07 Tetor 2022

Intensifikohet angazhimi për rritjen e ndikimit të auditimit

Prishtinë, 18 maj - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën ka mbajtur punëtorinë “Rritja e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”. Përveç drejtuesve të ZKA-së në punëtori kanë marrë pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP); Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT); deputetja e parlamentit suedez znj. Mia Sydoë Mölleby; ish deputetja e  Latvisë znj. Inguna Sudraba njëherësh edhe ish Auditore e Përgjithshme e Latvisë si dhe përfaqësuesit e Institucionit Suprem të Auditimit të Suedisë dhe SIGMA-s.

Të pranishmit kanë vlerësuar se kjo punëtori ishte një mundësi e mirë për të biseduar për një qasje të orientuar në rritjen e ndikimit Kuvendit dhe ZKA-së për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, rrjedhimisht ndikimin në avancimin e menaxhimit të financave publike.

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka thënë se për ZKA-në është thelbësore zbatimi i rekomandimeve, si një nga objektivat kryesore që sjell përmirësim dhe avancim të menaxhimit të parasë dhe pasurisë publike. Bashkëpunimi me të dy Komisionet e Kuvendit është tepër i rëndësishëm për të nxitur dhe shtyrë përpara proceset që ndihmojnë në punën e ZKA-së.

“Është obligim ligjor, që ne si dy institucione përgjegjëse, njëra për kontroll e tjetra për ligjvënie dhe mbikëqyrje, në këtë rast të financave publike të funksionojmë si dy mekanizma të pandara që i shërbejnë vendit në rritjen e kontrollit dhe përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike”, ka deklaruar znj. Spanca.  

Tutje Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se rritja e ndikimit të punës së ZKA-së, përkatësisht zbatimin e rekomandimeve të auditimit vë në pah nevojën për të ndërmarrë masa  konkrete  për adresimin e rekomandimeve nga  ana  e  krerëve të institucioneve publike duke intensifikuar kontrollet dhe monitorimin e vazhdueshëm të planeve të  veprimit për zbatim të  rekomandimeve.

“Pavarësisht punës së ZKA-së dhe angazhimit të Kuvendit në nxitjen dhe sensibilizimin e zbatimit të rekomandimeve, niveli i zbatimit të tyre ende nuk është i duhuri. Në bazë të raporteve të auditimit, rezultatet tregojnë se vetëm 45% të rekomandimeve të vitit 2019 janë zbatuar, e cila tregon një rritje te lehtë krahasuar me vitin 2018 qe ishte 40%”, është shprehur znj. Spanca.

Auditorja e Përgjithshme, ka folur gjithashtu për progresin e zbatimit të planit të auditimit për sezonin 2021-22, duke thënë se nga raportimet dhe rezultatet e deritashme, vërehet se gjendja e menaxhimit të financave publike dhe raportimit financiar nuk është më mirë se në vitin e kaluar e në disa raste gjendja ka indikacione se është edhe më e renduar.

“Kjo reflektohet në veçanti në institucionet e qeverisjes lokale dhe në ndërmarrje publike për të cilat vlerësohet se kanë dështuar të zbatojnë kontrolle të brendshme adekuate për të parandaluar parregullsitë. Tek institucionet lokale, situata mund të jetë e renduar për shkak  të faktorëve, si; mbajtja e  zgjedhjeve lokale, sfidat me pandeminë apo faktorë të tjerë. Ndërsa tek Ndërmarrjet Publike, mungesa e auditimit për vite me radhë konsiderohet se ka qenë ndër faktorët kryesor”, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.  

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), Armend Muja, pasi ka vlerësuar rëndësinë e auditimeve që kryhen nga ZKA dhe ka shpreh vlerësime të larta për punën e saj, ka theksuar nevojën për të gjetur mënyra të reja shtesë për të ushtruar ndikimin e Kuvendit në zbatimin e rekomandimeve. Z. Muja ka thënë se përveç angazhimeve të tjera një kulturë e follow-up (përcjelljes) së zbatimit të rekomandimeve duhet të zhvillohet në ardhmen për të forcuar ndikimin në zbatimin e tyre.

