05 Dhjetor 2022

BERZH e sheh Kosovën si vend kredibil dhe partner serioz për bashkëpunim

Prishtinë, 12 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim një delegacion të lartë të Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZH) të udhëhequr nga presidentja e BERZH, Odile Renaud Basso.

Në takim, Presidentja Osmani e vlerësoi punën e BERZH në Kosovë dhe faktin që BERZH mbështet projekte të cilat përfundimisht kontributojnë në avancimin e mirëqenies së qytetarëve.

Në veçanti ajo potencoi punën e bërë në fushën e sektorit të energjisë, ndërtimin e kapaciteteve të sektorit privat, dhe punën në drejtim të fuqizimit të grave dhe vajzave në ekonomi.

Presidentja Osmani tha se mbështetja e projekteve infrastrukturore, por edhe ofrimi i ekspertizës në fusha të ndryshme, kanë ndikuar në avancimin e gjithmbarshëm të punës së institucioneve në vend.

Duke diskutuar për prioritetet në fushën e politikave dhe orientimin zhvillimor, Presidentja Osmani bëri thirrje për ndihmë të vazhdueshme në drejtim të përballimit të sfidave në sektorin e energjisë, fuqizimin dhe aktivizimin e grave dhe vajzave në tregun e punës, si dhe angazhimin për tkurrjen e hendekut në mes të nevojave të tregut të punës dhe sistemit arsimor në vend.

Nga ana e BERZH u prezantuan projektet aktuale dhe të ardhshme, si dhe u vlerësua fakti se me rezultate pozitive siç ishte rasti i vlerësimit të Kosovës në Indeksin e Percepsionit të Korrupsionit, Kosova shihet gjithnjë e më shumë si vend kredibil dhe partner serioz për bashkëpunim.

Palët u dakorduan për bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm në drejtim të mundësimit të jetësimit të sa më shumë projekteve investive e zhvillimore të cilat do të kontribuojnë përfundimisht në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)