24 Prill 2024

Verëtarët e Rahovecit i qasen tregut të BE-së

Rahovec, 26 prill - Industria e verës në Rahovec ka shënuar përparim të dukshëm në prodhim dhe eksport në vendet e Bashkimit Evropian.

Në Shtëpinë e Verës në Rahovec, në një panel diskutimi që u organizua në kuadër të projektit “Përkrahje për komunikim në procesin e integrimit evropian”, i financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian, prodhuesit vendor kanë kërkuar që të mbështeten më shumë prodhuesit vendor nga Institucionet e Kosovës.

Kryetari i Komunë së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar se përkundër vështirësive që kanë fermerët, ai krenohet me rezultatet që kanë arritur.

“Ne kemi gjetur rrugë për të eksportuar në tregun e jashtëm, si vera, rakia e rrushit, prodhime që dalin nga rrushi. Ekportojmë edhe perime dhe produkte që vijnë nga perimet, mirëpo shtimi i eksportit dhe vazhdimi i reformave për krijim të lehtësirave të mëtutjeshme për prodhuesit tanë, sigurisht që ndikon në rritjen e rezultateve për prodhuesit tanë."

"Ne jemi të interesuar për më shumë mundësi që të përfshihemi më mirë në skemën e granteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe në parteritetet e tjera që kanë edhe Ministria e Integrimit Evropian, si dhe nga fondi mbështetës i BE-së në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Latifi.

Bejtullah Haxhimurati, nga Biopak Winery, ka deklaruar se kompania që ai përfaqëson, rreth 80% të prodhimit e eksporton në tregun e jashtëm.

“Kjo është arritur falë punës tonë të pandalshme dhe donacioneve në teknologji që kemi marrë nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë”, është shprehur Haxhimurati.
 

Ndërkohë, Arton Osmani, menaxher i projekteve për bujqësi në zyrën e BE-së në Kosovë, ka kërkuar nga prodhuesit vendor të verës që bashkërisht të punojnë në përmirësim të infrastrukturës dhe të plotësojnë standardet e BE-së, në mënyrë që t’i qasen një tregu me më shumë se 300 milion banorë.

“Në 10 vitet e fundit e kemi mbështetë sektorin privat të Bujqësisë me grante. Ne planifikojmë të vazhdojmë të mbështesim rajonin e Rahovecit edhe këtë vit, sepse është vlerësuar si potencial për zhvillim të mëtutjeshëm, dhe tregu për eksport është më lehtë i qasëshëm në raport me prodhimet tjera”.

Sipas Nuhi Nurës, shef i Divizionit për bujqësi, pylltari, zhvillim rural dhe siguri të ushqimit, në Ministrinë e Integrimit Evropian, në negociatat me Komisionin Evropian për implementim të Marëveshjes së Stabilizimit, është arritur që t’i mundësohet prodhuesve vendorë që të eksportojnë në tregun e BE-së pa asnjë tarifë doganore.

“Kosova, që nga hyrja në fuqi e MSA-së, ka shfuqizuar tarifat doganore për 1,044 nga 2,564 produkte bujqësore nga BE-ja. Në saje të koncesioneve me BE-në, i lejohet Kosovës që të gjitha produktet bujqësore t’i eksportojë në shtetet e BE-së me tarifë doganore zero”, ka thënë ai.

Projekti “Mbështetje e komunikimit të procesit të integrimit evropian” i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian, synon që të rrisë vetëdijen e qytetarëve për katër fusha me rëndësi që parashihen në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si Bujqësia, Mbrojtja e konsumatorit, Siguria e ushqimit dhe Siguria në punë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)