22 Korrik 2019

61 për qind të papunë në Kosovë

Prishtinë, 20 qershor - Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e parë të këtij viti.

Anketa ka pasur shtrirje në 452 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 4004 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Nga popullsia në moshë pune, 61.3 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh, transmeton kp.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.7%.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e parë 2019 është 28.2%.

Punësimi me i lartë është te meshkujt 43%, ndërsa punësimi te femrat është 13.3%.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 54.6 % të tyre.

Ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 43.8%.

Sipas tremujorit të parë të AFP-së 2019 në Kosovë ka pasur 125,717 persona të moshës 15- 64 vjeç, që ishin të papunë, 88,915 nga të cilët ishin meshkuj dhe 36,802 femra . Shkalla e papunësisë ishte 26.9 %, më e lartë ishte tek femrat me 31.6% se sa te meshkujt, 25.4 %.

Papunësia tek të rinjtë është shumë e lartë në Kosovë. Në tremujorin e parë të vitit 2019, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit. Papunësia është më e lartë te femrat e reja (60.8 %) se te të rinjtë meshkuj (46.0%).

Pothuaj një e treta (29 %) e personave të moshës 15 deri 24 vjeçare në Kosovë nuk ishin në shkollim, punësim apo trajnim. Kjo shifër është 30.3 % për femrat e reja krahasuar me 27.8 % për të rinjtë meshkuj.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: Tregtia me 16.5%, ndërtimtaria me 11.5%, arsimi me 11.2%, si dhe prodhimi me 11.0%.

Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 39.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 60.9% kanë kontratë të përkohshme.

Pagat neto të shumicës së punonjësve ishin midis 300 euro deri 400 euro në muaj. Janë vërejtur dallime gjinore me 6.5 % më e lartë te femrat se sa te meshkujt.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 korrik 2019 - Oda Ekonomike e Kosovësdo të mbajë kon ferencën e rradhës për media lidhur me informimin e qytetarëve, institucioneve dhe gjithë publikut për tema të rëndësishme që prekin komunitetin biznesor. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Federata e Çiklizmit të Kosovës mban konferencë për media për të informuar për garën ndërkombëtare te Rrethit të Kosovës në Çiklizëm e cila këtë vit është edhe garë poentuese sipas kritereve të UCI-t për çiklistët pjesëmarrës. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Prokuroria Themelore në Prizren, organizon konferencë për media lidhur me çështjen “Abi Çarshia”. (Prokuroria Themelore në Prizren, rruga William Walker pn., ora 11:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi mblidhet për tëe diskutuar lidhur me situatën e krijuar pas Vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në shënimin e ditëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për Senatorin Bob Dole. (Rruga “Bob Dole”, Lagjja Dardania, Prishtinë, ora 14:00)

- Komuna e Prizrenit mban konferencë për shtyp, lidhur me reagimet e fundit për rastin "Abi Çarshia". (Shtëpinë e Bardhë në Prizren, ora 15:30)
 
- Me rastin e gjobes së shqiptuar ndaj qytetarës së Prishtinës Aida Gashi për të qeshurat e saj, grupi 'Të Qeshim së Bashku' organizon një protest qesharake, me moto 'të qeshim me zë të lart, Prishtina ka nevoje për të qeshurat tona'. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 23:30)