17 Tetor 2018

336.6 milion euro të hyra për periudhën Janar-Shtator 2018

Prishtinë, 12 tetor - Administrata Tatimore e Kosovës po vazhdon performancën në bazë të zotimeve të cilat i ka përcaktuar për këtë vit, si dhe në përputhe më projeksionet e përcaktuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Deri me 30 Shtator 2018 ATK ka grumbulluar 75.5 % të të hyrave të përgjithshme vjetore, apo shprehur në shifra 336.6 milionë euro.

Se kemi një nivel shumë të mirë sa i përket realizimit te planit te të hyrave,  këtë e tregon edhe krahasimi mes periudhave, nëse e krahasojmë periudhën Janar-Shtator 2018 me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje për 32.8 milionë euro, ndërsa më shumë se plani kemi 9.6 milionë euro apo 2.9%.

Rezultat për rritjen e të hyrave janë avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare. Po ashtu, këtu rol të rëndësishme ka edhe pjesa e legjislacionit tatimor, përmes së cilës bëhen përpjekje të vazhdueshme që të krijohet një infrastrukturë e mirë ligjore.

Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.

Motoja e përgjithshme e punës tonë vazhdon të qëndroj në krijimin e një mjedisi, i cili mbështet fuqimisht përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 tetor 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministrisë se Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP". (Rektorati i UP-së, ora 10:00)

- Mbahet tryeza e kampanjës informuese “Kodi Civil ndikon në statusin ligjor të qytetarëve”, organizuar nga  projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”. (Hotel Happy në Gjakovë, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, të cilin do ta nderojë me medaljen e Gjergj Kastritot - Skenderbeu. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Pesë profesorë  nga Budapesti do të vizitojnë  Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku edhe promovohet libri “Distribution atlas of vascular plants in Albania” botuar nga botanisti prof. dr. Zoltán Barina dhe mbahet një ligjëratë nga prof. dr. Antal Molnár. (Amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, ora 10:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi  do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore. (Kabineti i Ministrit Matoshi, kati 17, ish objekti “Rilindja”, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa në të cilën do të shqyrtohet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Automjete, për Efiçiencë të energjisë, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përuron objektin e Qendrës Rinore në Vushtrri. (Vushtrri, ora 11:00)

- Drejtori i Mbrojtjes dhe Shpetimit, Sami Spahiu nga Komuna e Gjilanit mban konferencë për media. (Zyra e krytarit të komunës, ora 11:00)

- Let’s Do It Kosova do të organizoj aksionin e pastrimit në Lipjan. (Oborri i Komunës së Lipjanit, ora 12:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të mbajë mbledhjen e radhës në të cilën do të shqyrtoj vlerësimet e sindikatës së MPJ-së lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Zyrat e Vetëvendosjes, ora 15:00)

-  Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, merr pjesë në takim me struktura drejtuese të Nismës në Vushtrri dhe Mitrovicë. (Restaurant Holiday në Vushtrri, ora 17:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, merr pjesë në hapjen e “Java e bizneseve nga diaspora”, e cila organizohet nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. (Hotel Emerald, ora 19:00)