25 Prill 2024

BE finalizon studimin e fizibilitetit për Pallatin e Drejtësisë

Prishtinë, 19 prill - Sot, Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian prezantoi planet për ndërtesën e re të drejtësisë e njohur si Pallati i Drejtësisë. Kompleksi do të ndërtohet në zonën e Prishtinës së Re. Realizimi i projektit të Pallatit të Drejtësisë do të sigurojë hapësirë të duhur për sistemin e drejtësisë dhe do t’i përmirësojë shërbimet.

Po ashtu do të përkrahë çasjen dhe besimin e publikut në sektorin e drejtësisë duke e përmirësuar efikasitetin e saj, duke zvogëluar ngarkesën me raste dhe shtimin e vazhdueshëm të pavarësisë, besimit dhe dukshmërisë së sistemin të drejtësisë.

Për më tepër, sapo të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, institucionet kosovare të drejtësisë do të mund t’i ridestinojnë fondet të cilat tani po shpenzohen për qira, për aktivitete të tjera që janë esenciale për funksionimin e mbarë të sistemit të drejtësisë.

Kjartan Björnsson, shef i Operacioneve i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian pohoi: “Ne kemi zotuar € 25 milionë për realizimin e këtij projekti. Kjo dëshmon përkushtimin e BE-së për të siguruar standarde dhe efikasitet më të lartë në fushën e drejtësisë që qytetarët e Kosovës të kenë shërbime më të mira. Realizimi i këtij projekti do të përkrahë në masë të madhe përpjekjet e autoriteteve kosovare për përmbushjen e standardeve për integrim evropian.”

Haki Demolli, ministër i Drejtësisë, pohoi, “Ne besojmë se kushtet e përmirësuara të punës do të ndihmojnë në përmbushjen e parakushteve për të ngritur efikasitetin e gjyqësorit. Kjo po ashtu merr parasysh numrin e shtuar të gjykatësve dhe prokurorëve si rezultat i procesit të riemërimit. Për më tepër, rritja e fundit e pagave do të na ndihmojë të përmirësojmë funksionimin e institucioneve të drejtësisë, të garantojmë pavarësinë e tyre, nivelin e llogaridhënies, profesionalizmin dhe do të mundësojë transparencë të plotë të punës së gjykatësve dhe prokurorëve”.

Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), pohoi: “Ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë mbetet njëra prej shtyllave kryesore për zhvillimin e gjyqësorit. Ai do të mundësojë sistemimin e të gjitha gjykatave dhe zyrave prokuroriale që tani janë të shpërndara nëpër Prishtinë në një kompleks të vetëm të drejtësisë. Kjo do ta ngrisë efikasitetin e punës dhe do të kontribuojë për zgjidhjen me kohë të rasteve gjyqësore.”

Lokacioni
Zona e Pallatit të Drejtësisë ndodhet rreth katër kilometra larg qendrës së Prishtinës. Përveç pjesëve për banim, tregtare dhe sportive, kjo zonë është veçuar si zonë e ardhshme për zhvendosjen e parlamentit,  e ministrive kyçe si dhe e departamenteve të tjera qeveritare. Ajo  do të përfitojë nga çasje e afërt me  unazën e dytë të brendshme të Prishtinës, e cila do të jetë 200 metra në veri të kompleksit të drejtësisë, nga e cila është planifikuar një çasje në pikën e kompleksit.

Qëllimet e projektimit
Pallati i Drejtësisë do të ofrojë hapësira të duhura për autoritetet gjyqësore dhe do ta ngrisë pavarësinë e tyre. Duke e shtuar funksionalitetin e shërbimeve dhe duke e ulur ngarkesën me raste, ai po ashtu do të kontribuojë në shtimin e besimin në gjyqësor.
Udhëzimet arkitektonike për kompleksin do të synojnë:

·    Të projektojnë parimet e përkryeshmërisë që përfaqëson rëndësinë e aktiviteteve brenda ndërtesës së gjykatës dhe stabilitetin e sistemit gjyqësor.

