22 Tetor 2019

Kosova dhe KE diskutojnë ekonominë, statistikat dhe reformat strukturore

Bruksel, 20 shtator - Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe autoriteteve të Kosovës më 19 shtator 2019 në Bruksel mbajtën Nënkomitetin e 3-të të MSA-së për ekonomi, çështje financiare dhe statistika.

Takimi u përqendrua në ekonomi, çështje financiare, statistikë dhe kontroll financiar.

Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve përkatëse të Agjendës të Reformave Evropiane dhe të Programe të Reformave Ekonomike si dhe rekomandimeve nga Raporti i Komisionit për Kosovën.


Përfaqësuesit e Komisionit dhe të Qeverisë së Kosovës diskutuan një numër fushash të politikave, duke përfshirë zhvillimin makroekonomik të Kosovës, politikat fiskale dhe financiare, reformat strukturore dhe zhvillimin e sektorit privat, sistemin statistikor dhe kontrollin financiar. Fillimisht, Komisioni theksoi rëndësinë e zbatimit të Konkluzioneve të Përbashkëta të miratuara së fundmi për Programet e Reformës Ekonomike (PRE) 2019-2021.

Në fushën e politikave ekonomike dhe fiskale, u diskutuan zhvillimet kryesore ekonomike duke përfshirë rritjen e BPV-së, inflacionin, tregun e punës dhe konkurrueshmërinë e jashtme. Ndërkohë që rritja ekonomike e Kosovës është mbajtur mirë në vitin 2018, me 3.7% rritje të BPV-së, përshpejtimi i vazhdueshëm i parashikuar i rritjes së BPV-së mbi mesataren historike meriton një vështrim më nga afër. KE bëri thirrje për të marrë parasysh perspektiven më reale të BPV-së, e cila do të duhej të ishte në përputhje me parashikimet konsensuale.

Në kontekst të ekonomisë në rritje, Komisioni kërkoi sqarime në lidhje me rënien e pjesëmarrjes në tregun e punës. Pala e Kosovës njoftoi se pritjet e inflacionit do të rishikohen për lart për vitin 2019.

Qeveria paraqiti perspektivën për politikat fiskale, duke pasqyruar parashikimet e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH). Pala e BE nënvizoi rëndësinë e respektimit të udhëzimeve të politikave të PRE-së dhe shprehu shqetësime në lidhje me rritjen e shpenzimeve rrjedhëse dhe ekzekutimin e pamjaftueshëm të buxhetit kapital. Pala e BE-së theksoi mbështetjen e saj për reformën e administratës publike në Kosovë, megjithatë, theksoi rëndësinë e mbajtjes së kostos së reformës në nivel që mundëson ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale në buxhetin për vitin 2020.

Në këtë kontekst, Komisioni kujtoi nevojën e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal duke respektuar kufijtë e shpenzimeve dhe deficitit, të përcaktuara me rregullat fiskale. Sa i përket sektorit financiar, diskutimet u zhvilluan rreth zhvillimeve të fundit në sektorin bankar dhe të sigurimeve.

Autoritetet paraqitën gjendjen e reformave strukturore kryesore në sektorë të tillë si shëndetësia, administrata publike, reforma e pensioneve dhe privatizimi.

Pala e BE-së ftoi autoritetet që të përmbahen nga miratimi i çfarëdo iniciative të re pensionale dhe sociale në pritje të rishikimit të të gjitha skemave ekzistuese sociale dhe të vlerësimit të implikimeve të tyre afatgjata fiskale. Për më tepër, pala e BE-së kërkoi që të informohet vazhdimisht mbi zhvillimet në reformat kryesore të sektorit publik siç janë shëndetësia dhe pensionet, si dhe implikimet e tyre fiskale.

Komisioni mori parasysh progresin e bërë në reformat e tjera strukturore, por theksoi nevojën për të adresuar çështje të ngutshme, siç është gjendja në tregun e punës, informaliteti gjerësisht i përhapur, furnizimi me energji që janë fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për reforma.

