05 Tetor 2022

Delegacioni i BQK-së përfundon takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së

Prishtinë, 25 prill - Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori Fehmi Mehmeti përmbylli pjesëmarrjen në takimet pranverore të organizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Në këto takime që u mbajtën në Uashington të SHBA-ve, në formë fizike u dha mbështetja për punën e deritashme të BQK-së dhe angazhimet e mëtutjeshme.

Zëvendësdrejtori Menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li ka theksuar mbështetjen e mëtutjeshme për BQK-në edhe në të ardhmen.

Gjatë qëndrimit në takimet pranverore, Guvernatori Mehmeti takoi Drejtorin e Departamentit Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer, me të cilin u diskutua për zhvillimet e fundit makroekonomike, si dhe zhvillimet në sistemin financiar të Kosovës, i cili po vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ndërkohë, Udabir S. Das nga Departamenti i Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka dhënë mbështetje në ofrimin e asistencave teknike në realizimin e rekomandimeve të dala nga Shqyrtimi i Stabilitetit të Sistemit Financiar (Financial System Stability Review-FSSR).

Gjithashtu, ekipi i Departamentit të Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit, vlerësoi realizimin nga BQK të disa prej rekomandimeve të dala nga ky raport.

Guvernatori Mehmeti u takua edhe me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën të udhëhequr nga Gabriel Di Bella, si dhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Fond, Daniel Palotai.

Në takimin me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerde, u diskutua për mbështetjen e mëtutjeshme të BQK-së përmes projekteve të ndryshme, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Guvernatori Mehmeti u takua me Drejtorin Ekzekutiv të konstituencës së Bankës Botërore Hayrettin Demircan, si dhe mori pjesë në takimin me Ministrat dhe Guvernatorët ku temë diskutimi ishte perspektiva dhe sfidat e politikave për Evropën.

Takimet pranverore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bordit të Guvernatorëve të Grupit të Bankës Botërore mbledhin së bashku bankierë qendrorë, ministrat e financave dhe zhvillimit, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe akademikëve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 tetor 2022

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues në Gjilan. (Salla e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama. (Ndërtesa e Komunës, ora 10:45)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve pret sekretaren e ambasadës së Malit të Zi, Fedisa Dacić ku edhe do të mbahet konferenca për media lidhur me Forumin Ekonomik Ndërkombëtar Ulqini. (Objekti i AKB-së, ora 11:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. (Selia e FFK-së, ora 11:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton në parim Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:30)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit organizon ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve të aseteve përmes likuidimit nr. SHAL 59. (Hotel Grand, ora 12:30)

- Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Integrime Evropiane. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komuna e Gjilanit organizon mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e prof. dr. Shqiponja Isufit. (Salla e teatrit të qytetit të Gjilanit, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban mban konferencë për media. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 15:00)

- Zhvillohet ndeshja Kosovë - Itali në kuadër të Kualifikimeve e Evropianit U17. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 16:00)