·    Reagim i drejtë ndaj kontekstit, gjeografisë, klimës, kulturës dhe historisë vendëse.

·    Fleksibilitet dhe, në masën që është e mundshme, të lejojë zgjerimin.

·    Të ofrojë çasje të plotë në të gjitha pjesët për njerëzit me të meta.

·    Shfrytëzimin e strategjive të natyrshme për të mbrojtur dhe rikthyer burimet e ujit, efikasitetin energjetik duke siguruar komoditet termal, shfrytëzimin e strategjike solare pasive dhe planin për riciklimin e materialeve gjatë ndërtimin dhe shfrytëzimit.

Koncepti i planit të përgjithshëm arkitektonik
Plani i përgjithshëm merr parasysh të gjitha kërkesat sa i përket funksionalitetit që kërkohet në një kompleks modern të drejtësisë. Kompleksi i propozuar përbëhet prej pesë ndërtesave periferike (A – Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Supreme, gjykatat ekonomike, Gjykata e Lartë për Kundërvajtje dhe Gjykata e Qarkut në Prishtinë, B – Gjykata Komunale dhe Gjykata Komunale për Kundërvajtje, C – Zyra e Prokurorit Shtetëror, Prokurorit Special, Prokurorit të Qarkut dhe Prokurorisë Komunale, D – blloku i gjykatores, dhe E –Gjykata Kushtetuese). Sipërfaqja e përgjithshme e kompleksit të Pallatit të Drejtësisë do të ketë 27,000m2 me parkim nëntokësor për mbi 200 automjete. Pritet që në kompleksin e ardhshëm të drejtësisë të punojë një personel prej 625 vetash. 

Gjykata Kushtetuese (E), edhe pse fizikisht e ndarë nga të tjerat, është vënë si pjesë e kompleksit, duke e mbylllur dhe mbrojtur kështu oborret e brendshme nga jashtë.
 
Ndërtesat do të kenë 4 deri 5 kate me nivele të ndryshme të katit përdhesë, duke iu përshtatur pjerrësisë natyrale të terrenit dhe hapje në disa platforma të ndërmjetme të krijuara në mes të ndërtesave, duke iu mundësuar shfrytëzuesve të shijojnë pamjen nga një ambient i mbrojtur nga era.

Blloku i Gjykatores (D) është projektuar si ndërtesë e veçantë jo vetëm për simbolizmin e saj, por edhe për funksionet e ndryshme, kërkesat teknike dhe nevojës për të ofruar fleksibilitet. Sidoqoftë, Blloku i Gjykatores, është i lidhur me ndërtesat e tjera gjyqësore përmes urave të varura duke mundësuar ndarjen e qarkullimit  të kufizuar dhe atij publik.

Modelimi i zonave të hapura për personelin dhe publikun,i ndërtesave gjyqësore të krijuara me këtë planimetri “të hapësirës së hapur”, demonstron qartë çasjen e nevojshme për publikun duke e siguruar qarkullimin e kufizuar për gjykatës si dhe qarkullimin e sigurt për personat në gjykime penale. Ky kombinim qartazi simbolizon transparencën e kërkuar dhe qasjen për të gjithë.

Zonat e krijuara nën këto oborre të gjykatave do të shfrytëzohen si zona teknike, duke i centralizuar të gjitha hapësirat e nevojshme infrastrukturore, një lokacion ideal që është shumë i centralizuar për  tërë planin e përgjithshëm. Të gjitha zonat teknike do të ndodhen nën oborrin e gjykatës qendrore dhe do të jenë të lidhur ngusht me ndërtesat duke ofruar tërë infrastrukturën e nevojshme.

Vendparkimet  e ofruara nën ndërtesa kanë qasje në rrugën dytësore në veri ekskluzivisht për personelin. Në anën e kundërt të parcelës ndodhet  hyrja në vendparkimin e Gjykatës Kushtetuese. Zonat e jashtme teknike dhe parkimi publik ndodhen në përdhesë si dhe jashtë kompleksit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)