29 Mars 2024

KDI: Qeveria jo transparente gjatë hartimit të buxhetit

Prishtinë, 03 shkurt - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët me temën “Ngritja e transparencës dhe llogaridhënies në politikat buxhetore të Qeverisë së Kosovës”, me ç’rast ka publikuar edhe një analizë të procesit të hartimit të buxhetit dhe menaxhimit të parasë publike.

Pjesëmarrësit në tryezë kanë vlerësuar se mungon transparenca gjatë procesit të hartimit të buxhetit të Kosovës, ndërkohë përfaqësues të Qeverisë kanë premtuar më shumë transparencë në këtë proces. 

Panelisti Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave, ka prezantuar mënyrat e hartimit të buxhetit, ndërkohë ka premtuar publikisht ngritjen e transparencës gjatë procesit të hartimit të buxhetit. “Për herë të parë ka filluar pjesëmarrja e shoqërisë civile gjatë procesit të hartimit të buxhetit dhe ju garantoj që gjatë gjithë kohës së hartimit të buxhetit do të jemi të hapur”, ka thënë zëvendësministri Hamza në tryezë.

Hamza, tha se buxheti i Kosovës për vitin 2010 është bazuar në tri shtylla, që shtylla e parë është të hyrat e rregullta buxhetore, 1 miliardë e 29 milionë euro, pjesa tjetër janë të paraparë nga donacionet e huaja, ku përfshihen 50 milionë euro nga Komisioni Evropian dhe 20 milionë nga Banka Botërore, derisa pjesa tjetër është bartja e rezervës buxhetore prej vitit 2009 dhe nënshpenzimi.

Hamza e ka quajtur inkurajues faktin se trendi i shpenzimeve kapitale ka vazhduar të jetë pozitiv, duke thënë se buxheti është ekzekutuar në masë 90 për qind dhe është një standard i kënaqshëm.

Sipas tij nuk mund të thuhet se mungon transparenca kur të gjitha dokumentet zyrtar janë në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe çdo kush që është i interesuar mund të ketë qasje në to.

“Ne jemi përkrahës të asaj që të ngritet transparenca gjatë procesi të hartimit të buxhetit. Unë jam shumë i sigurt se ndoshta përherë të parë ka filluar pjesëmarrja e shoqërisë civile në proceset dëgjimore. Sigurisht se nevojë për përmirësim, por kjo duhet të vlerësohet dhe përmirësohet”, ka thënë Hamza.

Panelisti tjetër, kryetari i Komisionit Parlamentar për buxhet dhe financa, Gani Koci ka prezantuar funksionimin e këtij komisioni gjatë hartimit dhe miratimit të buxhetit. “Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk e ndryshon buxhetin, por funksioni i tij është përmirësimi i buxhetit...”, ka thënë Koci.

“Element i rëndësishëm është se komisioni për buxhet më tepër ka ndërhyrë tek organizatat buxhetore të ashtuquajtura agjencitë e pavarura, që buxhetet e tyre edhe pse futen në kornizën e përgjithshme të buxhetit kuvendi është përgjegjës për miratimin definitiv dhe shpenzimet e këtyre organizatave. Problemet më të mëdha i kemi pasur nga këto organizata për faktin se disa nga to sikur nuk kanë dashur t’i nënshtrohen ligjit të menaxhimit të financave publike, në shumë raste nuk kanë përfillur rregullat e menaxhimit të financave publike, në projeksionet e tyre buxhetore dhe në realizimin e buxhetit”, ka thënë Koci.

Ndërkohë, Merita Mustafa menaxhere e projektit të KDI-së për monitorim të buxhetit, ka prezantuar analizën e KDI-së mbi procesin e hartimit të buxhetit dhe menaxhimin e parasë publike, analizë që siç tha ajo, do të shërben si një udhërrëfyes dhe rekomandim i mirë për bartësit e hartimit të buxhetit. Ndërkohë, ajo ka kritikuar institucionet për mos-krijim të kushteve të mjaftueshme për monitorimin të hartimit të buxhetit dhe shpenzimeve të parasë publike. “Transparenca në procesin e hartimit të Buxhetit Shtetëror është një term pak a shumë i ri për shoqërinë kosovare. Përveç disa tentimeve të shoqërisë civile për monitorimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm, në këtë drejtim shumë gjëra ngelin ende - për tu dëshiruar”, ka thënë Mustafa.

Pjesëmarrësit në tryezë e kanë vlerësuar lartë analizën e publikuar nga KDI, duke kërkuar që rekomandimet e kësaj analize, të jenë pjesë e politikave gjatë hartimit të buxhetit. 

Rekomandimet e tryezës:

Mbajtja e premtimit publik nga qeveritarët për  lejimin e pjesëmarrjes se shoqërisë civile gjatë dëgjimeve buxhetore; Heqja e pengesave për monitorimin e procesit te hartimit te politikave buxhetore për pjesëmarrësit e shoqërisë civile; Rritja e nivelit të transparencës; Ngritja e kapaciteteve të Komisionit për Buxhet dhe Financa në mënyrë që të arrihet mbikëqyrja e shpenzimit të parasë publike; Ngritja e kapaciteteve të organizatave buxhetore; Nxitja e interesimit të deputetëve për të  marr pjesë në këto lloj debate; Ngritja e vetëdijes se paraja publike është pronë e qytetarëve; Të aprovohet ligji për paga dhe ai për shërbyes civile;
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)