21 Janar 2020

Britania e gatshme për të mbështetur Kosovën në luftë kundër pastrimit të parasë

Prishtinë, 3 dhjetor - Ka filluar punëtoria dy ditore e organizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe e mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë me temë: “Pastrimi i parave/konfiskimi i pasurisë”.

Hapja e kësaj punëtorie u bë nga Ambasadori Britanik në Kosovë Nicholas Abbott, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe ai i Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj.

Në këtë punëtori në të cilën po marrin pjesë prokurorë, gjyqtarë, policë dhe përfaqësues të institucioneve tjera të drejtësisë dhe sigurisë, Ambasadori Abbott tha se shpreson që gjatë kësaj punëtorie pjesëmarrësit do të përfitojnë përvoja të reja jo vetëm në ndjekjen dhe dënimin e krimit të pastrimit të parave, por mbi të gjitha në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Me tej, Ambasadori Abbott duke iu drejtuar pjesëmarrësve tha: “Ju jeni ata që duhet të hetoni, zbuloni, dënoni dhe shkatërroni skemat e pastrimit të parasë, mirëpo për të përfunduar me sukses dhe për të qenë e plotë puna e juaj, duhet edhe të konfiskoni pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme”, dhe shtoi se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ndihmojë Kosovën në këtë fushë.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, pasi falënderoi Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen në organizimin e kësaj punëtorie, tha se kjo punëtori është e mirëseardhur për prokurorët, pasi që do të kenë mundësinë që për së afërmi të njihen me sfidat, perspektivat, të arriturat dhe legjislacionin e Mbretërisë së Bashkuar në luftën kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave, krimit të organizuar, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve gjatë hetimit dhe ndjekjes penale.

Kryesuesi Hyseni përmendi disa veprime të ndërmarra nga Këshilli Prokurorial e që ndërlidhen me temat e trajtimit në këtë punëtori.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës ka themeluar Njësit të veçantë për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike në Prokurorinë Themelore në Prishtine. Në vitin 2013 ka themeluar Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Koordinatori kombëtar, që është prokuror, që nga themelimi ka raportuar në baza 3 mujore lidhur me luftimin e krimeve ekonomike. Në këto raporte janë të përfshira edhe të dhënat sa i përket sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve”, tha Hyseni.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj tha se pastrimi i parave është fenomen që as Kosova nuk është imune ndaj saj, mirëpo sipas tij, lufta nga policia, sistemi prokurorial dhe gjyqësor i Kosovës vijon me ritme të fuqizuara kundër kësaj dukurie.

Kryesuesi Çoçaj në përfundim të fjalës së tij tha se mbetet ende punë dhe përkushtim më i fuqishëm nga të gjithë akterët relevant, përfshirë edhe pjesëmarrësit e kësaj punëtorie, në mënyrë që të arrihet materializimi i objektivave apo synimeve për ta luftuar këtë fenomen të rrezikshëm për shoqërinë.

Kjo punëtori dy ditore po udhëhiqet nga Michael Hopmeier, gjykatës nga Mbretëria e Bashkuar, i cili do të diskutojë për sfidat e hetimit të krimit ekonomik, rregullimin dhe parandalimin e pastrimit të parave, regjimin e konfiskimit në Kosovë dhe tema të tjera lidhur me konfiskimin.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 janar 2020 - Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e parë të rregullt të Komiteti për Politik dhe Financ. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova bëjnë homazhe te varri i tij. (Velani, ora 10:30) 

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj bën homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e vdekjes së tij. (Velani, ora 10:30)

- Anëtarë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike vizitojnë Familjen Rugova. (Velani, ora 10:45)

- Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mban konferencë për media në lidhje me projektet e ndërtimit në Liqenin e Badovcit. (Qendra e Lëvizjes në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës shënon Ditën e Arkivit me promovimin e katallogut të dokumenteve Osmane në Arkivin Komunal të Prishtinës. (Salla e Kuvendit Komunal, ndërtesa e vjeter e Komunës, ora 11:00)

- Prokuroria Themelore në Prizren mban konferencë për media ku do të prezantohet raporti i punës për vitin 2019 dhe objektivat e kësaj prokurorie për vitin 2020. (Zyra e Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Prizren, rruga William Walker, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. (Hotel Emerald, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë të Lidhjes Demokratike e Kosovës. (Selia e LDK-së, ora 14:00)

- Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHwB Kosova organizon prezantimin e librit "Qyteti në Miniaturë". (Shkolla speciale për të verbër në Pejë, ora 14:00)

- Komuna e Gjilanit organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. (Teatri i qytetit te Gjilanit, ora 16:30)

- Komuna e Rahovecit organizon debat publik me banor të fshatit Opterushë dhe fshatrave për rreth për krijimin e Zonës Ekonomike. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ”Lidhja e Prizrenit” në fshatin Opterushë, ora 17:00)