22 Gusht 2019

Bartja e 25 milionëve, dështim skandaloz në Komunën e Prishtinës

Prishtinë, 12 shkurt - Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se raporti financiar 2018 i kryetarit të Komunës së Prishtinës është dokumenti më i sakt që flet për të arriturat apo dështimet skandaloze të qeverisë së tij dhe vet atij për periudhën  një janar - tridhjetë e një dhjetor 2018.

Këshilltari i LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, Agim Gashi ka thënë se pasqyrat financiare tregojnë se si rezultat i dështimeve qeverisëse në fushën e shpenzimeve kapitale, shërbimeve, mallrave, subvencioneve dhe transfereve barten për vitin 2019 hiq më pak se 25 milion euro.

Pra, kjo qeveri sipas tij nuk ka arritur të investoj në fushat më të rëndësishme siç është arsimi, infrastruktura e ujërave të zeza dhe ajo rrugore, fusha e mirëmbajtjeve të rrugëve dhe hapësirave publike, fusha e subvencionimit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, fusha e kulturës , rinisë dhe sportit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale dhe aq më keq, qe gjashtë vite nuk arriti të hartojë dhe miratojë Hartën Zonale si dokument obligativ bazik ligjor nga i cili krijohen kushte ligjore për përmbushur kërkesat dhe nevojat për t’ndryshuar planet rregullative të hollësishme në Prishtinë.

"Kjo paaftësi qeverisëse po ndodhë në kohën kur Prishtinës i mungojnë shtatë objekte shkollore, i mungojnë me dhjetëra institucione parashkollore, i mungon rrjeti i kanalizimit komplet në Matin 1 dhe në Kalabri, në Hajvali prapa Pallatit të Drejtësisë e deri në Cagllavicë, në Fushën e Pajtimit, në Llukar e deri në Grashticë, në Mramor dhe shumë vendbanime tjera."

"Po ashtu mungon rrjeti i ujësjëllësit në dhjetra fshatra të Komunës së Prishtinës, mungon deponia për mbeturina nga konstrukcioni dhe demolimi, mungon Plani i Mobilitetit, mungojnë hapsirat dhe objektet e parkingjeve, mungojnë subvencionet në bujqësi, kulturë, arsim, transport dhe mirëqenie sociale, mungojnë investime në ndërtimin e kolektorit në Kalabri dhe Matin1, mungojnë investimet në Rrugën A dhe Rrugën B dhe mbi të gjitha, mungon gatishmëria për t’krijuar një trupë qeverisëse me kuadro të mira profesionale dhe të koordinuar nga një kryetar që do të jetë përgjegjës para votës së qytetarit të Komunës së Prishtinës", ka theksuar Gashi.

Ai konsideron se bartja e 25 milionëve të pashpenzuara nga viti 2018 në vitin 2019 është dëshmia më e mirë se kryetari i Prishtinës dhe qeveria e tij kanë dështuar skajshmërisht sepse nuk mund të ketë sukses një qeveri e formuar nga pesë subjekte politike të cilat shantazhojnë njëra- tjetrën, por edhe vet programin qeverisës.

"Nuk mund të ketë sukses në qeverisje kryetari i Prishtinës i cili, në vend që të merret me zgjidhjen e problemeve të panumërta të Prishtinës, ka pranuar rrol të dyfisht-atë të anëtarit negociator për zhvillimin e dialogut Kosovë - Serbi."

"Nuk mund të arrijë sukses në realizimin e programit investiv një kryetar i cili, rrit numrin e drejtorive pa asnjë kriter , vetëm për t’përmbushur orekset e subjekteve politike në koalicion."

"Po ashtu një kryetar dhe një qeveri komunale, siq është kjo e Prishtinës, do të dështoj gjithnjë nëse vazhdon të funksionojë dhe të qeveris me këtë mendësi qeverisëse duke mos përfillur rregullat elementare të bashkëpunimit, jo vetëm brenda vetes, por edhe me të gjithë faktorët përreth vetes, brenda Kuvendit dhe grupeve tjera të interest jasht Komunës", ka vlerësuar në fund Gashi.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 gusht 2019

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Prishtinës organizon vendosjen e pesë njësive shtesë të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin "Zahir Pajaziti" ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. (Sheshi i 'Zahir Pajazitit', ora 10:00)

 - Mbahet dita e tretë e Etnofestit në të cilën do të mbahet punëtoria kreative, instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, etj. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova do të organizojë dëgjimin me qytetarë për Draft Buxhetin Komunal për vitet 2020-2022. (Salla e Kuvendit Komunal në Istog, Kati III, ora 11:00) 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 13:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Termokis, ora 20:00)