26 Janar 2020

BE dhe Suedia nisin projekt 3.5 milion euro për Sistemin Statistikor në Kosovë

Prishtinë, 19 qershor - Zyra e BE-së së bashku me Ambasadën e Suedisë në Kosovë nisën projektin e ri 4-vjeçar në sektorin e statistikave, që ka për synim forcimin e sistemit statistikor të Kosovës duke mundësuar zhvillimin e informatave statistikore të besueshme dhe lehtësuar përmirësimin e vendimmarrjes.

Projekti do të mbështesë në mënyrë specifike rritjen e kapaciteteve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për të kryer aktivitetet e saj kryesore në mënyrë të standardizuar dhe të pavarur - në përputhje me standardet e BE-së - si dhe për të forcuar kapacitetet menaxhuese dhe koordinuese të ASK-së.

Përfituesi kryesor i këtij projekti është Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ndërsa hisedarë tjerë të projektit janë: Ministria e Financave, Banka Qendrore e Kosovës, disa ministri të linjës, duke përfshirë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Ministria e Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Administratës Publike. Autoritetet komunale, veçanërisht në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, demografisë dhe statistikave të bujqësisë dhe mjedisit do të përfitojnë nga projekti.

Luigi Brusa, Shefi i Sektorit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë tha: "Bashkimi Evropian i jep rëndësi të madhe përmirësimit të sistemit statistikor, pasi që statistikat zyrtare janë një mjet thelbësor për zhvillimin e shoqërive demokratike dhe të orientuara drejt tregut. Ndërtimi i një sistemi statistikor të qëndrueshëm sipas standardeve të BE-së dhe atyre ndërkombëtare është proces i gjatë e që kërkon shumë punë dhe shumë planifikim, burime dhe përkushtim adekuat".

Nasrin Pourghazian, Shefe e Bashkëpunimit Suedez për Reforma, në Ambasadën e Suedisë, tha: "Administrata publike efikase, me kapacitet të fortë administrativ për të zbatuar reformat për integrim në BE, është një nga prioritetet kryesore në strategjinë tonë. Fuqizimi i sistemit statistikor të Kosovës do të çojë në politikëbërje dhe vendimmarrje më të mirë për vendin".

Projekti ka filluar zyrtarisht më 01 maj 2019 dhe do të implementohet përgjatë 48 muajve me shumën e përgjithshme buxhetore prej 3.53 milion euro.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 janar 2020

- Let’s Do It Kosova dhe Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badocit organizojn aksion pastrimi në liqenin e Badocit. (Liqeni Badocit, ora 10:00 - nisja bëhet nga zyret e Let’s Do It Kosova, ora 9:30)

- Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport e Komunës së Istogut për nder të “Tre Dëshmorëve të Shkollës Shqipe “ do të organizoj turnirin ndërkombëtarë në shah UÇA.92. (Restorant Butrint në Istog, ora 10:30)