19 Prill 2024

Beqaj kërkon ndryshimin e disa ligjeve në sferën ekonomike

Prishtinë, 2 mars –Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dr. Jakup Krasniqi, e ka pritur kryetarin e Odes Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj , i cili shoqërohej nga një grup biznesmenësh kosovarë dhe ka biseduar me ta lidhur me problemet dhe sfidat me te cilat po ballafaqohet komuniteti i biznesit në Kosovë dhe jashtë vendit.

Kryetari i OEK-ut, Beqaj, e ka njoftuar kryeparlametarin Krasniqi për ecuritë ekonomike në vend. Ai ka ngritur shqetësimin e tij dhe të komunitetit të biznesit, për rritën e pamjaftueshme ekonomike, të shënuar në vend, si dhe për shtimin e papunësisë. Ai ka theksuar se gjendjen në lëmin e ekonomisë në Kosovë e vështirëson vonimi i nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit ekonomik dhe të lëmit të shërbimeve me vende të ndryshme.

Në funksion të përmirësimit të situatës ekonomike në vend, Beqaj ka përmendur nevojën e ndryshimeve të një varg ligjesh, të cilat e rregullojnë sferën ekonomike të vendit. Në këtë vështrim ai ka kërkuar pjesëmarrjen e ekspertëve të Odës Ekonomike të Kosovës në punën e komisioneve parlamentare, kur shqyrtohen projektligjet që e rregullojnë jetën ekonomike në Kosovë, ose reflektojnë pozitivisht për bizneset e huaja në vendin tonë, të cilat punësojnë qytetarët dhe gjenerojnë të ardhura.

Kryeparlamentari Krasniqi ka shfaqur mirëkuptim për shqetësimet e kryetarit të OEK-ut dhe të përfaqësuesve të biznesit, duke shprehur njëherësh gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të bashkëpunuar në interes të përparimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. “Mbetet obligim i Odës Ekonomike të Kosovës të piketojë të gjitha ligjet e sferës ekonomike të miratuara më parë që ka nevojë të plotësohen apo ndryshohen, si dhe të japë propozimet më të qëndrueshme për t’i bërë sa më sa më funksionale ligjet ekonomike të vendit”, ka theksuar Krasniqi.

Kryetari i OEK-ut dhe përfaqësuesit e biznesit, pjesëmarrës në këtë takim, duke e falënderuar kryeparlamentarin për pritjen, janë treguar të gatshëm për bashkëpunim dhe kanë ofruar gjithë përvojat dhe kapacitetet e tyre profesionale, për të gjetur rrugë që çojnë në një zhvillim më të përshpejtuar ekonomik të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)