18 Nëntor 2019

Kosova po e shfrytëzon një instrument borxhi nga Banka Botërore

Prishtinë, 27 maj - Në Ministrinë e Financave sot është mbajtur Tryezë prezantimi dhe diskutimi për Instrumentin për Zhvillimin e Politikave (DPO) me Bankën Botërore, e kryesuar nga Ministri i Financave Bedri Hamza dhe Drejtori i Bankës Botërore në Kosovë Marco Mantovanelli.

Me këtë rast Ministri Hamza bëri të ditur se kjo tryezë e bashkëorganizuar me Bankën Botërore, është e para në këtë format me temën për instrumentin e dizajnuar të Bankës Botërore i ashtuquajtur si DPO apo Instrument për Zhvillimin e Politikave.

Sipas Ministrit Hamza “Ministria e Financave në vazhdën e bashkëpunimit të saj me Bankën Botërore, në harmoni me Kornizën e Partneritetit për Kosovën të dakorduar nga Banka Botërore me Qeverinë e Republikës së Kosovës, gjatë vitit 2018 jemi dakorduar për dizajnimin e një instrumenti të borxhit i ashtuquajtur si DPO”.

“Deri më tani, në Kosovë kemi pasur dy misione të Bankës Botërore (Nëntor 2018 dhe Janar 2019) të cilët janë takuar me autoritetet tona dhe kanë punuar bashkërisht në identifikimin e reformave dhe kornizave ligjore për t’u bërë pjesë e dizajnimit të instrumentit."

"Reformat janë formalizuar përmes një matrice e cila shpalos në formë të ‘aktiviteteve paraprake’ vendos afate për realizimin e tyre dhe përcakton entitetet përgjegjëse për realizimin e tyre. Për më shumë, përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës në muajin Prill kemi adaptuar matricën në fjalë duke themeluar kështu Sekretariatin për implementimin e matricës” shtoi Ministri Hamza.

Sipas Ministrit Hamza afati për realizimin e Matricës janë deri në Dhjetor të 2019, me ç ‘rast pas kësaj pritet që brenda 3 muajve Bordi i Bankës Botërore ta aprovoj instrumentin dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ratifikoj në mënyrë që fondet të disbursohen në Buxhetin e Kosovës.

Ai gjithashtu theksoi se Kosova po e shfrytëzon një instrument borxhi nga Banka Botërore për herë të parë i cili nga vendet tjera rajonale tashmë është shfrytëzuar.

Ky instrument është i rëndësishëm për Kosovën ngase do hapë rrugën tutje për instrumente tjera më komplekse për qasje në tregjet ndërkombëtare financiare për huamarrje.

Në të njëjtën kohë kushtet e financimit të Bankës Botërore na ndihmojnë në zgjatjen e maturitetit të portfolios tonë të borxhit publik dhe strukturën e kompozimit të tij. 

“Fokusi kryesor i Ministrisë së Financave në këtë instrument nuk është disbursimi i fondeve por avancimi i dizajnimit të reformave të identifikuara në Programin tonë qeverisës. Kosova përmes këtij instrumenti ka përfituar mbështetje teknike nga Banka Botërore e cila tashmë ka filluar mbështetjen e ministrive gjegjëse në dizajnim dhe jo vetëm, të politikave publike, për çka falënderojë Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar në ngritjen e kapaciteteve."

"Në kuadër të matricës, aktivitetet janë të distribuara në dy shtylla kryesore si objektiva tonat zhvillimore në kuadër të agjendës së reformave të qeverisë, e që janë: 1. Stabiliteti makrofiskal, si dhe Rritja e potencialit ekonomik përmes përmirësimit të klimës së të bërit biznes”, shtoi Ministri Hamza.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2019

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media në të cilën do të prezentojë hulumtimin rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës përmes Programit Matra organizon tryezë në të cilën do të publikohet raporti me titull Qasja në Drejtësi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit të Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizojnë ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë. (Menza "Ramiz Sadiku" në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi në kuadër të Koalicionit te OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për media në te cilën do të prezantojë një dokumet me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. (Qendra e Resurseve për OSHC, Forumi për Iniciativa Qytetare në Lagjen Pejton, ora 10:00) 

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të organizojë tryezë me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon prezantimin e studimit per Çështjen e Kompleksit të Trepçës dhe Çështjen e Reparacioneve për Krimet e Luftës të kryera në Kosovë në Kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me PPSE Swisscontact dhe SHB Sharri përuron shtegun turistik të ri Via Ferrata "Panorama". (Gryka e Lumbardhit, 4.5 km nga qendra e qytetit, ora 11:00 - transporti i organizuar nga Komuna e Prizrenit, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Në kuadër të aktivitet kulturor kushtuar "Ditet e Alfabetit", promovohet botimi 'Levizja Protestante te shqiptaret 1818-1908" te autorit prof. dr. David Hosaflook. (Biblioteka Kombetare "Pjeter Bogdani", ora 10:30)

- Muzeu Kombëtar i Kosovës hap ekspozitën “Bienalen e Akuarelit Edicioni i 2-të” e cila sjellë vepra arti të artisëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura. (Muzeu Kombëtar, ora 19:00)

 

- Në kuadër të projektit ' Tell Me More' të perkrahur nga MKRS dhe DKRS dhe të implementuar nga Kuvendi i të Rinjve të Prizrenit do të realizohet shfaqja teatrale në Shtepinë e Kulturës " Xhemajli Berisha ". (Shtëpia e Kulturës në Prizren, ora 20:00)