më të dendur të gjuhës frënge nga të rinjtë e Kosovës. “ Ju keni luftuar për çlirimin e Kosovës, prandaj besoj se e keni vullnetin dhe përkushtimin edhe për ta zhvilluar Kosovën “ ka thënë parlamentari francez.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë në takim nga ana e kosovarëve, Hydajet Hyseni, Slobaodan Petroviq, Xhezair Murat, Bajram Kosumi, Mark Krasniqi dhe Ramadan Avdiu, kanë shprehur përkushtimin t tyre për thellimin e raporteve demokratike në Kosovë, për miqësi dhe bashkëpunim me vendet e demokracive perëndimore dhe për anëtarësim të vendit në BE dhe NATO, duke u shprehur të bindur se grupet e tilla të miqësisë në parlamentet e këtyre vendeve vetëm sa do ta forcojnë dhe thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë me popullin e Kosovës.

Pjesëtarët e të dy grupeve të miqësisë së ndërsjellë, ndërkaq, kanë shprehur besimin e fuqishëm se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen njëherësh në BE dhe se lufta dhe dhuna nuk do të kenë më vend në këtë pjesë të Evropës.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)