19 Prill 2024

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik krijon Grupin Koordinues për COVID-19

Prishtinë, 14 prill - Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE) ka mbajtur sot takimin e 11-të të tij në të cilin u diskutuan hapat e mëtutjeshëm me qëllim të zbutjes së ndikimit negativ në ekonominë e vendit të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Të pranishëm ishin Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, njëherit edhe kryesues i KKZHE-së, ministrat e ministrive anëtare të KKZH, Sekretariati i KKZHE-së dhe përfaqësues të odave anëtare të KKZHE-së.

Në këtë takim, që ka për qëllim gjithëpërfshirjen në dialogun publiko – privat, u identifikuan prioritetet dhe sfidat kryesore lidhur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, që do të ndikojnë në menaxhimin e gjendjes ekonomike të krijuar në Kosovë.

Pas prezantimit të hapave të deritanishëm nga ana e qeverisë, diskutimi u vazhdua nga Sekretariati i KKZHE-së, i cili paraqiti rekomandimet nga analizat mbi ndikimin ekonomik të pandemisë COVID 19, dhe më pas u vazhdua me përfaqësuesit e odave, të cilët paraqitën kërkesat dhe sugjerimet e tyre për dizajnimin sa më të mirë të pakos përcjellëse.

Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të Këshillit, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e platformës së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik  për dialog konstruktiv në mes të sektorit privat dhe qeverisë në detyrë.

Ai potencoi se “ka një lidhje direkte mes shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit të ekonomisë së vendit.”

Sipas tij, “shprehja i pasur e i shëndetshëm dhe i varfër e i sëmur po merr kuptim më shumë në këtë pandemi.”

Kryeministri në detyrë tha se ne jemi vend i varfër dhe shumicën e popullit i kemi të varfër e kështu direkt më shumë të cenuar e të rrezikuar nga kjo pandemi.

Megjithatë, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, përpos masave për t’i dalë në ndihmë shëndetit publik, ajo tashmë ka marrë edhe masat për t’i dalë në ndihmë shëndetit ekonomik.

Pakon Emergjente Fiskale të hartuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve dhe të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Kryeministri në detyrë Kurti e vlerësoi si “ndihma e parë që i jepet pacientit në emergjencë, ajo nuk është terapia afatgjatë që i jepet për kurim”.

Në këtë drejtim, Kryeministri në detyrë Kurti, tha se “Qeveria në detyrë është duke e planifikuar pakon e dytë – atë të rimëkëmbjes ekonomike” e cila “të jetë shumë më e madhe se pakoja emergjente dhe do të ketë kohështrirje shumë më të gjatë.” Për këtë, duhet të anagazhohemi bashkërisht, tha ai.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, theksoi se si ministre përgjegjëse për biznese dhe në shërbim të bizneseve  ka ndëgjuar shqetësimet e tyre si dhe ka pranuar të gjitha rekomandimet nga komunikimi i afërt me kabinetin  saj. Këto rekomandime janë reflektuar edhe në pakon emergjente fiskale.

Ministrja tha që do të përqendrohemi edhe më shumë për mbështetjen, rimëkëmbjen e bizneseve, dhe zhvillimin e potencialit për krijimin e vendeve të punës, me cilësi të lartë dhe reforma për forcimin e rezistencës së ekonomisë së vendit si dhe konkurrencës.

Gjatë fjalimit, Ministrja Hajdari përmendi se fondet e projektit të financuar nga Banka Botërore “Konkurrueshmëria dhe Gatitshmëria për Export” me afër 10 milionë euro të cilat janë rialokuar për përkrahje direkte për bizneset, për të mbuluar humbjet.

Po ashtu, në përgjegjësinë dhe përkrahjen e ministres për sektorin privat, Ministrja Hajdari ka kërkuar mbështetjen e BE-së për të ndihmuar mbulimin e dëmeve nga pandemia COVID-19.

Nga BE mund të vihet në dispozicion deri në 160 milionë euro përmes ndihmës makro-financiare, mbështetjes buxhetore, IPA grante, sektorit të mbështetjes private, bujqësisë si dhe lehtësimin e  varfërisë.

