24 Maj 2019

BB miraton projektin prej 22 milionë euro për bizneset e vogla në Kosovë

Washington, 15 maj - Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar në Kosovë, për të përmirësuar qasjen në financa për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM), duke përfshirë bizneset fillestare, sipërmarrësit e rinj dhe bizneset në pronësi të grave, duke forcuar kapacitetin financiar dhe teknik të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK).

Mbështetja financiare për projektin është 22.3 milionë euro e barasvlershme me 25 milionë dollarë.

“Banka Botërore ka kënaqësinë të mbështesë përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të rritur qasjen në financa me qëllimin përfundimtar të rritjes së krijimit të vendeve të punës në sektorin privat”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

Përmes Ministrisë së Financave, projekti do t’i ofrojë fonde FKGK-së për të dhënë garanci kreditore për ta mbështetur qasjen në financa për NMVM-të.

Meqë ky lloj i bizneseve dominon ekonominë reale dhe tregun e punës, përmirësimi i qasjes së tyre në financa do ta mbështetë krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike.

Me fokus në segmentet e nën-shërbyera dhe produktive të ekonomisë, projekti ka potencialin për të ndikuar drejtpërsëdrejti në uljen e varfërisë, veçanërisht në radhët e të rinjve dhe grave.

Aktualisht, disa NMVM të pranueshme për kreditim nuk kanë qasje në financa për shkak të kërkesave të larta për kolateral, mungesës së historisë kreditore, apo mungesës së raportimit financiar.

Projekti do të fokusohet në këto ndërmarrje krahas përmirësimit të kushteve financiare për ndërmarrjet të cilat tashmë kanë qasje në financa. Gjithashtu, projekti ka për qëllim t’i konsolidojë fondet e sektorit privat për financimin e NMVM-ve duke ofruar mbështetje për skemën e garancisë së pjesshme.

Projekti do ta mbështetë FKGK-në për të zhvilluar produkte enkas për bizneset në pronësi të grave, bizneset fillestare dhe sipërmarrësit e rinj, dhe për ta zhvilluar kornizën e monitorimit dhe vlerësimit për ta përcjellë ndikimin financiar dhe ekonomik të përfituesve të FKGK-së.

Projekti financohet me kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit.

Financimi i këtij projekti ka afat maturimi prej 30 vjet, duke përfshirë një grejs periudhë 5-vjeçare.

FKGK, që është institucion vendor, i pavarur dhe i qëndrueshëm, për garanci kreditore, do të jetë përgjegjës për zbatimin e projektit.

FKGK gëzon autonomi të plotë operative dhe administrative. Ky Fond ofron garanci kreditore për Institucionet Financiare të Regjistruara për hua të përzgjedhura për NMVM-të.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2019 - Nisin punimet për rregullimin e rrugës kryesoret të qytetit të Deçanit Rrugës së  Qendrës konkretisht rrugës 'Luan Haradinaj' dhe 'Dëshmoret e Kombit'. (Në afërsi të pikës së karburantit Agonisi Gas në Carrabreg, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit të Auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës së qytetit të Deçanit. (Sheshi i qytetit në Deçan, ora 10:00)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, Brian Martalus, do të mbajë një fjalim në hapjen e Konferencës Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa - B2B. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- “Let’s Do It” mban aksion pastrimi në disa fshatra të Hasit, me moton “Për një Has të pastër”. (Fshati Gjonaj tek Ura e Drinit të Bardhë, ora 10:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e prezantimit të gjashtë video udhëzuesve për e-prokurim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike për pjesëmarrje në Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të shënojnë së bashku Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim me një konferencë shtypi. (Ambientet e UNDP-së, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Fshatin Kodrali. (Fshati Kodrali, ora 11:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)

- Prokuroria Themelore e Pejës organizon konferencën për media ku temë diskutimi do jetë ngritja e dhjetëra aktakuzave për rastin e njohur në opinionin publik si “veteranët e rrejshëm”. (Objekti i Prokurorisë Themelore të Pejës, rruga “Hasan Cermaxhija”. ora 12:00)

- 44 nxënës nga klasa 7 deri në klasën 9, nga të gjitha regjionet e Kosovës do të takohen për të garuar në finalen e garës së tretë vjetore të gërmëzimit.  (Biblioteka kombëtare, ora 13:15)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes  së çmimeve “Nikete Dardani”. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, ora 13:30)

- Rinia Demokratike e Kosovës, mban aktivitet në Prizren, te Komuna, lidhur me qeverisjen lokale në Prizren dhe kundër korrupsionit si dukuri negative. (Te Komuna, Prizren, ora 14:00)

 - Shënohet 19 vjetori i themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë. (Pallati i Kulturës” Asim Vokshi” , Gjakovë, ora 18:00)

- Organizuar nga Ministria e Diaspores dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbahet konferenca ekonomike e diasporës shqiptare nga Evropa më B2B. (Hotel Emerald, ora 20:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa, organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. (Hotel Emerald, ora 20:00)