18 Shtator 2020

Fillon përgatitja e programit të reformave në ekonomi

Prishtinë, 4 gusht - Në kuadër të dialogut për qeverisjen ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Qeveria e Kosovës për herë të shtatë do të përgatisë Programin e Reformave në Ekonomi.

Bashkimi Evropian i kushton shumë rëndësi procesit të qeverisjes ekonomike me vendet e zgjerimit në mënyrë që ato të jenë të gatshme për pjesëmarrjen e tyre eventuale në Semestrin Evropian duke kërkuar që të përgatisin dhe të dorëzojnë Programet e tyre vjetore të Reformave në Ekonomi (PRE).

PRE përmban parashikimet afatmesme makroekonomike, planet buxhetore për tri vitet e ardhshme dhe një agjendë të reformave strukturore.

Dialogu në fund përmbyllet me takimin e nivelit të lartë ndërmjet BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë të cilit pjesëmarrësit miratojnë Konkluzionet e Përbashkëta që përfshijnë udhëzime të politikave specifike për vendin e që pasqyrojnë nevojat më imediate  të reformave në ekonomi për 12 muajt e ardhshëm. 

Prandaj, duke u bazuar në Vendimin e Qeverisë Nr.04/18 së datës 29 korrik 2020 për procesin e përgatitjes së Programit për Reforma në Ekonomi 2021-2023, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka ftuar takimin konsultativ rreth fillimit të këtij procesi, i cili do të mbahet sot në Ndërtesën e Qeverisë.

Takimi synon të diskutojë rëndësinë e procesit të Programit të Reformave në Ekonomi (PRE), Udhëzuesin e ri për PRE 2021-2023, duke përfshirë prioritetet e reformave strukturore riprioritizimin e tyre për të mbështetur në mënyrën më adekuate rimëkëmbjen nga kriza Covid-19 dhe propozimin e masave të rimëkëmbjes së post-Covid 19.

Për shkak të situatës nga kriza Covid -19, pjesëmarrësit e takimit do të jenë ministrat e përfshirë në proces të PRE dhe koordinatorët e fushave nga ministritë e linjës, kurse përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, ambasadat e vendeve anëtare të BE-së, partnerët zhvillimorë dhe institucionet ndërkombëtare financiare, përfaqësues nga shoqëria civile dhe sektori privat do të njoftohen rreth diskutimeve dhe minutave të takimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Shtator 2020

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit te Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj, do të bëjnë përurimin e shtimit të katit të dytë dhe renovimit të katit të parë të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Zhur. (Fshati Zhur, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e nëntë e Komiteti për Politik dhe Financa të Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit në objektin e ri të administratës komunale të Rahovecit, ora 10:00)  

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ketë nje vizitë një grupi të të rinjve të Kosoves, nga etni të ndryshme. (Kabineti i Ministres MKRS, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në mbledhjen komemorative për gazetarin Sulejman Gashi. (Salla “ 1 Tetori ”, ora 13:30)

- Banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës protestojnë pas vendimit për mbylljen e disa shkollave në këtë qytet. (Para objektit të Komunës së Kamenicës, ora 14:00)