08 Shkurt 2023

FMN parashikon një perspektivë të zymtë të ekonomisë botërore

Washington, 28 korrik - Rritja e ekonomisë botërore po ngadalësohet dhe perspektivat për një rikuperim të shpejtë janë të zymta, tha të martën Fondi Monetar Ndërkombëtar.

FMN-ja tha se pret që rritja të ngadalësohet nga 6.1% që ishte vitin e kaluar në të gjithë globin në 3.2% këtë vit, 0.4 përqind më ulët nga parashikimi në muajin prill.

“Një rimëkëmbje e paqëndrueshme në vitin 2021 është pasuar nga zhvillime gjithnjë e më të zymta në vitin 2022 pasi rreziqet filluan të materializohen”, tha FMN-ja. “Prodhimi global u tkurr në tremujorin e dytë të këtij viti, për shkak të rënieve ekonomike në Kinë dhe Rusi, ndërkohë që shpenzimet konsumatore të SHBA-së ishin më pak se pritshmëritë”.

Agjencia ndërkombëtare e financave me seli në Uashington tha se “disa goditje kanë tronditur ekonominë botërore tashmë të dobësuar nga pandemia: inflacioni më i lartë se sa pritej në mbarë botën - veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë kryesore evropiane - duke shkaktuar kushte më të vështira financiare; një ngadalësim më i lartë nga sa ishte parashikuar në Kinë, dhe pasoja të mëtejshme negative nga lufta e Rusisë në Ukrainë.”

FMN-ja tha se çmimi i mallrave të konsumit, veçanërisht për ushqimin dhe energjinë, po rritet në të gjithë botën. Kostoja pritet të rritet me 6.6% në ekonomitë e përparuara këtë vit dhe me 9.5% në tregjet në zhvillim dhe ato me zhvillim të shpejtë.

FMN-ja tha se lufta në Ukrainë "mund të çojë në një ndalesë të papritur" të eksportit rus të gazit natyror në vendet evropiane dhe se "inflacioni mund të jetë më i vështirë për t'u ulur sesa pritej" nëse punëdhënësit nuk mund të gjejnë punëtorë të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e tyre për punë ose nëse inflacioni rritet me një ritëm më të shpejtë se sa pritej.

FMN-ja tha se një "skenar alternativ i mundshëm" ndaj parashikimit të saj tashmë të ulur do të ishte një ekonomi botërore "në të cilën rreziqet materializohen, inflacioni rritet më tej dhe rritja globale bie" në rreth 2.6% dhe 2% për qind në vitin 2022 dhe 2023, respektivisht.

“Me rritjen e çmimeve që vazhdojnë të ulin standardet e jetesës në mbarë botën, zbutja e inflacionit duhet të jetë përparësia e parë për politikëbërësit,” tha FMN-ja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 shkurt 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Projektligjin për Sigurinë e përgjithshme të produkteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)
    
- Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)
    
- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë mban tryezë diskutimi me temën: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. (Hotel Sirius, ora 10:00)    

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare me pikat e pa përfunduar. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)
    
- Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës do të paraqesin Padi për konflikt administrativ për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik. (Pallati i Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës mbledh të gjitha klubet e Superligës së Kosovës në një ngjarje të veçantë, ku fituesit e fushatës së nisur javë më parë në rrjetet sociale do të shpërblehen me fanella të nënshkruara nga vet lojtarët e ekipeve të ndryshme. (Kati i parë në Albi Mall, ora 18:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizon hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës “Albumi familjar – Mes kujtimit dhe realitetit” (Family Album – Between Recollection and Reality) nga Alban Muja, e cila do të pasohet me një bisedë me artistin. (Vendi: Qendra e Dokumentimit, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Dardani, ora 19:00)