24 Shkurt 2019

Kosova dhe Turqia rritin bashkëpunimin në sektorin bankar

Bali, 11 tetor - Gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahet në Bali të Indonezisë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit.

Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është thellimi i marrëdhënieve dhe forcimi i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në fushën e biznesit bankar qendror, duke ndërmarrë iniciativa për rritjen e dialogut të biznesit në nivel ekspertësh dhe shkëmbimin e njohurive, dhe ekspertizës.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka shprehur kënaqësinë për rritjen e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë me anë të këtij memorandumi, që gjithashtu do të mundësonte shkëmbimin e informacioneve dhe pikëpamjeve mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në ekonomitë e të dyja vendeve, si dhe çështjet e bankingut qendror.

Me nënshkrimin e këtij Memorandum Mirëkuptimi, palët bien dakord për të forcuar shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës përmes vizitave nga zyrtarët në nivel pune.

Shkëmbimet mund të bëhen në formën e këshillave teknike, lëvizjeve të përkohshme të punonjësve, trajnimeve, seminareve, punëtorive, vizitave të ekspertëve, vizitave kërkimore ose aktiviteteve kërkimore në fusha të rëna dakord reciprokisht.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 shkurt 2019 - Mbahet kampionati ekipor në pingpong Liga e Parë e Meshkujve. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Komuna e Deçanit në bashkëpunim më OVL të UÇK-së, organizojnë mbledhje komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-luftëtarit Halim Tolaj. (Salla e Asamblesë Komunale në Deçan, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media për çështjen e Lumbardhit në të cilën flasin nënkryetarja Fatmire Kollçaku dhe anëtari i Kryesisë në Pejë Taulant Kelmendi. (Takimi me gazetarë bëhet tek hotel "Dukagjini", ora 12:00)

 - Mbahet ceremonia e varrimit të ish-luftëtarit Halim Tolaj. (Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në fshatin Prejlep, ora 13:00)