18 Prill 2024

Bizneset e Suharekës të unifikuar në largimin e barrierave aktuale

Suharekë, 11 dhjetor - Afaristët e Komunës së Suharekës u pajtuan që bizneset duhet të kenë më shumë unitet në kërkesat e tyre dhe se duhet të krijohet një strategji e veprimit në mënyrë që kërkesat të jenë më efektive.

Në vazhdën e lobimit të fuqishëm për bizneset në Kosovë, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka vazhduar me aktivitetin “Kafja e Mëngjesit” në qytetin e Suharekës. Pronarë të shumë bizneseve janë mbledhur të martën në ambientet e restorantit “Enoteka” ku kanë diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre në Kosovë.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi hapi fjalimin duke potencuar aktivitetet të cilat po i bënë Oda në mënyrë të vazhdushme për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes në Kosovë.

Ai ka përmendur një mori ligjesh që ekzistojnë momentalisht në Kosovë, të cilat i pengojnë bizneset drejpërdrejt në punën e tyre e që rrjedhimisht duhet të ndryshohen. Disa prej këtyre ligjeve janë: Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji i Punës, Ligji për Pushimin e Lehonisë, Ligji për TVSH, dhe krijimin e Ligjit për Tregti të Brendshme.

Ndërkaq, Kryetari i Qendrës për Biznes në Suharekë Gani Sallauka tha se Suhareka përbën zonën më të mirë industriale në Kosovë dhe ka 2500 biznese aktive. Ai përkrahu propozimet e OAK – së që subvencionet dhe grantet të shkojnë në vendin e duhur pra në prodhim. Gjithashtu ai tha se goditjen më të madhe që kanë marrë bizneset nga shteti është rritja e pagave në sektorin publik me ç’rast shteti u është bërë konkurrent i drejpërdrejt bizneseve private.

E Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, Remzi Bytyqi propozoi që të aplikohet mësimi dual për nxënësit si kombinim mes teorisë në shkolla dhe praktikës në biznese në mënyrë që nxënësit të dalin sa më të përgatitur për ta ushtruar profesionin e tyre.

Ndërkaq, anëtari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Hysni Zogaj u pajtua se problemet egzistojnë, mirëpo tha se bizneset duhet të veprojnë së bashku njëzëri duke krijuar kështu një “Kupolë Biznesore”, në të cilin rast kërkesat do të bëheshin më efektive.

Ndërsa Beqir Seferi nga “I.Seferi” SH.P.K. theksoi se duhet të stimulohet sa më shumë prodhimi kualitativ dhe të mos lejohen ndërtimtarët të bëjnë ndërtime me kualitet të dobët. Për më shumë ai kërkoi që të gjitha bizneset të flasin njëzëri dhe t’i adresojnë problemet e tyre te institucionet përkatëse.

Ndërkaq Afrim Gashi nga “Burimi – AG” SH.P.K. u shpreh i pakënaqur me detyrimin që u bëhet bizneseve për pagesë të akcizës e cila sipas tij nuk përmendet askund dhe se akciza e brendshme duhet të largohet për bizneset prodhuese. Ai gjithashtu potencoi se bizneset e llojit prodhues kanë nevojë më të madhe për përkrahje institucionale.

Xhevat Muqa nga “Muqa Solar” SH.P.K. theksoi që kuadrot janë esenciale për bizneset, andaj duhet të lobohet sa më shumë që të bëhet inkorporimi i shkollave profesionale dhe bizneseve.

Refki Zogaj nga “Agronomi” SH.P.K. theksoi se kushtet për zhvillim të biznesit në Kosovë nuk janë të favorshme. Ai tha se duhet të bëhet vendosja e fitopatologëve të duhur në dogana dhe të bëhet testimi i farave mbjellëse që hyjnë në Kosovë.

E krejt në fund fjalën e mori Haziz Tafaj nga “Agrokosova Holding” i cili tha se problemet egzistojnë, mirëpo duhet krijuar një plan i veprimit, apo një mekanizëm për adresim të problemeve në vazhdueshmëri. Ai potencoi se duhet të bëhet koordinimi mes shkollave, biznesit dhe politikës në mënyrë që nxënësit të aftësohen sa më mirë në profesionet e tyre.

Organizimi “Kafja e Mëngjesit” rrugëtimin e saj e vazhdon në javën në vijim në Komunën e Gjakovës dhe Gjilanit.

Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, anëtari i bordit Hysni Zogaj, koordinatorja Qendresa Ibrahimi dhe zyrtarët Mirjeta Shala dhe Astrit Halili.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)