Zëvendës kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP), Arta Bajralija, ka theksuar se niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga institucionet publike është shqetësuese për Kuvendin dhe në këtë drejtim ka ngritur nevojën për rritjen e llogaridhënien nga palët përgjegjëse.

Ajo ka përmendur se KMFP, gjatë vitit shqyrton rreth 30 raporte të auditimeve të kryera nga ZKA, si dhe ka theksuar nismën e këtij Komisioni për të zhvilluar vizita në institucione dhe aktivitete tjera për të mbikëqyr zbatimin e Ligjit për Kontroll të Brendshëm të Financave Publike.

Të dy përfaqësuesit e Komisioneve kanë falënderuar pjesëmarrësit suedez dhe të Latvisë për gatishmërinë e treguar për të bartur tek ne përvojat e tyre në lidhje më këtë fushë.

Gjatë kësaj punëtorie, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të ata të parlamentit suedez dhe Latvisë  kanë ndarë përvojat dhe praktikat e tyre me qëllim të rritjes së ndikimit të punës së tyre në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

Deputetja suedeze Mia Sydoë Mölleby dhe Dag Levin Sparr, Këshilltar i Lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) prezantimet e tyre i kanë fokusuar tek rritja e ndikimit të punës së ZKA-së.

Ata kanë ndarë me të pranishmit praktikat e mira të Parlamentit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për shqyrtimin e raporteve të auditimit dhe bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve për të siguruar menaxhimin e mirë të fondeve publike dhe mbajtur përgjegjës krerët e organizatave buxhetore.

Kurse ish Auditorja e Përgjithshme dhe ish deputetja e Parlamentit të Latvisë, njëherësh eksperte e angazhuar nga SIGMA, Inguna Sudraba, ka prezantuar perspektivën e bashkëpunimit të Institucioneve Supreme të Auditimit me Parlamentin.

Ndërsa Alastair Swarbrick, këshilltar i lartë për politika të financave publike dhe auditimit, SIGMA, ka folur lidhur me përshtypjet e palëve të jashtme për ZKA-në, me ç’rast ka prezantuar rezultatet e anketimit nga të cilat ka rezultuar se këto përshtypje vazhdojnë të theksojnë besueshmërinë e lartë në këtë institucion.

Ndër konkluzionet kryesore të nxjerra nga kjo punëtori ka qenë nevoja e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit për ti mundësuar kësaj zyre të orientojë planet e  auditimit në fusha më rrezik të lartë, me prioritet dhe interes për Kuvendin dhe publikun në përgjithësi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 tetor 2022 - Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese shqyrton nominimet e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me përmbushjen e kushteve të parapara me Kushtetutë dhe Ligj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 9:00)

- Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Caritas Zviceran në Kosovë lansojn thirrjen “Projektet Investuese të Diasporës” në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë – MARDI”. (Ndërtesën Qeverisë, salla P38, ora 9:30)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi mban konferencë për medie lidhur me qëndrimet dhe vlerësimet për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi. (Holli i Kuvendit të Kosovë, ora 10:00)

- Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë publikojnë përmbledhjen e politikave 'Dispozitat për koston e lejes së lindjes, atësisë dhe pushimit prindëror në Ligjin e Punës', të shkruar nga Dita Dobranja në emër të RrGK-së. (Hotel Sirus, ora 10:00)

- OJQ Aktiv organizon prezantimin e “Udhëzuesin për verifikimin bazë të informacionit mediatic” i cili është i dedikuar kryesisht për komunitetin serb të Kosovës. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitovicën e Veriut, ora 11:00)

- Sekretari Gjeneral i FIBA Andreas Zagklis takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, ora 11:00)