19 Prill 2024

Deputetet kërkuan 12 muaj për pushimin e lehonisë

Prishtinë, 14 korrik -  Nën organizim të Grupit Joformal të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Demokratik Kombëtar (NDI), është mbajtur sot në Prishtinë tryeza rreth Projektligjit të Punës, në të cilën është diskutuar rreth përmbajtjes së këtij Projektligji dhe domosdosë së ndryshimit të disa neneve të tij.

Duke e vlerësuar si një prej ligjeve më të rëndësishme, diskutues nga Kuvendi, Qeveria, NDI-ja, Inspektorati i Punës, Sindikatat e Shëndetësisë dhe sindikatave të tjera, Rrjeti i Grave të Kosovës, Instituti GAP dhe përfaqësues institucioneve të tjera shtetërore e të shoqërisë civile, diskutuan gjerësisht rreth tij, duke shtruar nevojën e ndryshimit të neneve të caktuara, për të cilat u propozuan edhe amendamente.

Ata u fokusuan në nenin që përcakton kohën e pushimit të lehonisë dhe dhanë propozimet e tyre konkrete, duke kërkuar që ai të jetë 12 muaj, si domosdoshmëri për nënën dhe rritjen e shëndetshme të fëmijës.

Pjesëmarrësit potencuan edhe çështjen e kontratave verbale të punës, ndërprerjen e kontratës së punës nga punëdhënësi, caktimin e pagës minimale, pushimin mjekësor, orarin e punës, punën e fëmijëve, si dhe çështje të tjera në interes të qytetarëve, të cilët preken direkt nga ky ligj dhe për të cilat u propozua që të ndryshohen dhe saktësohen gjatë amendamentimit.

Në fund të diskutimeve, organizatori bëri përmbledhjen e rekomandimeve të nxjerra nga tryeza, për lobim të mëtutjeshëm, krahas rekomandimeve që ai ka nxjerrë në konsultim me përfaqësuesit e NDI-së.

Kryetarja Grupit Joformal të Grave Deputete, deputetja Flora Brovina, theksoi se në kuadër të kë tij grupi, edhe më herët është paraparë që të diskutohet për Ligjin e Punës dhe nevojën për të, pasi që çështja e marrëdhënies së punës nuk është rregulluar mirë. Brovina tha se pas ardhjes së këtij ligji në Kuvend, deputetet ishin shumë aktive gjatë shqyrtimit të parë, me ç’rast u pa se ligji është i nevojshëm, por ka edhe shumë mangësi.

“Ne do të bëjmë çmos që ky ligj të përmirësohet. Si kryesi e Grupit të Grave, kemi përgatitur disa amendamente, të cilat do t’i dorëzohen grupit punues në komisionin përkatës”, theksoi Brovina, duke veçuar amendamentin rreth pushimit të lehonisë, rreth të cilit propozohet që gruaja të shfrytëzojë 12 muaj pushim.

Nga ta, gjashtë muaj të paguhet me 80 për qind të pagës, ndërsa, gjashtëmujori tjetër të jetë pushim i prindërve, të cilin do ta shfrytëzonte njëri nga prindërit dhe do të paguhej me 60 për qind të pagës. Në rekomandime të tjera përcaktohet mbrojtja e fëmijëve nga puna nën moshën 16 vjeçare, mbrojtjes së nënës që ka më shumë se një fëmijë etj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)