21 Korrik 2019

Gjykata Komerciale hyn në programin Legjislativ të Qeverisë për vitin 2019

Prishtinë, 11 korrik - Në fillim të mbledhjes së 110-të, Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka mbajtur një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës.

Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte Rregullorja për Integrimin e të Huajve, e cila përcakton procedurat, kriteret dhe institucionet përgjegjëse për integrimin e të huajve në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore në Republikën e Kosovës.

Rregullorja për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave, mori aprovimin e kabinetit qeveritar. Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave për shqyrtimin administrativ të akteve të komunës, si dhe obligimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ministrive të linjës dhe institucioneve tjera përgjegjëse për këtë proces.

U miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme/Ndërtesës-Lokaleve Afariste të cilat janë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të cilat preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Sheshit të Qytetit” në Obiliq si dhe vendimi Preliminar për shpronësim të pronave të paluajtshme të ish ndërmarrjes OBP “Produkt” Zona Kadastrale Polac i Ri në Skenderaj, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Parkut të Biznesit”.

Kabineti Qeveritar aprovoi në parim Nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Portugalisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për promovimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve.

Miratimin e Qeverisë së Kosovës e mori edhe propozimi i Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, që në Programin Legjislativ për vitin 2019 të përfshihet edhe Projektligji për Gjykatën Komerciale. Themelimi i kësaj Gjykate del si rezultat i analizave të procesit të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, rezultate këto që rekomandojnë fuqishëm themelimin e kësaj gjykate.

Poashtu, me propozim të Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në mbledhjen e sotme aprovimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi për pagesën e pensionit të papaguar për vitet 2011 – 2015, në vlerë prej 18 mijë euro për bashkëshorten e Ismet Jasharit – komandant “Kumanovës”.

Në fund të mbledhjes kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, sqarim lidhur me kërkesën dhe propozimin e Komunës së Gjilanit lidhur me çështjen e ujit të pijes në këtë komunë, dhe një kërkesë të K.R.U Gjakova lidhur me buxhetin e paraparë për renovimin e gypave në këtë ujësjellës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se ndërrimi i gypave të azbestit është projekt jetik për qytetarët e komunës së Gjakovës dhe si ministri e Financave në proceset e ardhshme buxhetore, po edhe gjatë këtij viti, pas krijimit të rrethanave ligjore janë të gatshëm për mbështetjen e këtij projekti dhe adresimin e kësaj çështje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 korrik 2019

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Akademinë Përkujtimore dhe në zbulimin e shtatores së atdhetarit, Shejh Myhedin Shehu, organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit. (Afër Teqes së Madhe të Halvetive, Rahovec, ora 11:00)

- Mbahet dita e dytë e Prishtina Gastronomy Festival i cili ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke promovuar kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare. (Sheshi “Adem Jashari”, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit hap ofertat e shitjes se aseteve përmes likuidimit nr.49. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Kampistët e Kampit Ndërkombëtar vizitojnë Muzeun Etnologjik. (Muzeu Etnologjik i Kosovës, Rruga “Zija Prishtina”, Prishtinë, ora 18:30)

- Festivali Ndërkombëtarë i Filmit të Animuar - Anibar orgsnizon ceremoninë mbyllëse, ku edhe do të bëhen publik fituesit e garave të katër kategorive. (Kinema e hapur në qënder të qytetit të Pejës, Kinemanë “Urban”, ora 20:00)