Pala e BE-së theksoi se nxitja e zhvillimit të sektorit privat, forcimi i produktivitetit dhe krijimi i vendeve të punës duhet të udhëheqin agjendën e reformave në Kosovë.

Në fushën e statistikave, Komisioni vuri në dukje nevojën për zbatuar ndryshimet dhe plotësimet e miratuara në Ligjin për Statistikat.

Gjendja e burimeve për prodhimin e statistikave zyrtare në Kosovë u diskutua edhe në lidhje me kërkesat e të dhënave dhe afatet e tyre kohore. Diskutimi u përqendrua gjithashtu në kërkesën për të forcuar llogaritë kombëtare, dhe për këtë qëllim edhe statistikat e biznesit.

Mbledhja efikase dhe publikimi i statistikave është prioritet për politikat e bazuara në dëshmi. Komisioni theksoi nevojën për të ndjekur përgatitjet e nevojshme për Regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, veçanërisht lidhur me metodologjinë dhe ndarjen e fondeve të nevojshme.

Në fushën e Kontrollit Financiar u diskutuan zhvillimet e fundit në Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.

Është theksuar se vëmendja duhet t'i kushtohet sigurimit të një sistemi gjithëpërfshirës të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike dhe Menaxhimit të Financave Publike dhe Reformave të Administratës Publike. Kosova duhet të hartojë një Dokument gjithëpërfshirës të Politikave për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike me një fokus të veçantë në zbatimin e parimit të llogaridhënies menaxheriale.

Komisioni nënvizoi nevojën për të forcuar funksionin mbikëqyrës dhe kontrollues të Parlamentit dhe Qeverisë për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm.

Takimi u bashkë kryesua nga Ministria për Integrime Evropiane dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Çështje Ekonomike dhe Financiare, dhe ajo për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 tetor 2019 - Me rastin e 30 vjetorit të rënies së komunizmit, Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez do të organizojë konferencën shkencore ndërkombëtare me titull '30-vjetori i rënies së sistemit komunist'. (Hoteli Sirius, ora 9:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit mbahet dita e dytë e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” me ç‘rast do të organizohet konferencë per koordinimin ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore si dhe sfidat në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike pranë misionit të USAID-it në Kosovë, Matthew Cullinane, do të flasë në hapjen e Konventës së tretë vjetore të Industrisë së Veshmbathjeve në Kosovë. (Hoteli Emerald, ora 10:00)

- Punëtorët teknik të Fakulteteve të UP-së “Hasan Prishtina” në Prishtinë, do të protestojnë para Rektoratit të UP-së. (Para Rektorati, ora 10:00)

- Nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri do të mbahet Panairi i Sportit me të gjitha klubet sportive të qytetit të Mitrovicës. (Sheshi “Isa Boletini” në Mitrovicë, ora 10:00)

- Dega e Alternatives në Gjakovë mban konferencë për media. (Zyrët e Alternativës në Çarshinë e Jupave në Gjakovë, ora 11:00)

- Bëhet promovimi i librit “Gjinekologjia me obstetrikë  për infermieri dhe mami” me autore Prof. dr. Myrvete Paçarada dhe bashkautorë  Ass. dr. Vlora Ademi Ibishi dhe Ass. dr. Nyltene Kongjeli. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)

- Më rastin e Ditës Boterore të Energjisë, Instituti për Politika Zhvillimore mban konferencë për media me temë 'Cilat duhet të jenë prioritete e qeverisë së re në sektorin e energjisë në Kosovë?  - Rekomandime dhe propozime nga shoqëria civile'. (Zyrët e Resource Center (Lagjja Pejton, Rr. Pashko Vasa, nr. 1, përballë Hotel Royal, ora 13:00)

- Këshilli Prokurorial i Kosovës mban takimin e 173-të. (Objekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 13:30)

- ETEA organizon premierën e shfaqjes “Muret Flasin” që i dedikohet përkujtimit të organizimit të arsimit paralel gjatë viteve të '90-ta. (Shtëpia - shkollë “Sami Frashëri” e familjes Aliu - Hertica, ora 20:00)