18 Shkurt 2019

VV kërkon nga Shpend Ahmeti përgjigje për tenderin e qumështit

Prishtinë, 18 janar - Sot, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë mbajti konferencë për media në lidhje me keqpërdorimet në tenderin për qumështin në Komunën e Prishtinës.

Duke kujtuar qeverisjen në Komunën e Prishtinës, deputetja Fitore Pacolli tha se qëllimi i këtij projekti si i shumë projekteve e punëve të tjera ishte edhe luftimi i pabarazisë duke filluar që nga shkollat fillore.

“Kur filloi ky projekt ne kishim 200.000 € në dispozicion dhe kërkuam nga kompanitë që të ofertojnë. Deri në vitin 2018 qumështi në shkollat fillore u pagua me 200 000 €. Por në vitin 2018 ndryshoi gjithçka. Komuna nuk paguan si më parë, pra 200.000 €, por 733.698 €. Si u bë kjo? Si arriti Komuna ta parashikoj, vlerën e tenderit për sasinë dhe cilësinë e njëjtë të qumështit në vitin 2018 që doli 300% më e shtrenjtë sesa atë që kishte parashikuar në vitin 2017? Ku është bazuar zyra e Kryetarit? A ka pasur zyra e Kryetarit ndonjë dokument zyrtar ku sqarohet se për shkaqe të ndryshme çmimi i qumështit në treg  është shumëfishuar? Deri më tani Kryetari i Komunës nuk ka dhënë asnjë sqarim se në çfarë baze ka vendosur vlerën e parashikuar në tender”,  tha ndër të tjera Pacolli.

Pacolli vazhdoi duke ngritur dilema në lidhje me mundësinë që një kompani e huaj të ofertojë më lirë se kompania paraprake vendore.

“Një gjë tjetër që tërheq vëmendjen është se kur Komuna furnizohej me qumësht siç po thonë “nën vlerën e tregut” produktin e ofronte një kompani vendore ndërsa me rritjen e çmimit për 530 000 euro më shumë tani produktin e ofron një kompani e huaj - kompani e regjistruar në Maltë.  Pse kompanive vendore po i faturohen humbjet ndërsa kompanive të huaja po i jepen tenderët që sjellin fitime marramendëse? Si paska mundësi që një kompani e huaj të ketë më shumë llogari të ofertoj çmim më të lirë “733 698” sesa një kompani vendore e cila edhe prodhon qumësht?”, përfundoi Pacolli.

 Valdrin Ahmeti në fjalën e tij tha se hapja e hetimeve nga prokuroria ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për tenderin për furnizimin me qumësht është edhe një dëshmi që ato që janë thënë edhe në konferencat e reagimet e kaluara edhe argumentimet në kallzimin penal kanë qenë të sakta.

Ahmeti prezantoi para gazetarëve dokumentacionin me të cilin kishte operuar Komuna e Prishtinës kur kishte njoftuar për kontratat, pra kishte hapur mundësinë për ofertim nga kompanitë private dhe kur kishte nënshkruar kontratat.

“VLERA E PARASHIKUAR E TENDERIT, në njoftimin për vitin 2017 është 200 000 €, përderisa për vitin 2018, VLERA E PARASHIKUAR E TENDERIT është 730 000 €. Komuna duhet ta sqarojë pse e rriti parashikimin për 530 000 € kur nuk pati asnjë arsye për ta bërë këtë. Pse Komuna nuk e parashikoi edhe njëherë me 200 000 €. Ndoshta ndonjë operator ekonomik do të ofertonte përsëri me 200 000 €.

Sasia për furnizim edhe në njoftimin për kontratë edhe në kontratën e nënshkruar është i njëjti si për vitin 2017 si për vitin 2018: 3 668 490 copë. Për vitin 2017 sikurse që planifikuar Komuna, pra saktësisht sa vlera e parashikuar e tenderit, pra 200 000 € nënshkruhet kontrata me Devolli sh.p.k. Ndërsa për vitin 2018 nënshkruhet kontrata me vlerë 733 698 € me Abrazen L.L.C. e cila është kompani e regjistruar me kapital nga Malta, që njihet si një nga parajsat për shpërlarje parash. DALLIMI ËSHTË 533 698 €!” tha ndër të tjera Ahmeti.

 Ahmeti po ashtu tha se keqpërdorimet në tenderin për qumështin e fëmijëve, na i kujtojnë ata që keqpërdorën në emër të dëshmorëve në tenderët për varrezat e dëshmorëve.

“Është për të ardhur keq që gjithë këtë kohë, në vend të përgjigjjes për këto 530 000 €,  Shpend Ahmeti vetëm është munduar ta relativizojë përgjegjësinë. Por, pasi Shpend Ahmeti nuk po përgjigjet para qytetarëve të Prishtinës, tani shpresojmë se do të jep përgjigjje para prokurorit se ku janë këto të holla!”, përfundoi Ahmeti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 shkurt 2019 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit me amendamente në Projektligjin për Hetim Parlamentar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje organizon tryezën profesionale për tekstet shkollore dhe kurrikulën. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-405, ora 12:00)

- Bëhet përurimi i libri “Liri për Sadri Ramabajën” i përgatitur për botim nga Sherif Konjufca, kurse është botuar nga Shoqëria Lëvizja. (Bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 12:00)

- Partia Socialdemokrate organizon tryezë lidhur me pagën minimale, me titullin “Pagë me jetu!”. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të organizojë mbledhje komemorative pas ndarjes nga jeta të akademik Idriz Ajetit, i cili shërbeu edhe si rektor i Universitetit të Prishtinës. (Salla e Senatit në Rektorat, ora 14:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës e fillon Programin e saj Artistik për vitin 2019 me ekspozitën “Origjinaliteti”, të autorit Visar Mulliqi. (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)