29 Mars 2024

Diplomojnë 281 studentë të UBT-së

Prishtinë, 10 korrik - Në një ceremoni madhështore, organizuar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), u zhvillua Ceremonia e Diplomimit 2010, në të cilën studimet bachelor i përmbyllën 281 studentë të katër departamenteve: Departamenti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Departamenti për Drejtësi, Shkenca Politike dhe Diplomaci, Departamenti për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri si dhe Departamenti për Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor.


Ceremonia u hap me antonimin e Himnit të Kosovës  dhe me parakalimin e anëtarëve të Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe vijoi me fjalën e Presidentit të UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi.

Duke folur para të pranishmëve, prindër, familjarë dhe miq, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të atyre ndërkombëtare, përfaqësues të medieve, profesorë dhe studentë të UBT-së dhe të ftuar të tjerë Hajrizi tha: “Ju dëshirojmë mirëseardhje në ceremoninë e përfundimit të studimeve dhe ceremoninë e diplomimit të studentëve të nivelit bachelor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji dhe atë për katër fakulteteve: Departamentin për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Departamentin për Drejtësi, Shkenca Politike dhe Diplomaci, Departamentin për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri si dhe Departamentin për Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor.

Ne jemi shumë të nderuar që ju sot jeni pjesë e kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme, e cila sigurisht është një prej momenteve më të veçanta në jetën e absolventëve tanë.

Kjo ceremoni është si rezultat që del nga një përkushtim i juaj disavjeçar për të studiuar dhe për të ndërtuar një dije dhe një personalitet lideri në njërin prej profesioneve të zgjedhura nga ju, me qëllim të arritjes së një cilësie më të lartë jetësore për ju dhe shoqërinë.

Nevoja për një lider profesional është kërkesë e përditshme kudo në botë, por edhe në Kosovë.

Ne po kërkojmë të zhvillojmë një personalitet, i cili është shumë i përgatitur profesionalisht, është i përkushtuar në punë, ka shkallë të lartë kreativiteti dhe inovacioni, ndërton partneritete me të tjerët, ndihmon veten dhe shoqërinë, puna e tij bazohet ne fakte dhe rezultate, ka një aftësi të lartë ndërkulturore dhe interdisiplinare, por ka edhe një komunikim modern të bazuar në vlerat më të larta.

Studimet në UBT kanë pasur dhe kanë pikërisht një qëllim, që bazohet në atë që thamë: ofrimin e veglave dhe aftësive te nevojshme individit për të marrë vendime racionale dhe që i garantojnë atij suksese dhe vlera që bazohen në standardet më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.

Detyra kryesore është që t’ia ofrojmë studentit tonë të gjitha arritjet e fundit në shkencën e menaxhimit, në ekselencën biznesore, në teknologjinë më moderne, në robotikë, në arkitekturë, në dizajn, planifikim hapësinor, marrëdhënie ndërkombëtare, diplomaci, në integrimet evropiane por edhe në kompetencën sociale.

Kjo është mundësuar falë një planprogrami modern që UBT e ka krijuar, duke u bazuar në standardet evropiane dhe amerikane të studimeve por edhe në bazë të nevojave dhe kërkesave që dalin nga tregu i punës.

Po ashtu, kjo është mundësuar edhe falë angazhimit të një stafi akademik me një eksperiencë të lartë ndërkombëtare në shkencë por edhe në aspektin profesional.

Më shumë se 250 profesorë dhe ekspertë, nga katër kontinente, nga 20 vende dhe kultura të ndryshme, nga rreth 50 e më shumë  universitete dhe institucione partnere me renome botërore, po sjellin në UBT përvojën dhe dijen e tyre në këto programe ku ju, të nderuar absolventë, keni studiuar.

Kjo ka krijuar një ambient unik ndërkombëtar, ndërkulturor dhe interdisiplinar jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Kjo i krijon UBT-së mundësinë të ofrojë programe dhe projekte që nuk kanë qenë më parë të pranishme në Kosovë.

Dhe natyrisht kjo ditë e sotme vjen si rezultat i punës së madhe dhe të palodhshme të të gjithëve në UBT, por para së gjithash si rezultat i punës studioze dhe të palodhshme që bëtë dhe po bëni ju, të nderuar studentë dhe absolventë.

Me angazhimin tuaj të madh, me argumentet e shumta të paraqitura për nivelin e zhvillimit të UBT-së, mbështetur në programet dhe rezultatet studimore, duke u anëtarësuar në shumë mekanizma ndërkombëtarë, ju dhe UBT ia keni dalë të thyeni bllokadën dhe pengesat e shumta, duke u shndërruar në ambasadorë të vendit tonë, për prezantimin e vlerave ekzistuese dhe synimeve të vendit tonë për të përqafuar trendet më bashkëkohore të zhvillimeve në shkencë e teknologji, duke bindur dhe gjithë të tjerët se në Kosovë ka vlera që duhen çmuar e përkrahur dhe duke dëshmuar njëkohësisht se studentët dhe ekspertët kosovarë mund të përfaqësohen denjësisht në të gjitha rrethet kulminante shkencore botërore.

Me këtë ju po ndihmoni vetveten por njëkohësisht po ngrini vlerat dhe cilësinë e jetës në vend. Dhe ju të gjithë sot meritoni një respekt të veçantë dhe një falënderim të posaçëm”.

Me nga një fjalë rasti ceremoninë e kanë përshëndetur edhe  Peter Kopacek,  Kryetari i Këshillit Akademik  dhe ligjërues në UBT ,  ceremoni e ka përshëndetur  zëvendëspresidenti i UBT Derek Child, ndërsa në emër të Alumnit të UBT-së, ceremoninë e ka përshëndetur Arton Celina.

Pas fjalëve përshëndetëse ka vijuar ceremonia e diplomimit, me dhënien e betimit nga të porsadiplomuarit dhe me marrjen e certifikatave.

Po kështu, gjatë kësaj ceremonie janë shpallur edhe studentët e dalluar të të katër departamenteve, të cilët janë nderuar me certifikata. Nga Departamenti  Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor u certifikuan këta studentë  si Anisa Kryeziu,  Adea Gashi,  Njomza Havolli dhe  Erden Halili, nga Departamenti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi janë Ylberina Gashi , Violeta Halili , Berat Thaqi, Kaltrina Bonjaku dhe Ajete Kosumi, nga  Departamenti Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri janë Visar Nura , Vedat Shaqiri, Milot Cakaj,  Arlind Nushi  dhe  Albana Gjinolli, Adelina Shabani, Valbona Dermaku dhe Rexhep Gashi vijën nga Departamenti  Drejtësi, Shkenca Politike dhe Diplomaci.

Manifestimi është përcjellë me pika të zgjedhura muzikore, ndërsa madhështinë atij ia kanë shtuar mysafirët e shumtë, të cilët kanë madhështuar ceremoninë e diplomimit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)