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) ka marrë po ashtu, të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar furnizimin e rregullt të tregut me drithë dhe miell, dhe për të stabliziuar çmimin e produkteve në treg.

Gjithashtu, ministrja Hajdari tregoi se në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe vendeve të rajonit, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, i përkrahur nga Bashkimi Evropian ka marrë nismën për hapjen e korridoreve të gjelbra duke synuar mundësinë e qarkullimit të lirë të mallrave të domosdoshme.

Ministrja Hajdari tha se është e vërtetë se ekonomia po goditet këto ditë, por siç po ec ritmi i rrezikut të pandemisë COVID -19, është e pa shmangshme që këto masa mos të merren, me qellim të ruajtes së jetës dhe ekonomisë.

Nëse këto masa vijnë më vonë, humbjet janë më të mëdha si në jetët e shumë qytetarëve ashtu dhe në ekonomi.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, gjatë takimit sqaroi në hollësi pikat e Pakos Fiskale Emergjente (01-19-30-03-2020 MFT). Ai shprehu gatishmëri për bashkëpunim me përfaqësuesit e sektorit privat për të arritur përpilimin e masave të mëtutjeshme. Ai theksoi se Pakoja e Fiskale Emergjente mund të realizohet brenda buxhetit aktual të Kosovës, do të thotë pa aprovimin e kuvendit për suspendimin e rregullave fiskale, megjithëse kjo do të ketë pasoja afatgjate në buxhetin e shtetit.

Lindita Daija, drejtoreshë e Sekretariatit të KKZHE-së, prezantoi raportet e përpiluara nga Sekretariati i KKZHE-së për ndikimin ekonomik nga pandemia COVID-19, si dhe rekomandimet praktike që mund të shfrytëzohen gjatë punës për dizajnimin e pakos përcjellëse dhe atë për strategjinë e rimëkëmbjes ekonomike.

Diskutimin nga ana e përfaqësuesve të sektorit privat e hapi Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, i cili si pikë primare adresoi rëndësinë e sqarimeve të vendimeve të paqarta dhe sugjeroi krijimin e një portali të unifikuar dhe të përditësuar me informata të vendimeve të Qeverisë në detyrë. Gjithashtu, z. Rukiqi bëri të ditur se pakoja e radhës duhet të jetë në koordinim me të gjithë dhe duhet synohet që përmes saj të sigurohet minimizimi i humbjeve dhe jo kompensimi i tyre.

Arian Zeka,  drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës tha se duke pasur parasysh zhvillimin e deritanishëm të rrethanave, theksoi se, sipas tij, ka pasur dialog në mes të qeverisë dhe odave, mirëpo jo koordinim. Si pasojë e kësaj, ai vlerësoi se një pjesë e madhe e rekomandimeve të bizneseve nuk janë marrë parasysh në pakon emergjente. 

Pas rekomandimeve specifike që i prezantoi në detaje, Skender Krasniqi, kryetari i Odës së Afarizmit, deklaroi se ai mbështet fuqishëm që pakoja e re të bëhet në koordinim më të ngushtë në mes të qeverisë dhe sektorit publik, duke shpresuar që një gjë po mundësohet përmes KKZHE-së.

Si përfundim i këtij takimi, pas votimit, u aprovua propozimi për themelimin e Grupit Koordinues për COVID-19. Ky grup koordinues do të ketë për qëllim trajtimin dhe adresimin e çështjeve ekonomike dhe problemeve që ka sektori privat, si rezultat i përballjes me pandeminë COVID-19.

Ky grup do të kryesohet nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari.

Një grup i nivelit të tillë do të punojë në mënyrë më efikase për të marrë vendime meritore në bazë të analizave dhe diskutimeve konstruktive ndër-institucionale për të kontribuar në përpilimin e masave të cilat i përgjigjen nevojave të sektorit privat.

Takimi i Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik u organizua në bashkëpunim të ngushtë mes kabinetit të Kryeministrit të vendit, kabinetit të MEPTINIS dhe Sekretariatit të KKZHE-së.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)