22 Janar 2020

Avokati i Popullit e dërgon në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat

Prishtinë, 5 dhjetor - Avokati i Popullit, në pajtim me autorizimet e tij kushtetuese dhe ligjore, e ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Në përgjithësi, Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.

Për më tepër, Avokati i Popullit i ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.

Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji.

Duke marrë parasysh faktin se ka një numër të madh ankesash nga subjekte të ndryshme të sektorit publik, Avokati i Popullit konsideron se ekziston interesi publik që pajtueshmëria e këtij ligji me Kushtetutën të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese.

Avokati i Popullit mbetet i përkushtuar që, në mënyrë të pavarur, t’i adresojë shqetësimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës në funksion të ushtrimit të detyrave të veta të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 janar 2020 - Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës organizon diten e dytë të takimit rajonal për Ndryshime Klimatike dhe Integrime Evropiane “Zhvillimi i një propozim projekti për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e Mjedisit, Integrimeve Evropian dhe Ndryshimeve Klimatike”. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së,  do të organizojnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari. (Prekaz, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Mitrovicës. (Sallën e Mediave të Komunën se Mitrovicës, ora 10:00)

- Klubi i Prodhuesve organizon tryezën e diskutimit për diskutimin e efekteve të tarifës 100% në ekonominë  e vendit një vit pas vendosjes së kësaj takse. (Orion Conference Centre, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Vushtrrisë. (Qendr Rinore në Vushtrri, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti do të nënshkruajë Marrëveshjen e Mirëkuptimit me USAID për zbatimin e Programit per trajtimin e ndertimeve pa leje. (Komuna e Prishtinës, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës në detyrë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Kaçanikut. (Shtëpia e Kulturës "Xheladin Kurtaj" në Kaçanik, ora 14:00)

- Mbahet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, ku do të marrin pjesë teatrot me shfaqjet më të mira dhe dramat e tyre origjinale shqipe nga Kosova. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)