05 Dhjetor 2022

Greqia rrit pagën minimale në 713 euro

Athinë, 21 prill - Qeveria greke ka marrë vendimin për rritjen e pagës minimale për qytetarët e saj, për të dytën herë brenda këtij viti.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri i vendit Kyriakos Mitsotakis i cili u shpreh se rritja globale e inflacionit po godet familjet me të ardhura të ulëta.

Qeveria vendosi të rriste pagën minimale më herët në Janar të këtij viti me 2% duke e çuar atë në 663 Euro.  

Ndërsa duke nisur nga 1 Maji, paga minimale do të pësojë një rritje prej rreth 7 % duke arritur në kuotën e 713 Eurove në muaj. Vetëm përgjatë vitit 2022 paga minimale në Greqi ka pësuar një rritje prej 9.7 %.

Kriza ekonomike globale që ka kapluar botën vjen fillimisht si pasojë e pandemisë së Covid -19 dhe së fundmi edhe si pasojë e luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë.

Përgjatë muajit Mars, në Greqi inflacioni i konsumatorit u rrit në 8.9%, duke shënuar kështu nivelin e tij më të lartë në 27 vitet e fundit.

Përveç rritjes së pagës minimale, qeveria greke ka shpenzuar edhe rreth 4 miliardë Euro për subvencionimi e faturave të energjisë për familjet, bizneset dhe fermerët që janë përballur me një rritje të çmimit në faturat e gazit dhe energjisë elektrike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)