06 Prill 2020

Implementimi i parimeve të qeverisjes korporative do të fuqizonte ndërmarrjet private

Prishtinë, 24 janar - Integrimi i parimeve të qeverisjes korporative në ndërmarrjet private, ndikimi i këtyre parimeve në tërheqjen e investimeve te huaja direkte dhe në përmirësimin e menaxhimit të bizneseve, ishin temat të cilat u diskutuan në punëtorinë mbi qeverisjen korporative e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Leonora Kusari, menaxhere kryesore në Zyrën për Këshillime për Ndërmarrjet e Vogla në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, tha se qeverisja korporative është shumë e rëndësishme për institucionin pjesë e të cilit është ajo, sepse rrit mundësitë për investime në biznes.

Kusari tha se disa nga përfitimet që dalin nga aplikimi i standardeve të qeverisjes korporative janë rritja e vlerës së aseteve, qarkullimit, produktivitetit dhe fitimit të kompanisë.

Ajo shtoi se në vendet e Ballkanit ka ngecje në zhvillim ekonomik, pikërisht për shkak të mosimplementimit të qeverisjes korporative.

Për fund, ajo i rekomandoi sektorit privat që të implementojë këto praktika, në mënyrë që ndërmarrjet të përfitojnë më shumë, të ketë më shumë tërheqje të investitorëve, si dhe zhvillim më të madh ekonomik në vend.

Alban Zogaj, ekonomist dhe specialist i monitorimit dhe vlerësimit foli për gjendjen e qeverisjes korporative në ndërmarrjet kosovare.

Sipas tij, është pozitiv fakti që në Kosovë një pjesë e ndërmarrjeve të mëdha kanë filluar të zbatojnë parimet e qeverisjes korporative në kompanitë e tyre, megjthatë, duke marrë parasysh faktin që në vendin tonë shumica e ndërmarrjeve janë të vogla dhe të mesme, qeverisja korporative akoma mbetet një koncept i ri.

Zogaj gjithashtu prezantoi disa nga të gjeturat e  studimeve të kryera nga instituti “Riinvest” nga ku theksoi se Kosova ende nuk ka infrastrukturë ligjore që obligon kompanitë të implementojnë parimet e qeverisjes korporative.

Visar Dobroshi, partner drejtues në Recura Financials foli për katër shtyllat e qeverisjes korporative të cilat përfshijnë llogaridhënien, përgjegjësinë, transparencën dhe korrektësinë, të cilat sipas tij janë tejet të rëndësishme për zhvillimin e qeverisjes korporative në ndërmarrje.

Dobroshi tha se në gjashtë vitet e fundit në Kosovë ka progres shumë të madh sa i përket ngritjes së vetëdijesimit në lidhje me qeverisjen korporative, mirëpo ende mbetet shumë për t’u bërë në implementimin e aspekteve të saj. Sipas tij implementimi i praktikave më të mira të qeverisjes korporative, ndikon edhe në rritjen e vlerës së ndërmarrjeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Prill 2020 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. (Qendra Operative Emergjente tek kampusi i shkollave të mesme, ora 9:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli viziton Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunën e Ferizajt. (Ferizaj, ora 11:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli takohet me një grup biznesmenësh nga Ferizaj. (Ndërtesa e re e Komunës se Ferizajt, ora 12:00)

- Sindikata e Pavaur e Sektorit Privat të Kosovës mban takimi me ministrin e financave Besnik Bislimi. (Ndërtesa e Ministrisë së Financave, ora 13:30)