13 Korrik 2020

Inaugurohet Oda Ekonomike Kosovë - Zvicër

Bernë, 16 maj - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, po qëndron në shtetin e Zvicrës, ku së bashku me Ministrin e Ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin, zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj dhe zëvendësministren Rejhan Vuniqi bënë inaugurimin e Odës Ekonomike Kosovë Zvicër.

Oda Ekonomike Kosovë Zvicër ka për qëllim kryesor sjelljen e investitorëve nga ky shtet në Kosovë, dhe anasjelltas, përmes bashkëpunimin të ngushtë me diasporën.

Ministri Lluka gjatë fjalimit inaugurues falënderoi të pranishmit për iniciativën dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, duke potencuar avantazhet që ka Kosova në krahasim me vendet tjera të Evropës.

Ai iu drejtua diasporës duke kërkuar nga diaspora që investimet e tyre të orientohen nga patundshmëria në prodhim dhe shërbime, pasi këto të fundit kanë efekt pozitiv afatgjatë në ekonominë e vendit duke marrë shembull investimin e realizuar në Gjilan nga biznesmeni Fehmi Fetahu me projektin Vali Ranch Resort & Congress Center që ka dhjetëra të punësuar.

Gjithashtu, ministri Lluka ka potencuar se Zvicra është një ndër 3 vendet kryesore që ka investuar në Kosovë si me donacione, ashtu edhe me investime direkte, gjë që tregon se raportet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyera dhe iniciativat e tilla do të fuqizojnë këtë raport edhe më tej.

Ministri, Valdrin Lluka, ka zhvilluar takime të ndryshme me të pranishmit të cilët ishin në këtë ngjarje ku së shpejti do të vijnë delegacione nga Zvicra në Kosovë me qëllim që të njoftohen për afër me potencialet që ofron Kosova.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Korrik 2020 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e hap fushatën e korrje-shirjeve. (Fushata e korrje-shirjeve nis në mes të fshatave, Livoq i Poshtëm dhe Velekincë, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt do të vizitojë kompaninë “SOWI KOSOVA” në Bajgorë të Komunës së Mitrovicës. (Bajgorë - Mitrovicë, ora 11:00)

- Vazhdon seanca plenare e Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. (Salla e Kuvendit, ora 14:00

- Kryeministri Avdullah Hoti raporton në Kuvendin e Kosovës lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. (Salla e Kuvendit, ora 16:00)