21 Shtator 2020

Kastrati, u premton romëve kushte me te mira për jetë

Mitrovicë, 2 shkurt - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka vizituar të martën Lagjen e Romëve, ku është hapur një çerdhe për fëmijët romë të banorëve të kthyer në këtë lagje. Ai ka ofruar mbështetje për të gjitha nismat që vijnë për krijimin e kushteve më të mira për jetë në këtë mjedis.

Kryetari theksoi se komuna do të ndihmoj me të gjitha kapacitetet që ka në mënyrë që banorët e kthyer të ndjehen komodë. Në këtë drejtim ai sqaroi se komuna do të ofroj hapësira për projektet që ndihmojë këta banorë si për shkollim ashtu edhe për punësim. 

Në anën tjetër, Agron Deda nga DRC-ja, njoftoi se kjo çerdhe është hapur më qëllim që edhe fëmijët e banorëve romë të kthyer në lagjen e tyre të rindërtuar t’u ofrohet mundësi sikur bashkëmoshatarëve të tyre të etnive tjera që shkojnë nëpër çerdhe. Ai tha se në këtë çerdhe aktualisht janë të vendosur 30 fëmijë të këtyre banorëve, të cilët kanë edhe punëtorët që janë të angazhuar për t’u kujdesur për ta.

Përveç kësaj çerdheje, në këtë lagje në një nga objektet e reja të rindërtuara është hapur edhe një klasë ku dy mësuese, njëra në gjuhën shqipe dhe tjetra në gjuhën serbe ndihmojnë nxënësit e kësaj lagjeje për të përforcuar mësimet që ndjekin në shkollat e tyre. 

Në lidhje me procesin mësimor, Artan Bajrami, një nga banorët rom të kthyer në këtë lagje, tha se fëmijët e tyre edhe pse janë kthyer në jug, mësimet vazhdojnë t’i ndjekin në gjuhën serbe në shkollat e veriut të qytetit.

Ai tha se ka shumë probleme për shkak se ata duhet të udhëtojnë përditë, mirëpo ende nuk është gjetur një zgjidhje adekuate, meqë fëmijët kanë nisur nga fillimi, sa ishin në kampet në veri, që të mësojnë në shkollat e atjeshme dhe në gjuhën serbe, andaj tash është vështirë që t’u ndërpritet mësimi.

Në anën tjetër, zyrtarët e Caritasit, të cilët janë duke implementuar projektin e kësaj klase ndihmëse, thonë se së shpejti do të fillohet edhe me një projekt për gratë analfabete, në mënyrë që atyre t’u krijohet mundësia që të mësojnë shkrim dhe lexim.

Ngjitur me ndërtesat e bukura që janë ndërtuar për banorët romë në këtë lagje, zyrtarët komunalë së bashku me ata të DRC-së kanë nisur punën për hapjen e një “Hoteli industrial”, ku do të vendosen pajisje të ndryshme, si për zdrukthëtari, mandej lavanteri etj, në mënyrë që të hapen edhe vende të reja pune.

Në këtë lagje deri me tani janë kthyer 120 familje, të cilat janë vendosur në ndërtesat për banim kolektiv si dhe në shtëpi private. Komuna ka ndarë disa hektarë për fazën tjetër të rindërtimit të kësaj lagjeje, ku parashihet ndërtimi i më tepër se 100 njësive të banimit.   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Shtator 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Fillon Shkolla Verore e BE-së në të cilën do të shtjellohet temat për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë mjedisore dhe shfaqjen e pandemisë globale. (Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të votohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla takohet me Ambasadorin japonez, Mizutani Akira. (Kabineti i ministres Haradinaj Stublla, ora 10:00 - pa prezencen e mediave)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)
 
- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Mizutani Akira, nënshkruajnë marrëveshjen për donacionin e radhës të Japonisë për Kosovën. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 10:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë shqyrton listen e dëshmitarëve, përzgjedh ekspertët e jashtëm si dhe publikon adresën për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij. (Sheshi “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, ora 11:00)  

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Sallën e Operacionit dhe Sallën e Lindjes për gratë e infektuara me COVID-19, pajisje këto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë dhe AMC. (QKUK, ora 11:00)

- Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, do të takohet me U.D i Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Arsim Janova, ku do të  nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi mes dy institucioneve, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë konferencë për medie. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, kati i IV, ora 11:15)

- Seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë të premten do të vazhdojë sot. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 13:00)