25 Qershor 2019

Ballkani tregon përmirësim të performancës së tregut të punës

Beograd, 19 mars - Performanca e tregut të punës në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar të përmirësohet, edhe pse me një ritëm më të ngadalshëm se në vitin paraprak dhe përkundër rritjes më të madhe ekonomike në rajon.

Sipas raportit ‘Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor 2019”, të publikuar sot nga Banka Botërore dhe Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw), janë krijuar rreth 68,000 vende të reja pune në periudhën prej tremujorit të dytë 2017 deri në tremujorin e dytë të 2018, krahasuar me 231,000 një vit më herët.

Për dallim, rritja e BPV-së në rajon është rritur nga 2.5 për qind në vitin 2017 në 3.9 për qind në vitin 2018.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë raportuar rritjen më të madhe në rajon, me 3.3 për qind secila, pasuar nga Maqedonia e Veriut me një rritje prej 2.1 për qind.  Shumica e vendeve të reja të punës janë krijuar në industri dhe shërbime.

Gratë kanë vazhduar të jenë të nënpërfaqësuara në tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor, por ato kanë qenë përfituese të më shumë se gjysmës së kësaj rritjeje të punësimit.  

Mesatarisht, tregjet e punës në rajon kanë regjistruar përmirësime në shkallën e aktivitetit (ngritje për 0.5 pikë të përqindjes në 62.8 për qind) dhe shkallën e punësimit (rritje për 1 pikë të përqindjes në 52.9 për qind), por ato vazhdojnë të mbesin shumë nën standardet evropiane.

Papunësia ka shënuar një ulje historike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rënë nga 16.2 për qind në 15.3 për qind gjatë vitit të kaluar. Shkalla e vendeve sillej nga rreth 12 për qind në Serbi dhe Shqipëri në 29 për qind në Kosovë.

Rajoni po ashtu ka përjetuar një ulje substanciale të papunësisë afatgjate, nga një kulminacion prej 1.5 milionë njerëzve në vitin 2011 në 776,000 njerëz në tremujorin e dytë të 2018. Prapëseprapë, papunësia mbetet sfidë e konsiderueshme në Ballkanin Perëndimor, ku nivelet ishin dy ose tri herë më të larta se sa vendet simotra të BE-së.

Raporti thekson se punësimi joformal, një prej sfidave kryesore të tregjeve të punës në Ballkanin Perëndimor, është ende në rritje në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, por në rënie në Serbi. Meshkujt e rinj, gratë më të moshuara dhe punëtorët me nivel të ulët shkollimi kishin më shumë gjasa të mbanin vende joformale të punës në vitin 2018.

“Përmirësimet në performancën e tregut të punës janë inkurajuese, por trendi i ngadalësuar ngrit disa shqetësime,” tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. 

“Ne ende kemi nevojë për një sektor privat të fuqishëm që krijon vende adekuate të punës dhe për politika publike që përmirësojnë punësueshmërinë e fuqisë punëtore për të mbështetur performancën e tregut të punës në të ardhmen.

Përkundër pozitës së vështirë të tyre në tregun e punës, gjendja e punësimit të të rinjve ka vazhduar të përmirësohet, ku shkalla e papunësisë së të rinjve ka rënë për 3 pikë të përqindjes në 34.6 për qind. 

Shumica e tyre ishin të papunësuar për një kohët të gjatë, duke u sjell nga pothuaj 70 për qind në Bosnjë dhe Hercegovinë në 43 për qind në Mal të Zi. Mesatarisht, 50 për qind e të rinjve punonin me kontrata të përkohshme, duke i prekur kështu 8 nga 10 punëtorët e rinj në Kosovë dhe Mal të Zi.

 Edhe pse në rënie, përqindja e të rinjve (15-24 vjeç) që nuk janë të punësuar, duke u shkolluar dhe aftësuar (NEET) mbetet e lartë në 22.3 për qind. Shkallë nën mesatare është raportuar në Mal të Zi dhe Serbi (rreth 17 për qind), krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (që sillet ndërmjet 24 dhe 26 për qind)

Pagat dhe kostoja e punës ishin dukshëm më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, krahasuar me BE-në, dhe nuk ka pasur ndonjë konvergjencë (përafrim) të qartë viteve të fundit.

