21 Maj 2019

Financimi i ndërmarrësisë inkurajon hapjen e bizneseve të reja

Prishtinë, 16 nëntor - Financimi i ndërmarrjeve të reja paraqet një ndër elementet kryesore në ekosistemin e ndërmarrësisë në vend.

Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Amerikane në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, ku u diskutua mbi alternativat që ndërmarrësit e rinj në vend i kanë në dispozicion për të financuar idetë e tyre të biznesit, dhe sfidat me të cilat ata ballafaqohen në këtë aspekt.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se gjatë kësaj jave është synuar që të trajtohet ndërmarrësia nga kënde të ndryshme në mënyrë që kësaj teme t’i jepet një rëndësi e shtuar në shoqëri.

Në këtë drejtim, ai tha se financimi paraqet një element kyç në ekosistemin e ndërmarrësisë dhe si i tillë ka rëndësi të madhe në inkurajimin e ndërmarrjeve të reja në vend.

Ramis Ahmetaj, anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, theksoi se Kosova është me fat që ka një sektor bankar shumë stabil që ka ndihmuar në rritjen e sektorit privat në vend.

Megjithatë, ai shtoi se në nivel global sektori bankar nuk shihet si burim financimi për ndërmarrje të reja, marrë parasysh se bankat menaxhojnë me depozita të individëve dhe risku i financimit të këtyre ndërmarrjeve është zakonisht më i lartë.

Rrjedhimisht, ai sqaroi se financimi përmes ekuitetit në masë të madhe konsiderohet si opsioni më i mirë për ndërmarrësit e ri.

Robert Wright, Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen Bank në Kosovë, tha se në Kosovë ekziston një frymë e mirë e ndërmarrësisë, dhe ky faktor mund t’i kontribuojë zhvillimit ekonomik në vend, marrë parasysh edhe papunësinë e lartë që ekziston në vend në mesin e të rinjve.

 Wright tha se anembanë botës, ndërmarrjet e reja ballafaqohen me sfida në financim dhe duhet që edhe vetë ndërmarrësit të jenë të gatshëm të marrin një pjesë të riskut përsipër. Poashtu, ai tha se edhe ndërmarrjet që veçse janë konsoliduar në treg duhet të sigurohen që kultura e tyre organizative nxit ndërmarrësinë brenda kompanisë në mesin e punëtorëve.

Eriola Bibolli, Zëvendës Kryeshefe Ekzekutive e ProCredit Bank në Kosovë, tha se sektori bankar është gjithnjë i gatshëm të financojë dhe të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zhvillimin e inovacionit, por edhe sektorin e teknologjisë informative i cili tashmë është duke u zgjeruar globalisht.

Ajo shtoi se fokusi i bankës në të ardhmen është që portfolion e kredive ndaj NVM-ve ta orientojë sa më shumë drejt aktiviteteve të prodhimit dhe ndërmarrjeve në sektorin e shërbimeve.

Bibolli sqaroi se në nivel të Bashkimit Evropian ekzistojnë disa mekanizma që lehtësojnë qasjen në financa për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, dhe se në Kosovë është bërë diçka e ngjashme përmes Fondit për Garantimin e Kredive.

Në vazhdim, të pranishmit në tryezë patën rastin të diskutojnë mbi mënyrat për të krijuar mekanizma të financimit të ndërmarrjeve të reja në vend, si një hap kyç në zhvillimin e ekosistemit të ndërmarrësisë në vend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 maj 2019 - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 9:00)

- Komiteti për Politik dhe Financa i Komunës së Rahovecit mban mbledhjen e pestë të rregullt në të cilen shqyrton Qarkoren e parë buxhetore të Ministrisë së Financave. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reqica dhe Avokati i Popullit raportojnë para komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me çështjen e statusit të personave të plagosur në Kosovë, para periudhës së luftës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar, në mbështetje të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë organizon konferencën “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë- Shqipëri”, konferencë kjo e cila do të adresojë problemet dhe barrierat tregtare që prodhuesit e dy të dy vendeve janë duke i hasur. (Hotel Tirana International në Tiranë, ora 10:30)

- “Let’s Do It” organizon aksion për pastrimin e deponisë më të madhe në Rajonin e Pejës, në fshatin Dydesh. (Fshati Dydesh, ora 10:30)

-  Projekti “Mbështetja e Komunikimit të Procesit të Integrimit Evropian”, I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian, organizon panel diskutimime temën: Prodhimi vendor dhe tregu i BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit Komunal të Kamenicës, ora 10:30)

- Mbahet seancë e veçantë e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të përkujtohet 20 vjetori i Masakrës në Burgun e Dubravës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi do të pres në takim kryetarët e komunave: Prizren, Podujevë, Shtërpc, Obiliq dhe Novobërdë, me të cilët do të nënshkruajë Memorandume të Bashkëpunimit për realizimin e disa projekteve mjedisore të cilat financohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. (Kabineti i Ministrit Matoshi, ish objekti Rilindja, kati 17, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova pret në takim zëvendës ambasadorin bullgar në Kosovë ku do të bëje nënshkrimin e një marrëveshjeje për financimin e një projekti në qerdhën “Gëzimi Ynë” në Istog. (Zyra e krytarit Rugova, ora 11:30)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të votohet vendimi i Qeverisë me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike "Telekomi i Kosovës". (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 12:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan organizon promovimin e katër librave të profesorëve  të Fakultetit të Edukimit ne UKZ: “Poetika e këngës epike historike”  autore Nevrije Bislimi-Ismaili, “As engjëlli, as djall” autor  Merxhan Avdyli, “Kurrikula dhe të menduarit kritik” autor Mensur Neziri dhe libri “Kërkime në leksikun e Pjetër Bogdanit” i autorit Faton Krasniqi. (Salla A34 në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të shqyrtohet raportit vjetor i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vitin 2018, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të bëjë përurimin e parkut dhe këndit të lojërave për fëmijë. (Prapa Shtëpisë së Bardhë në Prizren, ora 13:00) 

- Mbahet mbledhja e komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të shqyrtohet Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj merrë pjesë në përurimin e urës së fshatit Topanicë, komuna e Kamenicës. (Fshati Topanicë, rruga Crep - Kamenicë, kilometri i parë, ora 15:00)

- Mbahet Akademi përkujtimore në nderim të 20 vjetorit të rënies së dëshmorëve Kemal Thaqi e Ekrem Gudaqi dhe martirëve të rënë më 21 maj të vitit 1999, Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Baki Bela, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi. (Shtëpia e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik 16:00)