19 Mars 2019

KDI dhe Komuna e Pejës, marrëveshje për hapjen e kontratave publike

Pejë, 17 prill - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Pejës, mbi hapjen e të dhënave të prokurimit nga kjo komunë.

Kështu Peja bëhet komuna e parë në Kosovë që do të bëjë publikimin e dokumenteve kontraktuale dhe raporteve financiare lidhur me shpenzimet përmes procedurave të prokurimit.

Kjo marrëveshje u nënshkrua ndërmjet drejtorit ekzekutiv të KDI-së, Ismet Kryeziu dhe kryetarit të Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri.

Bazuar në të, Komuna e Pejës do të bëjë publikimin në ueb faqe të planit të prokurimit, publikimin e  një raporti financiar mujor të shpenzimeve të prokurimit, publikimin e dosjes së tenderit, publikimin e kontratave të vlerës së mesme dhe të madhe si dhe publikimin e një raporti 6 mujor të prokurimeve të planifikuara kundrejt të realizuara për periudhën kohore në fjalë.

Kjo marrëveshje është nënshkruar në kuadër të projektit “Komunat llogaridhënëse përmes prokurimit transparent” të mbështetur nga KFOS që ka të bëjë me avokimin se si të rritet transparenca dhe llogaridhënia në prokurim publik duke pasur parasysh që ky proces mbetet edhe më tej i mbyllur për qytetarët.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 mars 2019 - Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë së cilës do të publikohen gjetjet e raportit nga monitorimi i Kontratave për furnizim me material shpenzues për Hemodializë për vitin 2018, në një diskutim me përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile. (Orion Conference Center, ora 10:00) 

- Mbahet mbledhja e Komisionit Ad-hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)  

- Rrjeti i Grave të Kosovës organizon mbledhjen e radhës së Koalicionit për Barazi “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoninë Veriore në koordinim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me përkrahjen teknike të ofruar nga Sekretariati i Përbashkët Teknik organizojnë Forumin Konsultativ. (Hotel International Prishtina, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban aktivitet. (Takimi me mediat bëhet pranë QKMF-së, te Qafa, ora 12:00)

- Promovohet romani “Rrota e Ujit” i autores Resmije Kryeziu. (Kolegji AAB, objekti V, te këndi i Librarisë, ora 12:00)

- Oda e Afarizmit të Kosovës organizon konferencë për media lidhur me Udhëzimet Administrative të cilat janë në mospërputhje me Ligjin për Minierat dhe Mineralet që po pengojnë zhvillimin e bizneseve të këtij sektori. (Zyret e OAK-së, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Ambasadori Kosnett do të vizitojë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës ku do të merr pjesë në nisjen zyrtare të Njësisë për Luftimin e Mashtrimeve, e cila do të veprojë në kuadër të ZKAK. (Lokalet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, rr. Ahmet Krasniqi, Arbëri, ora 15:10)