“Përveç dinamikës pozitive, që është duke u zbehur, në zhvillimet rreth punësimit, trendet e fundit në produktivitet dhe rritje të pagave janë brengosëse dhe duhet të adresohen nga politikë-bërësit për të ndihmuar si konvergjencën ashtu edhe punësimin,” përfundon Robert Stehrer, Drejtor Shkencor i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

Raporti konstaton se tatimimi i të ardhurave nga puna në Ballkanin Perëndimor është krahasimisht i lartë për punëtorët me paga të ulëta dhe punëtorët me persona që varen prej tyre, duke ditur progresivitetin e ulët të rajonit dhe përdorimin e rrallë të shtesave familjare në regjimet e tatimit në të ardhura.

Personat me paga të ulëta janë në pozitë veçanërisht të pafavorshme në tregun formal të punës sa i përket pagës së tyre neto që e çojnë në shtëpi dhe kostos relativisht të lartë të punësimit të tyre krahasuar me ata që fitojnë paga të mesme ose të larta. 

Këto disavantazhe veprojnë si destimulues shtesë për të punuar në vende formale të punës dhe për firmat që të krijojnë vende formale të punës, veçanërisht për personat me nivel të ulët të shkollimit dhe për punëtorët e tjerë me paga të ulëta.

Një reformë e gjerë e sistemit të përgjithshëm të tatimit të punës dhe sigurimit social mund të shërbejnë si mënyrat më premtuese për rivitalizimin e tregjeve të punës në Ballkanin Perëndimor.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2019 - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli do ta presë në takim ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide. (Hapësirat e MPJ-së, ora 8:30)

- The Siracusa International Institute for Criminal Justice and Human Rigths, një Organizatë Joqeveritare italiane organizon Dialogun Strategjik Kombëtar mbi temën e luftës kundër trafikut të paligjshëm. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga vizita e përbashkët e realizuar në Luginë të Preshevës (Ndërtesa e Kuvendi, salla C 203, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të mbajë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti analitik: “Dështimet në rastet e shënjestruara”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ku do të bëhet dorëzimi i pajisjeve për klubet e mediave, që është donacion i GIZ-it.  (Shkolla “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë organizojnë konferencën për media lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve. (Sheshi “Ibrahim Rugova” përpara objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:05)

- Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina organizon ceremoninë me rastin e shënimit të ditës më të madhe për qytetarët e Fushë Kosovës, lëshimin në funksion të linjës magjistrale për furnizim 24 h me ujë të pijshëm. (Rr. Hajrullah ZymiFushë Kosovë, ora 10:30)

- Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit organizon aktivitete solemne me rastin e Ditës së Zjarrfikësve të Prizrenit duke filluar me defileun e automjeteve dhe mjeteve zjarrfikëse në unazën e qytetit. (Nisja nga objekti i Shërbimit Zjarrfikës në Prizren, ora 11:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me UNDP do të organizojnë konferencën për media për vazhdimin e kampanjës për legalizimin e armëve. (Objekti qendrorë i MPB-së, salla P-02, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti takohet me Kryetarin e qytetit të Des Moines, Iowa të SHBA,  Thomas  Cownie. (Ndërtesa e vjetër e Komunës, ora 11:00)

- Drejtoria e Administratës në Komunën e Prizrenit në bashkëpunim me OJQ Nevo Koncepti organizon tryezë diskutimi me temën Trajtimi i Fëmijëve në Raste të Dhunës dhe Abuzimit. (Hotel Centrum, ora 11:00)

- Ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi raporton para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi lidhur me tekstet e reja shkollore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit bën demonstrimin i ushtrimeve të kërkim-shpëtimit dhe shuarjes së zjarrit në objektin e shkollës fillore “Heronjtë e Lumës” në fshatin Vërmicë. (Vërmicë, ora 12:00)

- Balkan Green Foundation, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti për Politika Zhvillimore organizojnë tryezën e rrumbullakët "Kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe kost-efektiviteti i tyre,". (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj raporton para Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim organizon ceremoninë e nënshkrimit të kredisë prej 18 milionë eurosh që BERZH-i i ka dhënë parkut energjetik me erë të Kitkës. (Hotel Sirius, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Ekspozitën e Artizanaleve të ndryshme, nga organizata e grave “Orkide”, në Prizren. (Qendra Kulturore “Yunus Emre”, Prizren, ora 18:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në shënimin e Javës Egjiptiane në Gjakovë. (Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, Gjakovë, ora 19:00)

- Shkolla Amerikane e Kosovës organizon Inagurimi i kampusit të ri të Shkollës Amerikane të Kosovës. (Shkolla Amerikane e Kosovës, Shkabaj, Prishtinë, ora 20:00)