29 Maj 2020

Gjilani shpërndan edhe 250 pako ushqimore

Gjilan, 21 maj - Në shenjë solidarizimi dhe mbështetje në këtë kohë të përballjes me pandeminë globale Covid-19 dhe për nder të festës së Fitër Bajramit, xhemati i xhamisë së Regensdorfit së bashku me vëllezërit Zymberi nga Gjilani dhe në koordinim me Komunën, sot kanë sjellë një donacion me 250 pako ushqimore dhe 2 mijë franga.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar vllezërit Zymberi dhe xhematin atje për këtë mbështetje të madhe e cila në total kap shifrën 7 mijë e 500 euro, për të cilën ka konfirmuar se do të shpërndahet te rastet të cilat janë në kushte shumë të rënda në bashkëpunim edhe me këshillat e fshatrave.

“Falënderim i veçantë për xhematin atje që janë bërë pjesë e fuqishme për mirëqenien dhe ushqimin në sofër për 250 familje që sot dhe nesër do të bëhet shpërndarja dhe gjithashtu edhe dy mijë franga që i shtohen këtij donacioni."

"Mërgata jonë beson në Zot e atdhe dhe për këtë ata ndihmojnë vazhdimisht qytetarët tanë që janë në kushte të vështira. Ne do të fillojmë ndihmën edhe me veshmbathje për fëmijë janë rroba të cila ka ardhur donacion, pasi është tërhequr mall inga shitja në faza të caktuara”, ka thënë kryetari në fjalën e tij.

Ai, po ashtu, ka njoftuar se një rol shumë të rëndësishëm në këtë muaj, ka Bashkësia Islame në Gjilan, e cila ka koordinuar të gjithë organizimin e mbështetjes së rasteve në nevojë, duke caktuar edhe prioritetet në bazë të gjendjes në terren.

Ndërsa, në emër të donatorit ka folur Mursel Zymberi, njëri nga vëllezrit që janë bërë shkak që kjo mbështetje të vie në Gjilan.

“Një falënderim i madh për të gjithë ata që kanë dhënë nga kuleta e tyre për t’i ndihmuar familjet që kanë mungesë të ushqimit. Këto ndihma po shkojnë në vendin e duhur dhe përpos pakove dhe mbështetjes me dy mijë euro, është konfirmim i tyre që të mos mbetet me kaq, por mbështetja do të vazhdoj edhe më tutje”, ka deklaruar Zymberi.

Përndryshe, këto pako ushqimore do të fillojnë të shpërndahen në banimin social ku janë 60 familje, për të vazhduar pastaj edhe në bazë të prioriteteve në koordinim me KBI dhe me këshillat e fshatrave. Këto ndihma janë të parapara të shpërndahen sot dhe nesër.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 Maj 2020

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e thirrur nga kryesuesi i Kuvendit. (Salla e shtëpisë së kulturës "Xhemajli Berisha", ora 10:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, shqyrëtohet  raporti vjetor i përformancës se Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e pestë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit për vitin 2020, në të cilën do të bëhët shqyrtimi i propozim vendimit për bartjen e tejkalimit të të hyrave vetanake nga viti 2019.  (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Objekti i KGjK-së, ora 14:00)