29 Mars 2024

KE miraton zarfet financiare prej mbi 138 miliona euro për Kosovën

Bruskel, 9 shtator - Komisioni Evropian ka miratuar mbi 138 miliona Euro si asistencë për Kosovën përmes programeve IPA 2019 dhe IPA 2020 për Kosovën dhe Marrëveshjet përkatëse të Financimit janë nënshkruar nga të dy palët.
 
Nga kjo shumë, 50 miliona Euro janë ri-programuar për t’i trajtuar pasojat sociale dhe ekonomike të krizës nga COVID 19 në afat të shkurtër dhe të mesëm.

 Do të përkrahen sektorët vijues: Demokracia dhe Qeverisja (Përafrimi me BE), Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore, Mjedisi, Veprimi Klimatik dhe Energjia, Konkurrenca, Inovacioni, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Arsimi, Punësimi dhe Politikat Sociale.
 
BE tani është në pritje të ratifikimit të këtyre marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës në mënyrë që ta nisë zbatimin.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomas Szunyog, mirëpriti nënshkrimin e Programeve Vjetore të Veprimit IPA 2019 pjesa II dhe 2020 për Kosovën.

“BE-ja ka punuar shumë për ta ri-programuar një pjesë të madhe të asistencës sonë për t’i përmbushur nevojat e njerëzve në Kosovë që janë prekur nga COVID-19. Përkrahja jonë do ta forcojë mbrojtjen sociale, do t’i përkrahë bizneset e vogla dhe do të ndihmojë në stabilizimin e financave publike. Unë u bëj thirrje institucioneve të Kosovës që tani t’i ratifikojnë këto programe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Szunyog.
 
Përmes këtyre programeve, Komisioni Evropian do t’i përkrahë bizneset fillestare dhe mikro-bizneset, krijimin e vendeve të punës dhe punësimin e të rinjve dhe grave, cilësinë e arsimit të lartë, mbrojtjen sociale dhe nevojat themelore të familjeve në varfëri ose pa të ardhura, dhe trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor.

Ai gjithashtu do ta përkrahë Kosovën në parandalimin e degradimit mjedisor të tokës dhe ajrit dhe ndikimin negativ në shëndetin e njeriut duke zvogëluar ndotjen me mbetje të ngurta dhe emetimet nga prodhimi i energjisë.
 
Instrumenti për Asistencë Para-Anëtarësimit (IPA II) është instrumenti kryesor financiar për ta siguruar përkrahjen e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë si përfituesit e renditur në Aneksin I të rregullores IPA II (OJ L 77, 15.03.2014) në zbatimin e reformave.

Përkrahja shkon drejt masave që synojnë miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike të kërkuara për të qenë në përputhje me vlerat e Bashkimit dhe për t’u radhitur në mënyrë progresive me rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e Bashkimit, me synim drejt anëtarësimit në Bashkim dhe do të kontribuojë në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e përfituesve.

IPA II përqendrohet në objektiva specifikë, siç janë përkrahja për reformën politike dhe zhvillimin ekonomik, social dhe territorial; përpjekjet për ta forcuar aftësinë e përfituesve për t’i përmbushur detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian; dhe puna në forcimin e integrimit rajonal dhe bashkëpunimit territorial.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)