23 Prill 2024

Investimi në të rinjtë kyç për suksesin në fushën e ndërmarrësisë

Prishtinë, 13 nëntor- Përmirësimi i mëtejmë i elementeve të ekosistemit të ndërmarrësisë, e posaçërisht investimi në kapitalin njerëzor, por edhe ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe politik janë kyçe ashtu që përpjekjet e vendit për promovim të ndërmarrësisë dhe inovacionit të kenë sukses. Kjo u tha gjatë tryezës mbi Ndërtimin e një Ekosistemi të Qëndrueshëm të Ndërmarrësisë e cila shënoi edhe aktivitetin e parë pas hapjes zyrtare të Javës Globale të Ndërmarrësisë.

Në tryezën e organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë folën ambasadorja e Suedisë Karin Hernmarck Ahliny, ambasadori i Gjermanisë Christian Heldt dhe ambasadori i Norvegjisë Per Strand Sjaastad, si dhe Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj.

Në panelin e moderuar nga drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka u fol për nevojën e eliminimit të dështimeve sistemore që pamundësojnë një ndërmarrësi gjithëpërfshirëse në shoqërinë kosovare, identifikimin e potencialeve në të cilat do të mund të bazohej zhvillimi ekonomik i vendit. Zeka falënderoi ambasadorët e huaj për përkrahjen e Kosovës në përgjithësi, por edhe të Qendrës së Inovacionit, përmes të cilës janë përkrahur shumë startupe të suksesshme. Derisa, Drejtori Ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK) Uranik Begu ndau vlerësimet “Kampionët e Inovacionit” për ambasadorët panelistë si dhe për Ministrin e Inovacionit.

Për sa i përket kapitalit njerëzor, si njëri ndër hallkat më të rëndësishme në zinxhirin e ekosistemit të ndërmarrësisë, u tha se duhet një investim më i madh në trajnimin e të rinjve, derisa u përmend edhe sistemi gjerman dual i edukimit, i cili do të mund të replikohej me sukses edhe në Kosovë. Poashtu, u fol edhe për rëndësinë e ofrimit të hapësirës së nevojshme infrastrukturore për të rinjtë e jashtëzakonshëm të Kosovës, derisa Parku Kosovaro-Gjerman i Inovacionit dhe Trajnimit, i cili do të zë vend në ish bazën ushtarake të kontingjentit gjerman të KFOR-it do të ofrojë këtë hapësirë të nevojshme.

Sa i përket ideve të mundshme që do të mund të karakterizonin ndërmarrësinë kosovare, panelistët folën për rëndësinë e identifikimit të shërbimeve të kërkuara nga kompanitë jashtë vendit, e të cilat do të mund të ofroheshin nga ndërmarrësit e rinj kosovarë, por edhe për nevojën e shndërrimit të Kosovës në një prodhues të teknologjisë në vend të konsumuesit të saj.

Ambasadorët e Suedisë, Gjermanisë dhe Norvegjisë u shprehën optimistë për të ardhmen e Kosovës në fushën e ndërmarrësisë, derisa zotuan përkrahjen e tyre të vazhdueshme në këtë drejtim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)