01 Prill 2020

Bislimi e Barišić shprehen të gatshëm për të thelluar bashkëpunimin në financa

Prishtinë, 21 shkurt - Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi ka pritur në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë Danijela Barišić, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet  institucioneve të Kosovës dhe Kroacisë, si dhe planet në të ardhmen, veçanërisht në fushën e financave.

Me këtë rast, ministri Besnik Bislimi falënderoi ambasadoren e Kroacisë për angazhimin e shtetit të saj në përkrahjen e Kosovës në proceset integruese evropiane, si dhe shprehi gatishmërinë e tij dhe institucionit që drejton për të thelluar bashkëpunimin me Kroacinë sidomos në fushën e financave.

Ai më tej e njoftoi Ambasadoren Barišić  për prioritetet e Qeverisë Kurti, me fokus të veçantë në projektet që pritet të përfshihen në buxhetin e vitit 2020.

Ndërsa, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Danijela Barišić, e uroi Ministrin Bislimi për detyrën e re dhe shprehi gatishmërinë e shtetit të saj për bashkëpunim në fushat me interes për të dyja vendet. 

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e fokusit të Qeverisë Kurti në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si një ndër parakushtet kryesore për një shtet stabil dhe funksional.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Prill 2020  - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. (Zyra e Presidentit, Prishtinë, ora 10:00)

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e LDK-së,  Isa Mustafa. (Zyra e Presidentit, ora 10:30)

- Instituti i Medies i Kosovës mban konferencë për medie në lidhje me masat e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur sektorin privat të bizneseve për masat diskriminuese të Qeverisë ndaj mediave private te Kosoves. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. (Zyra e Presidentit, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban konferencë për media me temë "AKB reagon pas vendimit për zëvendësimin e taksës me masa reciprociteti'. (Zyret e AKB-ës, ora 13:00)