27 Shtator 2022

BERZh mbetet një ndër partnerët kryesorë zhvillimorë të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 22 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), të kryesuar nga Mark Bowman, zv. President i BERZh për Politika dhe Partneritet, Oleg Levitin, Zëvendës Drejtor për Qeverisje dhe Çështje Politike, si dhe Neil Taylor, Udhëheqës Rezident i Zyrës së BERZh në Kosovë.

Duke theksuar se BERZh-i mbetet një ndër partnerët kryesorë zhvillimorë të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i falënderoi në emër të Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u  bisedua  për projektet aktuale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit për të ardhmen.

U tha se pavarësisht sfidave, ekonomia është e qëndrueshme dhe po zgjerohet vazhdimisht, ndikuar edhe nga Pako e Ringjalljes Ekonomike. U veçua mbështetja për prodhuesit vendorë, rritja e subvencioneve në bujqësi dhe subvencionimi i çmimeve të energjisë elektrike. U veçua edhe themelimi i Gjykatës Komerciale.

Duke theksuar se sundimi i ligjit dhe transparenca janë thelbësore për një klimë të mirë investimi, u tha se Qeveria mbetet e përkushtuar për këtë gjatë gjithë mandatit.

U bisedua edhe për ndikimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, në rritjen e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe energjisë. U theksua se Qeveria po mbështet qytetarët dhe bizneset në përballje me inflacionin me një sërë masash.

Duke ritheksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e  përkushtuar për tranzicion drejt energjisë së gjelbër, kryeministri Kurti falënderoi BERZh-in, që krahas partnerëve si  MCC, KfW dhe EIB, na mbështesin në këtë drejtim.

Në këtë takim u potencua se partnerët ndërkombëtarë kanë luajtur rol kyç në shtyrjen e agjendës sonë përpara lidhur me përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë në përgjithësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022

 - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënon Ditën Botërore të Turizmit, në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe me përkrahjen e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Privat (PPSE). (Parku Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)