28 Mars 2024

FMN: Borxhi i Shqipërisë është i lartë

Tiranë, 28 mars - Shqipëria ka një borxh publik shumë më të lartë se sa vendet me të ardhura të ulëta, ku gjendet aktualisht e klasifikuar, si dhe më të lartë se sa vendet në zhvillim, ku shpreson të shkojë, gjë që e bën reduktimin e borxhit diçka “shumë të dëshirueshme”. Ky është konkluzioni i një analize pune të përgatitur nga eksperti i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria shqiptare ka refuzuar deri më sot të japë një vlerësim se cili është niveli i përshtatshëm i borxhit publik në vendin tonë, ndonëse ka premtuar se do të punojë për reduktimin e tij në tri vitet e ardhshme.

“Se cili duhet të jetë niveli i borxhit, është një diskutim i hapur,” deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode, disa javë më parë.

“Duke parë se borxhi publik shqiptar është ende relativisht i lartë, është i dëshirueshëm reduktimi i tij në nivele më të përshtatshme”, thuhet në raportin vjetor të FMN-së për Shqipërinë, përgatitur nga Jiri Jonas.

“Përkeqësimi i kushteve ekonomike dhe financiare botërore gjatë viteve të fundit, si dhe sfidat me të cilat po përballet qeveria për të mbuluar kërkesën e vet për borxhe, ka nënvijëzuar nevojën për të forcuar financat publike”, vijon më tej raporti, i cili nuk është një qëndrim zyrtar i FMN-së, por konsiderohet më shumë një këshillë.

Borxhi publik i Shqipërisë arriti në 634 miliardë lekë (4.6 miliardë euro) në vitin 2009, shifër kjo e barabartë me 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Borxhi që vitin e kaluar sa 2.2 herë të ardhurat vjetore të qeverisë dhe u rrit me 70 miliardë lekë.

Shqipëria e nisi tranzicionin me një nivel të papërfillshëm borxhi, por përgjatë viteve, dëshira e qeverive për të rritur paga e pensione përtej normës së rritjes së të ardhurave të buxhetit duket se i mbingarkoi shqiptarët me borxhe.

Në vitin e kaluar, mbi 12 për qind e taksave që shqiptarët i paguan qeverisë, shkoi për të shlyer interesat e borxhit publik. Por problemi më i madh është që qeveria shpenzoi për paga, pensione, e interesa borxhi më shumë nga sa siguroi të ardhura nga taksat.

Populizmi vijoi edhe këtë vit, pasi qeveria ka vijuar të premtojë rritje pagash e pensionesh, pa marrë parasysh se kjo rritje nuk është asgjë tjetër veçse borxh që u ngarkohet qytetarëve dhe që herët a vonë do të paguhet.

Pjesa dërrmuese e borxheve ekzistuese u tërhoqën gjatë periudhës 1998-2002, kur vendi gjendej praktikisht në prag hiperinflacioni, pasi një pjesë e madhe e shpenzimeve të qeverisë mbuloheshin me printim parash. Por një rritje po aq galopante borxhi pësoi edhe gjatë viteve 2007-2009.
Situata pritet të përkeqësohet

Sipas analizës së FMN-së, kostoja e borxhit publik shqiptar është relativisht e ulët tani për tani, për shkak se pjesa dërrmuese e borxhit të jashtëm përbëhet nga kredi me interesa të ulëta të dhëna nga grupi i Bankës Botërore.

Por situata pritet të ndryshojë, sepse në dekadën e ardhshme Shqipëria do të paguajë pjesën dërrmuese të këtyre borxheve dhe qeveria ka në plan t’i zëvendësojë me borxhe me interesa tregtare, gjë që mund të dyfishojë koston vjetore të interesave. Në një situatë të tillë, qeveria shqiptare do të duhet të kursejë për shumë vite, gjë që transformohet në vuajtje për të gjithë popullatën.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)